Spitali i Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori” në Shkup, sot organizon një aksion shëndetësor parandalues me rastin e Muajit të Shëndetit të Burrave, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe zbulimit në kohë të problemeve shëndetësore, shkruan Portalb.mk.
Në kuadër të aksionit do të kryhen kontrolle parandaluese me ultrazë të traktit urinar dhe prostatës, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi edhe për konsultime me mjek specialist urolog.
Aktivitetet u zhvilluan nga ora 10:00 deri në 11:00, në ambulancën e Spitalit të Specializuar “13 Nëntori”.
Në këtë ngjarje janë paraparë fjalime nga drejtoresha e spitalit dhe nënkryetarja e Odës së Mjekëve për Shëndetësi Sekondare, dr. Lençe Neloska, si dhe nga kryetari i Odës së Mjekëve, prof. dr. Nikolla Jankullovski.
Aksioni parandalues është pjesë e aktiviteteve kushtuar Muajit të Shëndetit të Burrave, përmes të cilave theksohet rëndësia e kontrolleve të rregullta urologjike dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve.
Ndryshe, problemet me prostatën, simptomat që shpesh neglizhohen dhe hezitimi i burrave për të kërkuar ndihmë mjekësore, ishin në fokus të episodit të TROÇ me urologun Asim Musa. Urologu shpjegon pse disa simptoma shfaqen gradualisht dhe ngatërrohen me ndryshime normale të moshës, si dhe cilat shenja kërkojnë vëmendje të veçantë. Një pjesë e bisedës i kushtohet edhe tabuve që vazhdojnë ta shoqërojnë shëndetin intim të burrave dhe idesë së gabuar se vizita te urologu e cenon burrërinë.