Evropa fillon aty ku ligji zbatohet

Në Maqedoninë e Veriut prej vitesh flasim për integrimin evropian sikur të ishte një rrugë që dikush tjetër duhet të na e hapë. Flasim për datat, për vetot, për kushtet, për amendamentet kushtetuese, për konferencat ndërqeveritare, për sinjalet nga Brukseli dhe për deklaratat diplomatike. Por shumë më pak flasim për pyetjen më të rëndësishme: a është shteti ynë realisht i gatshëm të sillet si shtet evropian në jetën e përditshme të qytetarëve?

Sepse integrimi evropian nuk fillon në Bruksel. Ai fillon në sportelin e një institucioni publik. Fillon në një gjykatë ku vendimi merret me arsyetim të qartë dhe jo me ndikim politik. Fillon në një prokurori që nuk mat guximin sipas emrit të të dyshuarit. Fillon në një administratë që nuk e zbaton ligjin vetëm kur i konvenon. Fillon aty ku qytetari nuk ka nevojë të kërkojë lidhje, presion publik ose ndërhyrje politike për të fituar atë që ligji tashmë ia garanton.

Kjo është arsyeja pse sundimi i së drejtës nuk është vetëm një kapitull negociues. Nuk është vetëm një term teknik që përsëritet në raportet e Komisionit Evropian. Është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi i qytetarit te shteti. Kur sundimi i së drejtës funksionon, pushteti e di se ka kufij. Kur nuk funksionon, qytetari e humb jo vetëm shpresën, por edhe sigurinë juridike.

Në këtë drejtim, raporti i fundit i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut nuk na tha diçka që nuk e dimë. Ai vetëm e tha edhe një herë, me gjuhë diplomatike, atë që qytetarët e ndiejnë çdo ditë: se vendi ka ngecur. Ka mungesë progresi në sundimin e së drejtës, në reformën gjyqësore dhe në luftën kundër korrupsionit. Ka nevojë për përkushtim të ri politik dhe për bashkëpunim ndërpartiak. Ka nevojë që reformat të mos përdoren si parulla, por të trajtohen si detyrime konkrete shtetërore.

Problemi ynë nuk është se nuk dimë të shkruajmë strategji. Përkundrazi, kemi pasur shumë strategji, plane veprimi, dokumente reformuese, prioritete evropiane, rekomandime ndërkombëtare dhe zotime politike. Problemi është se shumë prej tyre kanë mbetur në gjysmë të rrugës. Shpesh kemi reforma pa pronar të qartë, masa pa afat të matshëm, institucione pa përgjegjësi të përcaktuar dhe raportime që tregojnë aktivitet, por jo domosdoshmërisht rezultat.

Një reformë serioze nuk mund të matet vetëm me faktin se është miratuar një dokument. Ajo duhet të ketë institucion përgjegjës, afat, indikatorë, buxhet, monitorim publik dhe pasoja nëse nuk zbatohet. Përndryshe, reforma mbetet vetëm një fjali e bukur në një raport. Dhe qytetari nuk jeton në raport. Qytetari jeton me pasojat e moszbatimit të atij raporti.

Kjo është sidomos e dukshme në fushën e drejtësisë. Prej vitesh flitet për pavarësi gjyqësore, por qytetarët ende pyesin pse disa raste lëvizin shpejt e disa të tjera humben në heshtje. Flitet për luftë kundër korrupsionit, por qytetarët ende shohin shumë pak përgjegjësi konkrete. Flitet për transparencë, por shpesh vendimet e rëndësishme merren larg syrit të publikut. Flitet për meritokraci, por besimi se sistemi shpërblen më të mirët mbetet i brishtë.

Sundimi i së drejtës nuk kërkon vetëm ligje të mira. Kërkon institucione që kanë guxim t’i zbatojnë ato. Kërkon procedura të qarta, vendime të arsyetuara, llogaridhënie dhe transparencë. Kërkon që qytetari të mund ta kuptojë kush është përgjegjës për një reformë, pse është vonuar ajo, çfarë pengesash ka dhe çfarë do të bëhet për t’i tejkaluar ato. Pa këtë, edhe reforma më e mirë tingëllon si premtim i përsëritur.

Në këtë logjikë duhet parë edhe çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, përfshirë provimin e jurisprudencës. Nuk është e nevojshme që kjo temë të reduktohet në debat partiak apo etnik. Përkundrazi, ajo është shembull shumë konkret i pyetjes themelore: a i zbaton shteti në praktikë të drejtat që i njeh në ligj dhe në marrëveshjet mbi të cilat është ndërtuar vetë stabiliteti i tij demokratik? Kur Parlamenti Evropian kërkon që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt dhe që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet jo vetëm në ligj, por edhe në frymën e saj, atëherë mesazhi është i qartë: të drejtat nuk janë dekor institucional. Ato janë test i seriozitetit evropian të shtetit.

Kjo vlen për çdo reformë. Për të drejtat gjuhësore. Për drejtësinë. Për anti-korrupsionin. Për administratën publike. Për transparencën. Për qasjen në informacion. Për arsimin. Për çdo fushë ku qytetari përballet me shtetin dhe pret që shteti të jetë i drejtë, i qartë dhe i përgjegjshëm.

Maqedonia e Veriut nuk mund ta ndërtojë të ardhmen evropiane vetëm duke pritur që të zgjidhen pengesat e jashtme. Sigurisht, ato ekzistojnë dhe nuk duhet të minimizohen. Por po aq e vërtetë është se edhe kur dera evropiane hapet, vendi duhet të jetë i përgatitur të ecë. Dhe përgatitja nuk bëhet me konferenca shtypi. Bëhet me institucione funksionale.

Sepse Evropa nuk është vetëm destinacion gjeopolitik. Është mënyrë e funksionimit të shtetit. Është kulturë institucionale. Është bindja se ligji vlen për të gjithë, se pushteti kontrollohet, se qytetari respektohet dhe se e drejta zbatohet pa zhurmë, pa lutje dhe pa protesta.

Nëse këtë nuk e kuptojmë, do të vazhdojmë të mbetemi në pritje: me raporte që na kritikojnë, me partnerë që na inkurajojnë, me qytetarë që lodhen dhe me gjenerata të reja që e shohin Evropën si vend ku duhet të shkojnë, jo si standard që mund të ndërtohet këtu.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Besa ArifiKolumbia