Fadil Pushkolli, ish-anëtar i UÇK-së, u ndalua dje në “Bllacë” dhe u lirua pas marrjes në pyetje

Fadil Pashkolli, pronar i agjencisë kosovare të lajmeve KosovaPost dhe ish-pjesëtar i UÇK-së, mbrëmë është ndaluar në pikën kufitare “Bllacë” me urdhër dhe fletarrestim të lëshuar nga Serbia, transmeton Portalb.mk.

Për ndalimin në kufi përmes një postimi në Facebook ka njoftuar vetë Pashkolli, i cili kërkoi nga institucionet e Kosovës që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zgjidhjen e këtij rasti dhe mbrojtjen e të drejtave të tij. Pak më vonë, ai njoftoi se ishte liruar.

Pashkolli, në postimin e mbrëmjes, falënderoi policinë e Maqedonisë së Veriut dhe veçanërisht shqiptarët në radhët e saj.

“Pas një interviste dhe marrjes në pyetje, jam liruar nga Policia e Maqedonisë së Veriut. Dua ta falënderoj Policinë e Maqedonisë së Veriut, në veçanti pjesëtarët e policisë shqiptare, për korrektësinë, respektin dhe sjelljen e mirë gjatë gjithë procedurës“, shkroi ai.
Policia e Maqedonisë së VeriutUshtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)