“Përderisa ju i mbërtheni fëmijët tuaj pas ekraneve, ata që i prodhojnë këto ekrane vazhdojnë t’i lidhin fëmijët e tyre pas librave!”
Guillaume Erner
Fëmijë të vegjël që nuk fusin gjë në gojë pa e pasur celularin dhe “youtube kids” para vetes, që kërcejnë me këngë si “Sonte ylli i mbrëmjes na e ka ditëlindjen”; të rinj që nuk mund të thonë me saktësi – ngase as vetë nuk e dinë – sa orë në ditë lundrojnë në rrjetet sociale; studentë e mësimdhënës të ndërthurur ngushtë me teknologjinë, nga ChatGPT, Gemini e deri te Claude, të cilat rrezikojnë ta relativizojnë, madje edhe ta çkuptimësojnë akademizmin (The Economist: “AI often makes writing worse”/”IA zakonisht e bën shkrimin më të keq”). Është kjo koha kur kemi familje të ndara brenda të njëjtit kulm, secili në dhomë të veçantë, anëtarë që nuk i bashkon më as darka; pleq që e kanë lënë gazetën tradicionale dhe e “vrasin kohën” e pensionit duke marrë informacione nga bota digjitale, madje edhe duke ndjekur TikTok-un.
La Fabrique du Crétin Digital (2019), që mund të përtkhehet si “Fabrika e budallenjve digjitalë”, është vepra e Michel Desmurget, drejtor kërkimor në Institutin e Shkencave Kognitive të Lionit, me të cilën u njohëm tërthorazi përmes njërit prej leximeve tona të kohëve të fundit. “We’re All Digital Idiots” (Të gjithë jemi idiotë digjitalë) titullohej shkrimi që trajton një nga patologjitë e kohës sonë: varësinë nga rrjetet, teknologjia informatike dhe FOMO-n (fear of missing out), frikën se mos na shpëton ndonjë informacion ose se mos përjashtohemi, qoftë edhe përkohësisht, nga një grup që po zhvillon një diskutim.
Sipas raportimeve globale mbi zakonet digjitale, si DataReportal – Digital Global Overview, koha mesatare që një person kalon online në pajisje të ndryshme (telefon, kompjuter, tablet) është rreth 6 orë e 40 minuta në ditë. Kjo kohë ndahet kryesisht ndërmjet rrjeteve sociale (rreth 2 orë e 20 minuta), shikimit të videove dhe përmbajtjeve streaming (YouTube, Netflix, televizion online – rreth 1 orë e 30 minuta), dëgjimit të muzikës dhe podkasteve (rreth 1 orë), si dhe lundrimit në internet, leximit të lajmeve e punës. Të rinjtë e Gjeneratës Z, të moshës 16–24 vjeç, kalojnë mesatarisht mbi 7–8 orë në ditë në botën digjitale, ku telefoni inteligjent (smartphone) zë më shumë se 60% të kësaj kohe. Një analist maqedonas, në Kanal 77, para disa ditëve bëri një pyetje shumë interesante: “Nëse telefonat janë smart, të mençur, a do të thotë kjo se ne jemi mendjetrashëve, kokëboshë, torollakë?”
Të dhënat e vitit 2026 tregojnë se mbi 40% e fëmijëve zotërojnë ose përdorin rregullisht një tablet personal që në moshën dyvjeçare. Fëmijët e shkollës fillore dhe paraadoleshentët e moshës 8–12 vjeç kalojnë rreth 5–5,5 orë në ditë para ekraneve, pa përfshirë përdorimin për detyrat shkollore. YouTube, platformat si Roblox dhe Minecraft, si dhe videot e shkurtra, përbëjnë pjesën më të madhe të këtij konsumi. Mbi 50% e adoleshentëve raportojnë se kalojnë më shumë se katër orë në ditë vetëm në rrjetet sociale, ndërsa afërsisht 45–50% e tyre shprehen se janë online “pothuajse vazhdimisht”. Tregimet, përrallat, lojërat me top, me kukulla, bile edhe puzzle dhe legot, janë bërë demode.
Kjo mbingopje me ekrane dhe botën virtuale nuk i përmirëson aspak aftësitë e fëmijëve tanë, as tonat. Sipas Desmurget, përkundrazi, ajo sjell pasoja të rënda për shëndetin (obezitet, zhvillim kardiovaskular, shkurtim të jetëgjatësisë etj.), për sjelljen (agresivitet, depresion, veprime të rrezikshme etj.) dhe për aftësitë intelektuale (zhvillimin e gjuhës, përqendrimin, kujtesën etj.). Çdo sekondë para ekranit e përthan gjuhën, fuqinë imagjinative dhe kapacitetin mendimor. Të gjitha këto pasoja ndikojnë ndjeshëm në suksesin shkollor të të rinjve. PISA testet janë ndër treguesit më të qartë për kontekstin tonë – shqiptar – arsimor. (vazhdon)
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.