Pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u shpallën fajtorë, kanë reaguar krerë të partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se për shqiptarët, katër ish-krerët e UÇK-së “janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës”. Sipas tij, lufta e UÇK-së, sakrifica dhe vetëmohimi i atyre që e udhëhoqën dhe ishin pjesë e saj, janë pjesë e rrugës që çoi drejt lirisë së Kosovës dhe një epoke të re paqeje e stabiliteti në rajon.
“Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë, ndërsa beteja për drejtësi vazhdon. Andaj, sot është dita të qëndrojmë bashkë, me dinjitet e qetësi dhe të dëshmojmë se mendjet dhe zemrat tona janë pranë çlirimtarëve dhe familjeve të tyre”, shkroi Gashi.
Edhe Bilall Kasami, e cilësoi vendimin si “të rëndë” për katër ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se ai nuk e ndryshon, sipas tij, të vërtetën historike për luftën e UÇK-së.
“Ky është një vendim i rëndë për katër njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës dhe që sot vazhdojnë të jenë larg familjeve të tyre. Ky aktgjykim nuk e ndryshon të vërtetën historike për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkroi Kasami, duke shtuar se pret që Apeli ta rishqyrtojë dhe ta rrëzojë vendimin.
Kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, tha se UÇK-ja, sipas tij, ka zhvilluar “një luftë të pastër, mbrojtëse dhe të drejtë për liri, pavarësi dhe dinjitet”.
“Historia e lavdishme e popullit tonë nuk mund të tjetërsohet, as të njolloset me vendime që i shërbejnë padrejtësisë e jo të vërtetës. Beteja për historinë e vërtetë dhe për drejtësi meriton dhe duhet të vazhdojë deri në fitoren e saj. Jo dënimit të UÇK-së në emrin tonë!”, shkroi Mexhiti.
Kryetari i “Lidhjes Shqiptare”, Ziadin Sela, tha se ish-krerët e UÇK-së “mbrojtën jetën” dhe se sakrifica e tyre, sipas tij, ishte për “jetën, lirinë dhe shtetin e lirë të Kosovës”.
“Sot kur drejtësia dështoi, si në shumë raste nga e kaluara jonë e hidhur si popull, me pafuqinë e një populli të vogël në numër e me madhështinë e pashoq në guxim, dinjitet, njerëzi e mbijetesë, mllefin (me të drejtë), ta shndërrojmë në gjykim!”, shkroi Sela.
Ai bëri thirrje për qetësi dhe durim, duke theksuar se, sipas tij, “fjala e fundit akoma s’është thënë”.
Reagim pati edhe nga Ali Ahmeti. Ai tha se disa fakte duhet të kujtohen “sa herë që dikush përpiqet ta paraqesë UÇK-në si ndërmarrje kriminale”.
Ahmeti shprehu bindjen se gjetjet për të cilat katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë do të kundërshtohen në procesin e apelit.
“Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund”, shkroi Ahmeti në rrjetet sociale.
Hashim Thaçi dhe Jakup krasniqi u shpallën fajtor për disa vepra dhe u dënuan me nga 25 vjet burg. Ndërkohë Kadri Veseli u dënua me 18 bjet burgim. Nga ana tjetër, Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burg, ku për të katër llogaritet edhe koha e kaluar ne paraburgim deri tani. Gjykata i shpalli të pafajshëm për disa vepra të tjera.