Tërmeti sistemik

Ahmet Davutoglu, një personalitet ku pikëtakohen prominenca akademike me përvojën e politikës së lartë, me disa vepra të tij – Vetëperceptimet e qytetërimeve” (2002), “Kriza globale” (2005),”Transformimi qytetërimor dhe bota muslimane” (2009), Thellësia strategjike” (2010) e Qytete dhe qytetërime” (2016) – është shndërruar në emër të mirënjohur për kulturën shkencore dhe më të gjerë shqiptare. Këtë radhë ai vjen ndër ne me Tërmeti sistemik dhe rendi botëror: populizmi përjashtues kundër demokracisë përfshirëse” (Logos-A, 2026) që sipas John L. Esposito analizon çrregullimin e sodit global, kurse sipas Celso Amorim,  psikologjinë e arrogancës që buron nga një status i privilegjuar që e nxori diplomacinë racionale nga udha.

Për Fred Dallmayr-in Tërmeti sistemik” është një vepër që vë nën llupë “kohën e kaosit dhe konfuzionit politik ekstrem” dhe të zhvendosjeve të thella dhe të fuqishme në fushën e gjeopolitikës, sigurisë nacionale, ekonomisë dhe kohezionit civil. Ky studim përbën një analizë të thellë të anarkisë së botës moderne dhe të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare të ndikuara  ndjeshëm nga proceset e tërmetit sistemik dhe lufta për rendin botëror, nga globalizimi, demokratizimi, si dhe tendenca e ndryshimit të funksioneve dhe ekuilibrit të fuqisë të shteteve. (Aleksanyan & Arsenyan, 2023)

Në këtë libër eksperti me nam i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë shtron tezën për nevojën e kalimit nga unilateralizmi në një paradigmë qeverisjeje gjithëpërfshirëse dhe më të plotë. E gjitha me një qëllim: krijimi i një rendi më human e të qëndrueshëm. Kjo në veçanti vjen në shprehje në një momentum historik kur skena globale po përjeton një tronditje të paparë në histori, gjenocidin dhe heshtje-aprovimin e politikës zyrtare internacionale para tentimit për zhdukje masive të një populli të tërë në Lindjen e Mesme, palestinezëve. Është kjo periudha kur lakorja e krizës ka arritur pikën ku aktorët e sistemit politik global kanë humbur çdo kapacitet për krizëmenaxhim apo zgjidhje krizash. Apokalipsi “Gaza 2023-25” është simbolikë e viteve kur rrjedhës së historisë nuk ia përcaktojnë më drejtimin faktorët ndërkombëtarë, por vetë natyra e spirales së krizës.

Sipas autorit, i mbiquajtur “Kissinger-i turk” (Traub, 2011), nga tri qasjet: optimizmi utopik, pesimizmi nihilist dhe optimizmi realist, e treta është më e përshtatshme për të shpëtuar nga kriza shumëpërmasore. Njerëzimi ose do të rizbulojë të ardhmen e përbashkët, ose do të bjerë në humnerën e një periudhe shumë herë më shkatërrimtare se Lufta e Dytë Botërore. Në këtë drejtim Davutoğlu ofron një vizion të ri, një paradigmë të re të rendit global: qeverisja inkluzive planetare, që mund të arrihet përmes një terapie-shoku për sistemin ndërkombëtar. Ai qysh para disa viteve ka kumtuar nevojën për një plan veprimi  drejt një rendi rajonal në Lindjen e Mesme që do t’i mundësonte frymëmarrje më të lehtë rendit universal.

Ky libër vjen si një sihariq dhe mesazh në një kohë kur “vendet e qytetëruara” s’kanë më çfarë t’iu ofrojnë vendeve “të prapambetura”, ngase vetëdijshëm s’i mbrojnë vlerat e promovuara ndër shekuj të filozofisë politike dhe politikbëries pacifiste-idealiste. Pra, bota ka nevojë për një arkitekturë të re strategjike globale. Kjo ngase fati i përbashkët i njerëzimit kërkon siguri të përbashkët, mirëqenie e paqe për të gjithë, që mund të realizohen vetëm përmes ekuilibrit “liri-siguri dhe drejtësi”. Fitoreshpalljet e njëanshme çojnë në askundnajë. Vetëm bashkëpunimi kreativ i mikro dhe makro entiteteve mbi një platformë mirëkuptuese ndaj tjetrit mund ta shpëtojnë botën nga skëterra në horizont!

Ky libër me ligjëratë dhe terminologji të pasur profesionale e zgjeron literaturën e degës së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të shkencave sociale në gjuhën tonë dhe ofron një instrument relevant për të kuptuar dhe interpretuar dinamikat-politikat rajonale dhe ato botërore të shek. XXI.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.
Ali PajazitiKolumnat e Portalbit