Garancitë ndërkombëtare të sigurisë

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se SHBA-të po i kuptojnë më mirë rrënjët e krizës. “Po shohim një mirëkuptim më të qartë nga qeveria amerikane se rrënjët e krizës duhet të adresohen, në vend që të përsëriten sllogane për një armëpushim të menjëhershëm, ndërsa Ukraina po vazhdon të furnizohet me armë…”. Nga deklaratat e fundit të zyrtarëve rusë, mund të shohim se ata po luajnë lojëra të zgjuara me Perëndimin dhe po ndjekin të njëjtat modele të politikave të pas Luftës së Ftohtë, madje edhe të Luftës së Ftohtë, për të cilat presidenti Riçard Nixon paralajmëroi në vitet e 60-ta dhe 70-ta në lidhje me mosbesimin që amerikanët duhet të kenë ndaj rusëve.

Në këtë drejtim, dokumentet e sapo deklasifikuara nga samiti i parë presidencial i Vlladimir Putinit me zyrtarët amerikanë, zbulojnë disa nga raportet e mëparshme mbi qasjen e presidentit Putin, të cilat përfshinë lajka, shaka për sportin, leksione historie, etj. Sipas dokumenteve të publikuara të enjten nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së në Uashington, ekziston një paralele e qartë midis samitit të Alaskës të javës së kaluar dhe samitit të Moskës 25 vjet më parë. Sjelljet, kërkesat dhe premtimet ruse, sipas dokumenteve, jehojnë edhe sot, nga takimi i javës së kaluar midis presidentit Putin dhe presidentit Tramp. “Qasja agresive e Putinit ndaj luftës çeçene në atë kohë dhe preferenca e tij për forcën mbi negociatat padyshim tregojnë ngjashmëri me qëndrimin e tij aktual ndaj Ukrainës dhe përfundimit të luftës”.

Kërkesat ruse për një vijë ndarëse, garanci sigurie të neutralitetit dhe pushtimin e territoreve ukrainase, dëshmojnë për veprime dhe një botëkuptim të pandryshueshëm rus ndaj Perëndimit. Vazhdimi i të njëjtit kurs nga Rusia mund të mos sjell paqe dhe stabilitet afatgjatë thonë disa vëzhgues. Prandaj, garancitë e sigurisë të kërkuara nga Kievi dhe udhëheqësit evropianë kanë një bazë, që ju referohen përvojës së keqe me rusët në dy shekujt e fundit.

Që atëherë, dhe aktualisht nga bisedimet aktuale të SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës me udhëheqësit evropianë, tregojnë se kur bëhet fjalë për garancitë e sigurisë, është shumë e vështirë të gjesh një zgjidhje të përsosur, e cila, në veçanti, përfshin shtete të mëdha me ushtri të forta që do të garantojnë paqen midis dy shteteve që ende nuk besojnë në një marrëveshje të përhershme. Deklasifikimi i ri i informacionit nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare, nënvizon se edhe marrëveshja e vitit 1994 për çarmatimin bërthamor të Ukrainës, e cila supozohej të siguronte sovranitetin e Ukrainës nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Rusia, mund të mos jetë e vlefshme në një kohë tjetër dhe në rrethana të ndryshme. Ashtu siç ka qenë gjatë tre viteve të luftës në Ukrainë, një luftë që do të rrumbullakësohet me gjasa me vendosjen e trupave ushtarake evropiane dhe shkëmbime territoriale.

Kjo ka të ngjarë të përfundojë me vendosjen e trupave të huaja për të parandaluar luftën e mëtejshme dhe përpjekjet për të fituar sa më shumë territor si nga Rusia dhe Ukraina. Kur bëhet fjalë për garancitë ndërkombëtare të sigurisë për një shtet ose shtete që varen nga siguria e një fuqie më të madhe, zakonisht, historia na tregon më shumë rreth garancioneve të sigurisë. Për shembull, që nga kohërat e lashta të qytet-shteteve greke, persët, romakët dhe osmanët ofruan strategji të ndryshme sigurie “shteteve” që dëshironin siguri, ose i kishin vënë nën kontroll të plotë, ose ishin të detyruar të paguanin taksa të larta etj.

Në rastin e Ukrainës, garancitë e sigurisë janë mënyra më e mirë për të parandaluar luftën e mëtejshme dhe për të sjellë paqe për një kohë të gjatë. Garancitë që i ofron Perëndimi dhe të njëjtat që Rusia duhet t’i respektojë nuk duhet të jenë vetëm një fletë e bardhë letre. Në rastin aktual, në Ukrainë, shteteve evropiane do t’u kërkohet të jenë garantues të sovranitetit dhe integritetit territorial. Mënyra se si do të përcaktohen kufijtë për Ukrainën do të jetë një model për shtetet e tjera në të ardhmen. Dhe këtu na shkon mendja në Ballkan, ku edhe pse luftërat e tmerrshme pothuajse kanë mbaruar, modeli i SHBA-së, i shteteve evropiane së bashku me Rusinë do të luajë rol në të ardhmen.

Megjithatë, në artikujt tanë të mëparshëm, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, kemi theksuar nevojën për të menduar strategjikisht për të shmangur kurthet në të cilat shtetet ose udhëheqësit kanë tendencë të bien. Raportet e fundit të deklasifikuara tregojnë se presidenti rus Putin po përdor të njëjtat metoda dhe stil në trajtimin e kundërshtarëve dhe udhëheqësve të huaj. Në këtë kohë sfidash globale dhe rënies së Perëndimit në skenën ndërkombëtare, do të jetë e vështirë për shtetet kliente që kërkojnë garanci sigurie nga Perëndimi të ruajnë në mënyrë efektive integritetin dhe sovranitetin e tyre. Ata do të përballen me kushtet e lëshimeve për të mbijetuar.

Të njëjtat lëshime, bazuar në dinamikën aktuale, do të përballen edhe shtetet e Ballkanit, veçanërisht shtetet me çështje të hapura etnike dhe identiteti. Mund të tingëllojë e çuditshme, por ndërsa SHBA-të dhe shtetet evropiane lëvizin për të bërë marrëveshje për të mbrojtur shtetet e tjera, nuk mund të pritet edhe aq shumë prej tyre për sa i përket kohëzgjatjes së garancive. Duke promovuar stabilitetin përmes garancive të sigurisë, do të jetë thelbësore të përcaktohet se sa do të zgjasin garancitë ndërkombëtare pavarësisht vendosjes së mijëra ushtarëve në vijat e frontit në Ukrainë ose gjetkë në Evropë.

Bazuar në zhvillimet aktuale, garancitë e sigurisë nuk janë për një kohë të gjatë, por ato mund të jenë të dobishme për një kohë të caktuar, si në shekullin e 20-të në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Historikisht, në kohët e lashta, modelet e sigurisë kishin një kohëzgjatje. Kjo mund të ketë qenë për shkak të zhvillimit të qytetërimeve. Por, në ditët e sotme, në rastin qoftë të Ukrainës apo të shteteve të Ballkanit, ato mund të zgjasin për dekada ose më pak. Megjithatë, modelet e sigurisë dhe shumë më tepër varen nga faktorë të tjerë, të cilët kryesisht përfshijnë burrështetasit, sjelljet e tyre dhe, sigurisht, kapacitetet ushtarake, ekonomike dhe të tjera, të cilat do t’i diskutojmë në artikujt vijues.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi