E Majta: Krahas 17 këshilltarëve, tani Ministria e Kulturës kërkon edhe një tjetër, ekskluzivisht me diplomë ekonomie

Partia opozitare E Majta ka reaguar në lidhje me konkursin e fundit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Në reagimin e partisë thuhet se, Ministria e Kulturës dhe Turizmit, në mes të sezonit veror, ka shpallur konkurs për punësimin e dy këshilltarëve të posaçëm në kabinetin e ministrit – një këshilltar për çështje juridike dhe një këshilltar për kulturë. Afati për aplikim është vetëm tre ditë, transmeton Portalb.mk.

Sipas partisë opozitare, Ministria tashmë ka 17 këshilltarë shtetërorë, që përbëjnë rangun më të lartë në administratë, ndërsa tani ka nevojë edhe për këshilltarë shtesë kabineti, me pagë bazë neto prej 60.000 denarësh.

“Për këshilltarin për çështje juridike kërkohet vetëm një vit përvojë pune, ndërsa për ‘këshilltarin për kulturë’ nuk kërkohet arsimim në fushën e kulturës, artit apo menaxhimit kulturor, por diplomë ekonomie, konkretisht në fushën e marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare.

Kandidatët duhet që brenda vetëm tre ditësh të sigurojnë dhe të dorëzojnë dokumentet në origjinal ose kopje të noterizuara, ndërsa përzgjedhja më pas mund të zgjasë 45, 90 ose 120 ditë”, vë në dukje E Majta.

Sipas tyre, qytetarët kanë vetëm tre ditë për të aplikuar, ndërsa Ministria ka deri në katër muaj për ta “zgjedhur” kandidatin.

“Me të drejtë shtrohet pyetja pse afati për aplikim është vetëm tre ditë dhe pse këto konkurse publikohen vazhdimisht gjatë periudhës së pushimeve verore dhe kolektive, kur një pjesë e madhe e kandidatëve potencialë ndodhen jashtë vendeve të tyre të punës dhe institucioneve.

Veçanërisht simptomatike është që për ‘këshilltarin për kulturë’ nuk kërkohet asnjë kualifikim profesional nga fusha e kulturës. Krijohet përshtypja se konkursi nuk është publikuar për të gjetur kandidatin më të kualifikuar, por për të përmbushur formalisht një vendim kadrovik tashmë të përcaktuar”, thotë Levica.

Nga partia pyesin se çfarë saktësisht do të këshillojë një ekonomist i marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare në kabinetin e ministrit të Kulturës – për politikat kulturore, muzetë, teatrot, muzikën, artin bashkëkohor, botimet?

“Osе ndoshta titulli ‘këshilltar për kulturë’ është vetëm një formalitet, ndërsa profili profesional i kandidatit është përcaktuar paraprakisht?

Kur Ministria tashmë ka një ‘ushtri’ prej 17 këshilltarësh shtetërorë, E Majta pyet: çfarë saktësisht do të këshillojnë këshilltarët e rinj? Pse këshilltarët ekzistues nuk janë të mjaftueshëm dhe çfarë bëjnë në të vërtetë ata?

Sipas partisë, ky është edhe një shembull i mënyrës se si pushteti i trajton institucionet shtetërore si qendra kadrovike partiake.

Ministria e Kulturës thotë se shpallja për angazhimin e këshilltarëve të posaçëm në Kabinetin e ministrit Sedat Sulejmani është publikuar plotësisht në përputhje me procedurat ligjore. 

“Në përputhje me nenin 22, paragrafi 1, pika 6 të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, në kabinetet e ministrave mund të angazhohen këshilltarë të posaçëm, mandati i të cilëve zgjat deri në përfundimin e mandatit të ministrit. Kjo mundësi ligjore është shfrytëzuar edhe nga ministrat e mëparshëm dhe paraqet një mekanizëm të rregullt të paraparë për sigurimin e mbështetjes profesionale në punën e kabineteve. Shpallja është publikuar pas marrjes së pëlqimit nga Ministria e Financave, ndërsa afati për aplikim është përcaktuar në përputhje me procedurën ligjore dhe nuk është caktuar në mënyrë arbitrare nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, thuhet në njoftimin e ministrisë. 

Nga atje sqarojnë se duhet bërë dallim i qartë ndërmjet këshilltarëve shtetërorë në Ministri dhe këshilltarëve të posaçëm në Kabinetin e ministrit, pasi, sipas tyre, bëhet fjalë për dy kategori të ndryshme, me bazë të ndryshme juridike, status dhe detyrime të ndryshme të punës. 

E Majta – Levica partiaKeqpërdorim i pozitës zyrtareKonkurs ShpalljeMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)