Filloi ndërtimi i interkonektorit gazsjellës me Greqinë

Ka nisur ndërtimi i ndërlidhësit të gazit prej 66.7 kilometrash me Greqinë nga Gjevgjelia në Negotinë, me një kapacitet fillestar prej 1.5 miliardë metrash kub në vit, transmeton Portalb.mk. 

“Ky nuk është vetëm një investim në tuba dhe beton, por një kontribut tjetër i rëndësishëm për pavarësinë dhe stabilitetin energjetik të vendit, për zhvillimin e tij të përgjithshëm ekonomik dhe për të ardhmen e tij të begatë. Përmes realizimit të këtij projekti, si dhe lidhjeve të njoftuara me sistemet e tubacioneve të gazit të fqinjëve tanë të tjerë, po bëhemi një udhëkryq i rëndësishëm energjetik, gjë e cila pres që do të sjellë përfitime konkrete për të gjithë rajonin, dhe mbi të gjitha për qytetarët dhe ekonominë vendore”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, në ngjarjen ku u shënua fillimi i punimeve. 

Interkonektori gazsjellës do të sjellë burime të reja të gazit natyror, furnizim të qëndrueshëm për industrinë dhe amvisëritë, çmime më të ulëta për qytetarët, konkurrencë më të madhe për kompanitë dhe një porosi të fuqishme – më në fund po bëhemi pjesë e rrjetit energjetik evropian.

“Vlera totale e projektit është rreth 3.7 miliardë denarë, ose 60 milionë euro. Me mbështetjen e këtij projekti nga Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Bashkimi Evropian, ne po tregojmë se mund të bëjmë shumë më tepër”, tha Mickoski. 

Kujtojmë se, ndërtimi i interkonektorit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë kishte ngecur në përzgjedhjen e realizuesit që do e ndërtojë atë. Më 7 maj, 2025 në ambientet e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, u nënshkrua solemnisht marrëveshja për ndërtimin e pjesës së Maqedonisë të interkonektorit të gazsjellësit Maqedonia e Veriut – Greqia.

Hristijan Mickoski HristianQeveria e Maqedonisë së Veriut