Disa persona u thirrën për intervistë zyrtare dje në lidhje me incidentin në ndeshjen Maqedoni-Rumani të zhvilluar të shtunën, gjatë së cilës u regjistruan thirrje nacionaliste dhe ksenofobie, njoftoi sot Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Kumanovë, transmeton Portalb.mk.
“Pas analizave të kryera në koordinim me Prokurorin Publik, do të merren masa specifike ligjore kundër personave të përfshirë, përfshirë edhe ndjekje penale”, thuhet në njoftimin e SPB Kumanovë.
Ata shtuan se policia e Kumanovës po merr masa për të sqaruar plotësisht rastin.
Më herët dje, Prokuroria Publike e Kumanovës informoi se po vepronte në lidhje me thirrjet nacionaliste në ndeshjen e basketbollit midis Maqedonisë dhe Rumanisë. Ata njoftuan se kishin lëshuar disa urdhra për SPB Kumanovë, përfshirë një urdhër për të siguruar pamjet e kamerave të mbikëqyrjes për të identifikuar autorët.
Për ngjarjen në fjalë sot reagoi përsëri BDI, nga ku thonë se kjo ngjarje nuk ishte vetëm një incident sportiv, por se ishte një shfaqje e tmerrshme e urrejtjes etnike, e toleruar nga krerët më të lartë shtetërorë që ishin të pranishëm në sallë: kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministri i punëve të brendshme Panço Toshkovski, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq dhe të tjerë.
“Në vend që të dëgjonim brohorima mbështetëse për sport dhe bashkëjetesë, dëgjuam thirrje të tmerrshme si: “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma e gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”. Këto janë parulla që rikujtojnë kapitujt më të errët të historisë evropiane dhe që nuk mund të relativizohen, as të justifikohen si “çështje tifozësh”, e as të mbulohen me deklarata hipokrite për “unitet”, e as me gjoja hetime objektive që në fund përfundojnë me shpërblime, si rasti i policit që hudhi në tokë flamurin kombëtar në Kumanovë për 28 Nëntor”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Ata kërkojnë kërkojn dorëheqje të menjëhershme të Astrit Isenit, zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe të Safije Sadiki Shainit, zëvendësministre për Sport, për mosprevenimin, mosreagimin, “paaftësinë dhe heshtjen përballë një sulmi të rëndë ndaj dinjitetit të qytetarëve shqiptarë dhe bashkëjetesës ndëretnike”.
Reagimit të BDI-së i parapriu një reagim nga VLEN-i, i cili ishte përgjigje e akuzave të djeshme nga BDI-ja. Në vend se të japin përgjegjësi, nga VLEN lëshuan akuza ndaj BDI-së dhe pyetën se kur do të përgjigjet për Monstrën, Almirin, Lagjen e Trimave e Car Dushanin.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai nga ana tjetër në Facebook shktoi se “për herë të parë, të gjitha institucionet e shtetit nga Kryeministri, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës VLEN, Komuna e Kumanovës dhe FBMV, kanë dënuar qartë dhe pa ekuivok gjuhën e urrejtjes dhe sjelljen raciste në ngjarje sportive”.
“Sa herë më parë pushteti ka folur kaq qartë e zëshëm kundër ksenofobisë në sport? Asnjëherë”, shkruan Fetai, duke akuzuar se prokurorë, gjyqtarë dhe funksionarë të së kaluarës heshtnin për interesa politike dhe financiare.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se dënon thirrjet nacionaliste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve gjatë një ndeshjeje të zhvilluar në Kumanovë.
Në Maqedoni të Veriut, në fundjavë, gjatë ndeshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në basketboll u dëgjuan thirrje sikurse “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.
Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin edhe kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq dhe ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski.
Mickoski gjatë një prononcimi për media më 4 gusht tha se edhe pse ishte i pranishëm në sallë, nuk i “vura re” tifozët që brohoritën këto thirrje, pasi tha se “fjalë për një grup të vogël njerëzish”.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë [së Veriut] dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha Mickoski.
Ai tha se thirrjet kundër shqiptarëve “do të jetë objekt hetimi dhe sanksionesh, pa marrë parasysh nga vjen”. Prokuroria maaqedonase ka nisur hetimet për këtë ngjarje.
“Dua të përsëris edhe një herë: e dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk hasën në mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë”, tha ai.
Kurse ministri i Sportit, Borko Ristovski, tha se kjo ministri nuk mund të reagojë konkretisht ndaj kësaj ngjarjeje, “sepse nuk vjen nga ndonjë subjekt sportiv – vjen nga tifozë në tribunë – dhe nuk kemi asnjë kompetencë për të reaguar kur bëhet fjalë për tifozët”.
“Megjithatë, le ta shfrytëzoj këtë rast për të bërë një apel: në Maqedoni nuk ka nevojë për brohoritje të tilla, as nga njëra anë, as nga tjetra, nga askush, nga cilado anë që të vijë”.
Ai shtoi se “nga pozita e Ministrisë së Sportit, nuk mund të bëjmë gjë tjetër përveç se të ndihmojmë në identifikimin e tyre dhe të veprojmë në përputhje me ligjin”.
Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parasheh dënime për thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes në disa nene, ndërsa më i rëndësishmi është neni 319, i cili parashikon se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
- LEXO: Pas thirrjeve antishqiptare në Kumanovë, Mickoski dënoi “ksenofobinë dhe nacionalizmin”
- LEXO: Spiropali dënoi gjuhën e urrejtjes së tifozëve ndaj shqiptarëve: Kërkojë reagim publik të zyrtarëve më të lartë të RMV-së
- LEXO: Tifozët e Kumanovës me thirrje raciste e gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve në prani të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm