Nëse dikush dëshiron ta kontrollojë listën e licencave të revokuara nga kompanitë e ndërtimit, të cilën Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e publikoi menjëherë pas tragjedisë në Koçan në ekran do të mund të shohë vetëm mesazhin “error 404”, që të tregon se një faqe e caktuar nuk ekziston më. Ky ishte një nga informacionet më të shpërndara kur u shfaq tetë muaj më parë, por që tani nuk është më në uebfaqen e ministrisë, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Nuk do të ketë më shumë sukses as tentativa për t’i gjetur njoftimet dhe vendimet që kanë të bëjnë me kredinë për sistemin e Bus – Rapid Transit (BRT) për Shkupin, proces ky i udhëhequr nga Ministria e Financave.
Një pjesë e madhe e arkivave të ministrive u zhdukën pas zbatimit të projektit për unifikimin e uebfaqeve të tyre. Edhe pse sipas kontratës ato duhej të ishin gati në fillim të muajit nëntor, procesi po vonon.
Në ndërkohë edhe në informacionet zyrtare që janë të vjetra disa muaj ose vite do mund të qaseni vetëm nga burime indirekte, siç janë mediat që e kanë transmetuar atë, nëse edhe ato i kanë ruajtur ato.
Praktika ka treguar se mediat digjitale humbasin një pjesë të madhe të arkivave të tyre gjatë ridizajnimit të uebfaqeve, ndërsa situata nuk është më e mirë as me gazetat dhe stacionet televizive. Nuk ka arkiva digjitale të gazetave që dikur ishin më të shiturat, si Utrinski Vesnik, Dnevnik dhe Vest, as nga stacioni televiziv që dikur ishte më i shikuari – A1, ndërsa tek mediat e tjera rrallë herë mund të gjenden arkiva digjitale më të vjetra se ato nga viti 2011.
Është problem edhe që të gjesh botime të shtypura që ruhen në Bibliotekën Kombëtare, ku mungojnë botime të tëra, ndërsa jo rrallë herë edhe faqe të tëra ose pjesë faqesh nga botimet e vjetra të ruajtura.
Ngadalë po shkon edhe digjitalizimi i arkivit të Radiotelevizionit të Maqedonisë, për të cilën nevojiten mjete të cilat shteti e ka të vështirësi që t’i sigurojë.
Dhe kështu, në një vend që sfidohet vazhdimisht për të kaluarën dhe identitetin e tij, po zhduken dëshmitë e historisë më të fundit të Maqedonisë, gjë që lë hapësirë të gjerë për interpretimin e saj arbitrar, varësisht nga ajo se interesat e kujt po mbrohen.
Për këtë arsye rritet rëndësia e ruajtjes së arkivave digjitale në uebfaqet zyrtare, ku mund të shihet se çfarë është thënë, vendosur ose premtuar në të kaluarën.
Kjo nuk do të thotë që informacionet janë fshirë. Ato ekzistojnë në institucione dhe mund të sigurohen në mënyra të ndryshme, për shembull përmes kërkesës për qasje të lirë në informacion me karakter publik. Por duke mos e pasur atë në arkivat online, qasja në të është dukshëm më e vështirë për çdo qytetar, studiues, aktivist, gazetar, avokat, analist ose këdo tjetër që mund të ketë nevojë për të.
Tani ato janë të fshehura, sepse për të kërkuar një informacion duhet të dihet emri ose numri i tij i saktë, ndërsa nëse është në arkivin online të institucionit në mund të sigurohet qasje duke e kërkuar. Kjo gjë e zvogëlon ndjeshëm transparencën.
Tenderë, vonesa dhe detyrime të parealizuara
Ky problem nuk është diçka e re sepse pjesë të arkivave u zhdukën me ridizajnimet e mëparshme të uebfaqeve qeveritare, të cilat i bëri kushdo që pati mundësinë gjatë dy dekadave të fundit. Nga kompanitë e angazhuara në tendera, përmes bashkëpunëtorëve të jashtëm, deri te punonjësit e vetë ministrive, rezultati ishin faqe jofunksionale që shpesh binin dhe arkiva të fshira.
Procesi i unifikimit të të gjitha uebfaqeve qeveritare tani koordinohet nga Ministria e Transformimit Digjital (MTD), si një lloj pasardhëse e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MShIA), e cila e filloi këtë punë pesë vjet më parë.
Në vitin 2021 në një tender u zgjodh kompania “Nextsense“, e cila duhej ta zbatonte këtë projekt brenda një viti për një shumë prej 160 mijë euro. Viti kaloi, por sipas të dhënave nga Byroja e Prokurimeve Publike, u përmbushën vetëm 70 përqind e detyrimeve në kontratë.
Procesi rifilloi vitin e kaluar kur qeveria e re e ringjalli idenë e vjetër, sipas të cilës duhej të ridizajnoheshin uebfaqet qeveritare dhe të përmirësohej shikueshmëria dhe siguria e tyre. U shpall tender i ri dhe u zgjodh një kompani e re, “Unlimited Coders”, e cila do ta fillojë përsëri procesin, duke përdorur dizajnet e bëra tashmë.
Në kontratë kërkohej që gjithçka të përfundonte brenda nëntë muajsh, me një fokus të veçantë në migrimin e arkivave nga uebfaqet ekzistuese.
Uebfaqja e re për Ministrinë e Transformimit Digjital u publikua e para, kështu që sipas zgjidhjes së unifikuar uebfaqja e re tani përmban kryesisht njoftime nga viti aktual, por në fund ka një buton “arkiv”, i cili duhet të lidhet me uebfaqen e vjetër. Problemi është se linqet në të nuk funksionojnë, kështu që praktikisht nuk ka arkiv. Në vend që të hapen lajme dhe njoftime më të vjetra, çdo klikim rezulton me një mesazh se nuk mund të realizohet qasje në arkivat e uebfaqes.
Probleme të ngjashme ekzistojnë edhe me uebfaqet e tjera që ndërkohë kanë qenë në funksion, me përjashtim të atyre për ministritë e sapokrijuara, ku nuk ka fare pjesë për arkiva. I tillë është rasti me Ministrinë e Sportit, e cila i ka marrë përsipër shumicën e aktiviteteve dhe punonjësve të Agjencisë për Rini dhe Sport, e cila u shfuqizua pak kohë më parë, por jo edhe arkivin digjital. Uebfaqja e saj tani është joaktive, ndërsa bashkë me të janë fshirë shumë konkurse, dokumente, lajme dhe foto rreth arritjeve të deritanishme të sportistëve nga Maqedonia.
Sipas përgjigjeve që BIRN i mori nga Ministria e Transformimit Digjital i gjithë procesi i unifikimit të uebfaqeve qeveritare duhej të përfundonte në fillim të këtij muaji, me uebfaqen e re të Qeverisë. Uebfaqja ka ekzistuar që nga fillimi i mijëvjeçarit të ri, por janë fshirë postimet nga dekada e parë.
“Ne kemi një arkiv nga viti 2011 dhe ai është tashmë është bashkangjitur në uebfaqe”, ishte shpjegimi i shkurtër nga zëdhënësja e qeverisë Marija Miteva.
Postimi më i vjetër në vlada.mk është nga data 1 gusht e vitit 2011 nga vendosja e gurthemelit të një salle sporti në Petrovec, në të cilën mori pjesë kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski. Teksti ekziston, por foto nuk ka.
Neglizhencë, joprofesionalizëm dhe sulme kibernetike
Nga Ministria e Transformimit Digjital, e cila e koordinon procesin e unifikimit, nuk ka një përgjigje konkrete për pyetjen se pse po humbasin arkivat e këtyre faqeve. Ata thonë se zgjidhja ofron mundësinë e dy llojeve të ngarkimit të arkivave, ose si një ish-faqe, ose përmes transferimit të të dhënave, postimeve dhe njoftimeve. Për detaje ata thonë që tu drejtohemi vetë ministrive.
“Përzgjedhja e informacionit që migron dhe që duhet të ruhet bëhet nga ministritë, secila për vete në koordinim me operatorin ekonomik”, thonë nga atje.
Në bisedat që BIRN i realizoi me zëdhënësit e disa ministrive, morëm shpjegime të ndryshme për arkivat e humbura, nga puna joprofesionale në të kaluarën deri te pasojat e sulmeve kibernetike. Disa prej tyre u arsyetuan duke thënë se janë ende në proces të migrimit të të dhënave, edhe pse uebfaqet e tyre të reja kanë qenë aktive tashmë disa muaj.
Në Ministrinë e Kulturës butoni “arkiv” u instalua zyrtarisht ditën kur u dërguam pyetje se pse nuk kishte një të tillë në uebfaqen e tyre. Por linqet brenda pjesës së arkivit nuk janë funksionale.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme na bindnin se i gjithë arkivi ishte i vendosur, ndërsa pas këmbënguljes sonë për të kontrolluar pse disa nga linqet për buletinet e vjetra ditore nuk hapen më ata na njoftuan se do ta zgjidhnin këtë problem. Bisedën e realizuam disa javë më parë, por situata nuk ka ndryshuar. Në kontratën me “Unlimited Coders” thuhet qartë se gabimet e raportuara duhet të hiqen brenda maksimum katër ditësh pune.
Ndërkohë që unifikimi i uebfaqeve të institucioneve qendrore po zhvillohet me probleme dhe në mënyrë të paplotë, Ministria e Transformimit Digjital tashmë ka filluar një proces të ri, këtë herë në nivel lokal. Plani është që vitin e ardhshëm të unifikohen uebfaqet e komunave në RMV.
Ndryshe, në fillim të nëntorit Portalb.mk raportoi se në ueb-faqen e re të qeverisë, nuk gjenden të dhëna për qeveritë e kaluara, mungonte arkivi dhe se procesverbalet nuk ishin për të gjitha seancat sidomos në gjuhën shqipe, ndërsa publikimet ishin të përqendruara vetëm në aktivitetet aktuale.