35 vjet pavarësi, 5 vjet pa drejtësi

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Sot Maqedonia e Veriut feston 35 vjetorin e pavarësisë. Do të ketë fjalime, flamuj, koncerte, duartrokitje dhe mesazhe për shtetin, të ardhmen etj etj. Por për Tetovën, 8 Shtatori nuk është vetëm ditë feste. Është edhe dita kur, pesë vite më parë, një plagë u hap dhe ende nuk është mbyllur.

Më 8 Shtator 2021, vetëm pak minuta larg atmosferës festive të Ditës së Pavarësisë, 14 njerëz humbën jetën në zjarrin e Spitalit Modular. Pesë vite më vonë, familjet e tyre ende presin atë që shteti ua ka borxh, drejtësinë.

Pikërisht për këtë arsye, sot nuk duhet të flasim vetëm për sa vite ka shteti. Duhet të flasim se çfarë shteti kemi ndërtuar.

Shteti nuk matet vetëm me numrin e viteve që ka flamurin në OKB, me anëtarësimin në NATO, me ngecjen në rrugën drejt BE-së, me ceremonitë zyrtare apo me koncertet e organizuara për ‘qytetarët e privilegjuar’.

Shteti matet edhe me mënyrën se si sillet me 14 qytetarë që nuk janë më mes nesh. Me mënyrën se si ua shpjegon familjeve të tyre se kush duhet të përgjigjet. Me guximin për të hetuar kur ka dyshime për përgjegjësi institucionale. Dhe, mbi të gjitha që nuk e harron një tragjedi sapo konferencat për shtyp mbarojnë.

Pesë vite padrejtësi janë shumë. Janë pesë vite që familjarët presin përgjigje. Pesë vite që opinioni publik dëgjon se rasti po hetohet. Pesë vite në të cilat ndryshuan qeveri, ministra, drejtorë e prokurorë, por pyetja kryesore mbeti e njëjtë: kush mban përgjegjësi për zjarrin që mori 14 jetë?

Deri tani, përgjigjja e institucioneve është zhgënjyese. Një proces gjyqësor përfundoi me dënime për ish-drejtorët e Spitalit të Tetovës, por ai proces nuk ishte për shkaktimin e zjarrit dhe vdekjen e 14 personave. Ish-drejtorët u dënuan për mosvendosjen e pajisjeve kundër zjarrit. Kjo është përgjegjësi, por nuk është përgjigjja përfundimtare që familjarët dhe publiku kanë kërkuar.

Ndërkohë, hetimi për shkaqet dhe përgjegjësinë lidhur me zjarrin vazhdon të mbetet i mbështjellë me heshtje. Një tjetër hetim, ai për prokurimin dhe ndërtimin e spitaleve modulare, u mbyll pas pesë vitesh, pa përgjegjësi penale.

Pra, pesë vite më vonë kemi një tragjedi me 14 viktima, hetime të zvarritura, një rast të mbyllur dhe familjarë që ende nuk e kanë përgjigjen më të rëndësishme.

Kjo nuk është vetëm dështim i drejtësisë. Është dështim i shteti. Për familjet e 14 viktimave, çdo vit që kalon pa përgjigje është tjetër vit i jetuar me pyetjen nëse shteti e ka marrë seriozisht humbjen e të dashurve të tyre.

Dhe këtu qëndron paradoksi më i madh i 8 Shtatorit. Në të njëjtën ditë kur institucionet na kërkojnë të festojmë shtetin, një pjesë e këtij shteti ende nuk ka arritur t’u japë llogari qytetarëve të vet për 14 jetë të humbura.

Çfarë duhet të festojmë atëherë?

Nuk po them se nuk duhet të shënohet pavarësia. Pavarësia është moment historik dhe për shumë qytetarë ka vlerë të madhe. Por festimi nuk mund të jetë zëvendësim për përgjegjësinë. Koncertet nuk mund të mbulojnë heshtjen institucionale. Flamujt nuk mund të mbulojnë dosjet e mbyllura dhe të harruara nëpër sirtarë. Fjalimet nuk mund të japin përgjigje aty ku prokuroria ende hesht.

Kjo tragjedi nuk duhet të përdoret vetëm një herë në vit për të bërë homazhe. Ajo duhet të mbetet një pyetje e përditshme për institucionet: çfarë bëtë për drejtësinë dhe pse nuk e thirrët askënd në përgjegjësi për 14 jetët e humbura?

Dhe nëse sot duam të flasim për 35 vjet shtet, le të flasim edhe për këtë.

Sepse shteti i pavarur nuk është vetëm shtet që ka kufij, institucione dhe simbole. Është shtet që e mbron qytetarin, heton kur qytetari vdes për shkak të dështimit të sistemit dhe ndëshkon përgjegjësit, pa marrë parasysh sa të fuqishëm janë ata.

Në të kundërtën, pavarësia mbetet vetëm një datë në kalendar.

Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.

EditorialFisnik XheliliZjarri në Spitalin Modular Tetovë