Dike, Hybris dhe Nemesis janë figura mitologjike që simbolizojnë drejtësinë, arrogancën, baraspeshën dhe ndëshkimin.
Dike simbolizon drejtësinë dhe rendin moral. Hybrisi simbolizon arrogancën, teprinë, dhunën dhe shkeljet e kufijve moralë. Nemesis simbolizon ndëshkimin e të pushtuarve nga Hybrisi, baraspeshën dhe rivendosjen e drejtësisë.
Tema e drejtësisë, e arrogancës dhe e ndëshkimit shtjellohet në shumë vepra të antikitetit. Nëpërmjet tyre përcillen kumtet se drejtësia mbron rendin e paqen në shoqëri dhe në botë; se krimet nuk harrohen; se pas çdo krimi mbetet gjurmë; se drejtësisë nuk i shpëtojmë nëpërmjet pasurisë apo pushtetit; se njerëzit mësojnë nga ndëshkimi.
Eskili, që mendonte se drejtësia s’mund t’u takonte dy palëve kundërshtare, te tragjedia “Prometeu i lidhur” paraqet Zeusin e pushtuar nga Hybrisi, që çon në vuajtjen e Prometeut dhe të njerëzimit.
Oresti te trilogjia “Orestia” lufton kundër Hybrisit familjar dhe pasi beson se hakmarrja është e pashmangshme kundër shkeljes morale, bëhet mëmëvrasës: vret Klitemnestrën, që e ka vrarë Agamemnonin, atin e tij. Thuhet se po të mos ishte kjo vepër, mbase s’do të shkruhej as Hamleti i Shekspirit.
Antigona te tragjedia e Sofokliut dënohet për një akt që moralisht është i drejtë. Duke u bazuar në ligjin moral, ajo e varros vëllanë, por akti i saj bie ndesh me ligjin shtetëror. Hybrisi, që e ka pushtuar Kreonin, çon në tragjedi.
Nëse e kontekstualizojmë të sipërpërmendurën, arrijmë në përfundimin se në shoqëritë tona kemi Diken dhe Nemesisin e korruptuar dhe Hybrisin e pakontrolluar.
Një shoqëri shkon drejt humnerës kur pakica e papërfillshme i beson sistemit të drejtësisë, pra Dikes.
Aty ku ka “më të barabartë se të barabartët”, siç shkroi Oruelli, njerëzit dënohen pa shkak, ashtu si Jozef K. te “Procesi” i Kafkës. Në sisteme të tilla, duhet të kesh frikë nëse nuk ke bërë shkelje ligjore, tha një poet.
Një vend s’mund të zhvillohet kur Dike shpërndan favore. Ai zhvillohet kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë nënshtetasit; kur s’ka elita të privilegjuara dhe nënshtetas që ndëshkohen pa shkak vetëm për ta mbushur arkën e zbrazët të shtetit.
Nga mitologjia marrim kumtin: shteti dhe shoqëria mund të kenë mbrothësi vetëm kur aty ka drejtësi.
Në shoqëritë tona, elitat politike demonstrojnë Hybris dhe e prishin “rendin moral”. Kjo manifestohet me moszhvillim ekonomik, emigrim të të rinjve dhe tensione ndëretnike. Pra, dënimin e paguajnë qytetarët indiferentë ndaj Hybrisit që i ka pushtuar autoritetet publike.
Dike triumfon aty ku ka transparencë dhe ndjenjë për jetën e përbashkët, pra për pronën publike.
Pa drejtësi s’ka zhvillim. Politikanët i referohen Dikes kur janë në opozitë, por mbërthehen nga Hybrisi kur ngjiten në Olimpin e pushtetit.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.