Me 11 rekorde Guinness dhe me art që i shndërron gozhdët, kokrrat e kafesë, gjethet e gurët në mozaikë mahnitës, Saimir Strati vazhdon të kërkojë atë që ende nuk është bërë. Në Shkup, artisti shqiptar hapi ekspozitën “Mesazh në shishe”, por mesazhi i tij shkon përtej veprave të ekspozuara: arti i vërtetë nuk krijohet me porosi, artistët nuk duhet t’i prodhojnë partitë dhe asnjë inteligjencë artificiale nuk mund ta zëvendësojë ndjenjën njerëzore. Në intervistë për Portalb.mk, Strati foli për sfidën e krijimit, pozitën e artit shqiptar dhe rrugën e idesë, e cila, para se të mbërrijë te dora e artistit, duhet të kalojë përmes zemrës.
Portalb.mk: Jeni një nga artistët shqiptarë me më shumë rekorde Guinness. Çfarë ju shtyn ende të kërkoni sfida të reja dhe ta çoni artin tuaj përtej kufijve të zakonshëm?
Saimir Strati: Në fakt, ëndrra e çdo njeriu është që një ditë të bëhet pjesë e atij libri të famshëm botëror të rekordeve. Unë tashmë jam pjesë e tij 11 herë dhe, nga këto 11 rekorde, 8 janë kategori të reja, që do të thotë se nuk kanë ekzistuar kurrë më parë. Pikërisht kjo është ajo që më bën të veçantë në artin tim të mozaikëve. Gjithmonë përpiqem të kërkoj forma dhe materiale të reja, të eksploroj mundësi të reja dhe t’i përshtat ato me një subjekt të caktuar, në mënyrë që të krijoj diçka të jashtëzakonshme. Diçka që të jetë një çudi jo vetëm për shikuesit, por edhe për kritikët e artit.
Portalb.mk: E hapët në Shkup ekspoziten “Mesazh në shishe”, çfarë mesazhi dëshironi t’i përcillni publikut përmes kësaj ekspozite dhe pse zgjodhët pikërisht këtë titull?
Saimir Strati: Unë mendoj se çdo vepër arti është një mesazh që artisti dëshiron ta përcjellë dhe ta ndajë me publikun. Dikush e shpreh atë drejtpërdrejt, me zë të lartë, dhe nuk ka nevojë ta fusë mesazhin në një shishe. Dikush tjetër e përcjell përmes mjeteve elektronike dhe nuk ka nevojë domosdoshmërisht të krijojë një vepër arti. Ndërsa unë kam zgjedhur pikërisht mënyrën më tradicionale të përcjelljes së një mesazhi: ta vendos atë në një shishe. Sepse arti, në vetvete, është sakrificë, është devotshmëri dhe është një udhëtim i artistit drejt pafundësisë, drejt të padukshmes dhe të pamendueshmes.
Në rastin tim, kjo pafundësi është deti. Deti ka një horizont dhe gjithmonë ekziston një kureshtje njerëzore për të ditur se çfarë ndodhet përtej tij. Dhe pikërisht aty qëndron edhe kurioziteti i artistit: të zbulojë se çfarë fshihet përtej asaj që është bërë më parë nga artistët e tjerë në historinë e artit. Kjo është metafora e titullit. Nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me një shishe, qoftë ajo me verë apo me ndonjë lëndë tjetër. Shishja është vetëm simboli i një mesazhi që nis një udhëtim dhe që secili mund ta interpretojë në mënyrën e vet. Dhe doja që çdo vepër të lihej e hapur për publikun, që secili ta shikojë dhe ta përjetojë në mënyrën e vet: dikush përmes dhimbjes, dikush përmes gëzimit, e dikush tjetër përmes pritshmërisë dhe shpresës për të ardhmen.
Portalb.mk: Në veprat tuaja keni përdorur materiale të pazakonta, nga gozhdët e deri te kokrrat e kafesë. Si lind ideja për ta kthyer një send të zakonshëm në një vepër arti?
Saimir Strati: Tingujt ekzistojnë kudo në hapësirë, por kompozitori i mbledh, i përzgjedh dhe i vendos në pentagram për të krijuar muzikë. E njëjta gjë ndodh edhe me poetin. Shkronjat janë aty dhe mund t’i përdorë kushdo. Ajo që e bën të veçantë punën e poetit është mënyra se si ai i vendos ato në një rend të caktuar dhe, nga shkronja të zakonshme, krijon poezi.
Të njëjtën gjë bëj edhe unë me artin tim. Marr një material shumë të thjeshtë, që mund të jetë një gjethe, një gur natyral apo një material tjetër, dhe duke i vendosur ato në rendin e duhur, i shndërroj në një vepër arti.
Por vendosja e tyre në vendin e duhur nuk është aspak e thjeshtë. Ajo kërkon teknikë, precizion, përvojë dhe një sy artistik. Dhe kjo është pjesë e krijimtarisë së artistit, jo vetëm në artin tim, por në çdo formë të artit.
Nuk mund të bëhesh artist vetëm me një vepër. Mund të krijosh një vepër të jashtëzakonshme, që të mbetet në kujtesë, por për të ndërtuar një krijimtari të vërtetë duhet të kesh krijuar me qindra, ndoshta edhe me mijëra vepra. Sepse në fund të fundit, gjithçka është eksperiencë.
Sado talent të kesh, duhet punë e vazhdueshme për të arritur në atë pikë ku vepra jo vetëm të kënaqë shikuesin, por edhe të ketë mundësinë të hyjë në historinë e artit.
Historia e artit është mijëra vjeçare. Rrugët në dukje janë të shkelura dhe shumë gjëra janë bërë më parë, por gjithmonë ekzistojnë hapësira të reja për t’u zbuluar. Dhe pikërisht aty fillon sfida e artistit: të gjejë diçka të re aty ku të tjerët mendojnë se gjithçka është bërë.
Portalb.mk: Pas kaq shumë vitesh krijimtari dhe suksesesh ndërkombëtare, a mendoni se arti shqiptar ende nuk është vlerësuar sa duhet në skenën ndërkombëtare?
Saimir Strati: Kjo është një pyetje disi subjektive. Nuk mund ta jap unë një përgjigje përfundimtare, sepse për këtë duhet të përgjigjet dikush që është përgjegjës për politikat dhe vlerësimin institucional të artit. Por mund të jap ndjeshmërinë time. Mendoj se, para së gjithash, duhet ta shlyejmë njëherë e përgjithmonë idenë e inferioritetit, pra mendimin se atë që e bën bota, ne nuk mund ta bëjmë. Përkundrazi, duhet të kemi besim te potenciali dhe te talenti ynë. Më pas, edhe mënyra e vëmendjes institucionale dhe profesionale ndaj artistëve duhet të jetë në përputhje me vlerësimet që marrin ata në arenën ndërkombëtare.
Zakonisht, kur flasim për artin profesional, ata që bëjnë vlerësimet më të rëndësishme janë kuratorët dhe profesionistët që, ndonëse mund të shkruajnë pak, shkruajnë në mënyrë shumë më precize dhe të argumentuar. Një vepër arti nuk mund të porositet dhe të krijohet vetëm me para. Pra, sado që të paguash dikë për të bërë një vepër, ai nuk mund të bëhet artist nëse nuk ka talent dhe nëse nuk e ka atë prirje të veçantë krijuese. Pikërisht këtë mendoj se duhet ta kemi parasysh: të mos evidentohen dhe të mos promovohen njerëz vetëm sepse janë nxjerrë përpara nga një parti, nga një institucion apo nga një dashamirës i artit që mund të ketë interesa të ndryshme. Duhet të zgjedhim artistët dhe të evidentojmë ata që janë vërtet artistë, që kanë talent, punë dhe vlerë të dëshmuar artistike.
Portalb.mk: Mozaikët tuaj kërkojnë durim dhe mijëra detaje. Sa kohë dhe përkushtim fshihet pas një vepre të tillë dhe cili ka qenë projekti më sfidues për ju?
Saimir Strati: Zakonisht, çdo art, çdo sport dhe çdo profesion kërkon kohën e vet. Mozaiku kërkon pak më shumë kohë. Pse? Sepse është një vendosje, njëra pas tjetrës, e elementeve dhe ato duhet të jenë absolutisht në një harmoni të madhe. Kjo duhet të paramendohet paraprakisht, që do të thotë se duhet më shumë kohë për të menduar para se ta realizosh. Do të përmendja edhe një shprehje të famshme të Napoleon Bonapartit: “Mendova gjatë dhe veprova shpejt”.
Portalb.mk: Në një kohë kur gjithçka po bëhet më digjitale dhe inteligjenca artificiale po hyn edhe në art, a besoni se një ditë teknologjia mund ta zëvendësojë dorën dhe shpirtin e artistit?
Saimir Strati: Ajo që ne sot e quajmë inteligjencë artificiale, në njëfarë mënyre, ka filluar që me shpikjen e rrotës. Që para mijëra vitesh janë krijuar gjëra që edhe sot ne nuk arrijmë t’u japim një shpjegim të plotë, siç janë piramidat. Artistët bëjnë çudira dhe njerëzit e mëdhenj bëjnë çudira. A është piramida ideja e një artisti? Po, sigurisht. Është ideja e arkitektit, ndërsa arkitekti është edhe artist. Dhe duhet të themi se nuk ka asnjë inteligjencë, sado super apo hiper-artificiale të jetë, që mund ta arrijë ndjenjën e njeriut. Sepse rruga nga ideja që lind në tru deri te dora duhet patjetër të kalojë përmes zemrës.