Forcimi i sigurisë: Pakti Kroaci – Shqipëri – Kosovë

Shqipëria, Kroacia dhe Kosova kanë nënshkruar një pakt mbrojtës që ka zemëruar serbët. Javën e kaluar, zyrtarët e tre shteteve theksuan rëndësinë e paktit për përmirësimin e situatës së sigurisë në rajon, marrëdhënie të mira në mes vendeve dhe një të ardhme në institucionet perëndimore. Dokumenti u zyrtarizua nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ministri i mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq dhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci. Deklarata sipas tyre hap rrugën për bashkëpunim të zgjeruar në mbrojtje, partneritet në industrinë ushtarake, stërvitje të përbashkëta etj. Ministri Anushiq theksoi rëndësinë e përshtatjes me realitetet e reja gjeopolitike duke forcuar aleancat ekzistuese.

“Ne i njohim rreziqet e sigurisë në Evropën Juglindore, veçanërisht në kontekstin e Ukrainës”. “Kjo nismë bazohet në 35 vitet tona të pavarësisë dhe përvojën tonë si anëtare e NATO-s dhe BE-së,” tha ai. Ai theksoi gjithashtu miqësinë e kahershme ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke nënvizuar se bashkëpunimi i tyre bazohet në interesa të ndërsjella dhe një përkushtim të përbashkët për stabilitetin rajonal. Sipas tij Deklarata është e hapur për anëtarësimin e partnerëve të tjerë të NATO-s dhe BE-së.

Ky zhvillim strategjik, pasqyron aleancën e ngushtë midis tre kombeve, të lidhur nga historia, sakrificat e përbashkëta për liri dhe një vizion të përbashkët për një të ardhme të sigurt. “Ne ndajmë një vlerësim të përbashkët të kërcënimeve në një mjedis gjithnjë e më të brishtë sigurie. Në këtë kontekst, angazhimi ynë për të zhvilluar aftësitë tona mbrojtëse është më i fortë se kurrë” -tha ministri Pirro Vengu.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se ky memorandum nuk kërcënon askënd, por është mesazh për të gjithë ata që guxojnë të rrezikojnë sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. “Kjo është një Deklaratë që hap rrugën për një bashkëpunim shumë më të madh midis vendeve tona. Qëllimi i këtij bashkëpunimi nuk është të kërcënojë askënd, por të dërgojë një mesazh për të gjithë ata që guxojnë të rrezikojnë sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Serbisë njoftoi se do t’i dërgojë një kërkesë urgjente Shqipërisë dhe Kroacisë, duke kërkuar sqarime për një marrëveshje bashkëpunimi trepalësh të mbrojtjes me Kosovën. Për sa i përket aleancave ushtarake, qeveritë rajonale priren të jenë në pozicione rivale në të cilat forca ushtarake shihet si një komponent për të ndryshuar balancën ushtarake. Aktualisht Serbia me kinezët dhe rusët, dhe nga ana tjetër me Perëndimin ka arritur të modernizojë forcat e armatosura. Për këtë arsye, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë shumë për të kaluar Serbinë në shpenzimet e mbrojtjes dhe modernizimin ushtarak. Për shkak se Kosova ka mundësi të kufizuara në këtë aleancë, barra i shkon Shqipërisë dhe Kroacisë. Sipas të dhënave më të fundit për vitin 2023, shpenzimet ushtarake të Serbisë u raportuan afërsisht 2.136 miliardë dollarë.

“Trading Economics”, vuri në dukje një rritje në 2135.80 million dollarë në vitin 2023 nga 1723.50 milion dollarë në vitin 2022. Historikisht, buxheti i Serbisë ka pasur rritje të konsiderueshme. Për shembull, buxheti u rrit nga 1.14 miliardë dollarë në vitin 2019 në 1.43 miliardë dollarë në vitin 2022, duke reflektuar një prirje të rritjes së investimeve ushtarake. Buxheti ushtarak i Kroacisë është rritur vitet e fundit, duke reflektuar angazhimin e Zagrebit për modernizimin e forcave të të armatosura dhe përmbushjen e detyrimeve të NATO-s. Në vitin 2023, shpenzimet ushtarake të Kroacisë u raportuan në rreth 1,439 miliardë dollarë nga 1,282 miliardë dollarë në vitin 2022.
Konkretisht për vitin 2025, burimet tregojnë se qeveria kroate ka propozuar një buxhet të mbrojtjes prej rreth 1.176 miliardë euro (afërsisht 1.24 miliardë dollarë).

Në vitin 2023, shpenzimet ushtarake të Shqipërisë u raportuan në afërsisht 397.6 milionë dollarë. Sipas “Trading Economics”, një rritje e konsiderueshme nga 228.7 milionë dollarë në 2022. Për vitin 2025, parashikimet sugjerojnë rritje të vazhdueshme, me vlerësime që tregojnë për një buxhet të mbrojtjes prej rreth 512.8 milionë dollarë prej rreth 7.9% rritje vjetore. Buxheti ushtarak i Kosovës ka pasur rritje të konsiderueshme viteve të fundit, ndërsa qeveria punon për të transformuar “Forcën e Sigurisë së Kosovës” (FSK) në një ushtri profesionale. Bazuar në të dhënat e disponueshme, në vitin 2023, buxheti ushtarak arriti 208 milion dollarë. Në vitin 2024, buxheti i miratuar për FSK-në ishte 143 milionë dollarë.

Nga këndvështrimi historik, marrëdhëniet shqiptaro-kroate morën formë gjatë shekujve 19-20, duke sjellë dinamika të reja në Ballkan pas rënies së Perandorisë Osmane dhe Austro-Hungarisë. Në përgjithësi, aleanca aktuale ka një bazë të mirë, sepse në dy shekujt e fundit, marrëdhëniet shqiptaro-kroate kanë qenë më pak një rivalitet i drejtpërdrejtë dhe më shumë një përvojë si kombe që lundrojnë në forca më të mëdha gjeopolitike. Ndërveprimet e tyre pasqyrojnë kompleksitetin më të gjerë të historisë së Ballkanit të shënuar nga bashkëpunimi, dhe aspiratat e përbashkëta të shteteve për pavarësi dhe njohje.

Historikisht Shqipëria, Kosova dhe Kroacia kanë pasur një marrëdhënie të shkëlqyer në kohë të mira dhe të këqija. Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtarë të NATO-s në vitin 2009. Megjithatë, aleanca apo nënshkrimi i paktit ushtarak mund të ketë ndikim në përshpejtimin e qëndrimit të serbëve për tu shkëputur nga Bosnja dhe Hercegovina me mbështetës Serbinë dhe Rusinë. Në lidhje me raportin e treshes ushtarake me Maqedoninë e Veriut, duhet parë se si do të reflektohet në të ardhmen, për shkak të marrëdhënieve të ngushta të qeverisë së re në Shkup me Beogradin. Pasi SHBA po përpiqet të ulë ndikimin dhe sigurinë në Evropë, do të ishte e dobishme për aleancën të integronte Bullgarinë, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë historisë. Rajoni është parë gjithmonë si një pistë e shpenzimeve ushtarake e cila është përdorur për qëllime të ndryshme. Pakti ushtarak në mes tre shteteve, duhet të marrë një rol konkret në këtë kohë dhe pas kur do të përcaktohen kufijtë e rinj në Ukrainë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi