Bllokadat e pikave kufitare në vend dhe rajon vazhdojnë edhe sot në ditën e tretë, si pjesë e protestës së transportuesve me kamionë nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina. Protesta është kundër zbatimit të sistemit EES për qëndrimin në zonën Shengen dhe rregullit 90/180 ditë, i cili, sipas tyre, po e paralizon punën e tyre, transmeton Portalb.mk.
Pavarësisht bllokimit të qarkullimit të mallrave në pikat kufitare drejt zonës Shengen, i cili sipas paralajmërimeve do të zgjasë të paktën shtatë ditë, qarkullimi i udhëtarëve vijon të zhvillohet pa pengesa.
Transportuesit vlerësojnë se sistemi EES i diskriminon ata në raport me transportuesit nga BE-ja dhe kërkojnë status të veçantë, duke mos u trajtuar si turistë gjatë hyrjes në bllok.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve i RMV-së ka deklaruar se vendosja e sistemit EES për transportuesit duhet të shtyhet dhe e për këtë kanë alarmuar në BE, por që nuk hasin mirëkuptim.
Nga Brukseli kanë thënë se e ndjekin me vëmendje situatën dhe se po punojnë për zgjidhje.