Brenda veprës së poetit dhe shkrimtarit të shquar, Azem Shkreli, (1938-1997), gjejmë plagë, paradokse dhe rreziqe për shoqërinë kosovare, që janë të pranishme edhe sot. Ndër veprat ku mund të gjejmë thënie me karakter profetik është edhe ”Zoti nuk është shqiptar” , ku, mes tjerash, ai flet edhe për të ardhmen e Kosovës, pas çlirimit nga kthetrat serbe.
Ai e njihte filozofinë e politikanëve shqiptarë që postet i shfrytëzojnë për interesa e privilegje personale, dhe jo për formimin dhe afirmimin e qenies dhe subjektit kombëtar, me gjithë limitet dhe hilet e politikës së tjetrit. Kjo e vërtetë ia bënte më të qarta historitë e trishta shqiptare, të vërtetën e hidhur se një pjesë e jona kanë qenë dem baba dem kleçkat dhe shkaqet e fatkeqësive të pësuara, me vetëdije apo pa të.
Në këtë kontekst, Azem Shkreli përmend: mungesën e prirjes për të mësuar nga pësimet, mosdijen, bredhjen para ngjarjeve, pasjen më shumë besim te të tjerët sesa te vetja, vonesat kronike nëpër kohë, teket e huqet që e bëjnë anën e zymtë të imazhit tonë, i cili, megjithatë nuk është aq folklorisht epik dhe i bukur sa na pëlqen ta pandehim.
Në vitet kur Kosova mbeti me dhunë nën okupimin e ri të Jugosllavisë së reduktuar, Azemi qe kundër profkave serbe, me të cilat tentohej njëfarë restaurimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve. Ai ishte kundër të drejtave të “dhuruara” e të dozuara nga të tjerët dhe besonte se vetëm vullneti i popullit, i cili përcakton në mënyrë të pavarur formën e organizimit shtetëror është ai që mund ta zgjidhë përfundimisht çështjen e Kosovës. Zgjidhjet e tjera i aspiron vetëm një numër simbolik shqiptarësh, në mesin e të cilëve sigurisht ka edhe të tillë që mjaftohen me gjendjen e okupimit poshtërues serb.
Katandisjen e gjithanshme të qenies shqiptare, poeti ia faturonte sidomos mungesës së unitetit brendashqiptar. Për këtë ai thoshte:
“Nuk janë të pashkak shqetësimi dhe zhurma rreth unitetit. Është ngushëllim naiv bindja se të tjerët nuk e dinë se s’kemi mjaft unitet. Ata e dinë këtë dhe na njohin si paranë e kuqe. Prandaj e shfrytëzojnë mosunitetin tonë si instrument dhe armë kundër nesh.“
Natyrisht, kur fliste për unitetin, Azemi nuk e kishte për unitetin e shpallur nëpër tubime spektakolare e patetike, por për unitetin e ndërtuar në vetëdijen e njerëzve, që arrihet me shumë mundim, durim, tolerancë dhe kulturë komunikimi. Sipas bindjes së tij, një unitet të tillë e arrijnë ndërtuesit, jo proklamatorët.
Përkundër të gjitha problemeve me të cilat po përballej Kosova e paraluftës, ai ishte i sigurt se ajo një ditë do të çlirohet nga kthetrat e kuçedrës serbe. E dinte se Kosovën e lirë do ta kemi të tillë çfarë do ta meritojmë, se ajo do të jetë jona për aq sa shqiptarët do të jenë në gjendje ta ndërtojnë me mendjet dhe me duart e tyre. Kjo, thoshte poeti, është ABC-ja e parë dhe më e madhe, të cilën nuk e mësuam dhe nuk po e mësojmë ende ne shqiptarët…
Sa profetike tingëllojnë fjalët për situatën në të cilën do të katandisej Kosova 27 vjet pas çlirimit dhe 18 vjet pas shpalljes së saj si shtet i pavarur.
Pikërisht duke e pasur parasyshë këtë papjekuri dhe këtë mosnxënie nga pësimet, po e mbyll shkrimin me shqetësimin që Azem Shkrelit ia shprehu dikur një plak i urtë: “Eu, po si na poqën e s’u poqëm?!”
Si thoni? Mos duhet këtë pyetje të dhimbshme të poetit t’ia bëjmë vetes?
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.