Dinozauri dhe ligjet

Shkrimtari Monterroso botoi shumë libra, por kujtohet për tregimin e shkurtër, me një fjali: “Kur u zgjua, dinozauri ishte ende aty”.

Tregimi i vlerësuar si “shembull i rrëfimit të përsosur”, është komentuar nga shkrimtarë të shquar, si: Mario Vargas Llosa, Fuentesi, Bolano etj.

David Lapadat-i, në një studim përmblodhi interpretimet e autorëve të shumtë për tregimin. Ata thanë se: [1] dinozauri është metaforë mbi historinë, traumën dhe të keqen e pazhdukshme; [2] është gjurmë që sfidon fshirjen dhe ndërlidh epokat; [3] paraqet ndërhyrjen e së kaluarës në të tashmen; [4] paraqet kufirin mes ëndrrës e realitetit dhe gjumit e vigjilencës; [5] shpreh shumëçka nëpërmjet mosveprimit; [6] është metaforë mbi shfaqjen e gjendjeve primordiale, duke i dhënë kështu karakter pasikanalitik; [7] është pjesa e egër jona që na pret sapo të zgjohemi; [8] është makth i zgjatur; [9] mund të jetë edhe strukturë autoritare që synon të formatojë vetëdijen dhe pavetëdijen e njerëzve etj.

Tregimi herë është quajtur fantastik, realist, politik, sureal e metafizik, por edhe “roman i përmbledhur në një fjali”.

Është thënë gjithashtu se tregimi kërkon domosdoshmërish bashkëpunimin me lexuesin dhe se është tekst i hapur ku secili gjen kuptim të ri…

Tregimet janë të bukura, sepse lindin pyetje dhe përgjigje të panumërta. Ky tregim na shtyn të mendojmë më thellë dhe ta komentojmë në shumë mënyra.

LIGJET. Ndryshe prej tregimeve, ligjet nuk shkruhen që të komentohen pafundësisht, por të zbatohen praktikisht.

Gjuha e ligjeve është e ftohtë dhe e qartë, edhe pse, në këtë ftohtësi, fshehet djalli. Se djalli, siç thuhet, fshehet në detaje. Kur ligjet shkruhen me gjuhë të paqartë, atëherë maskojnë një mashtrim.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut komentohet në mënyra të ndryshme, si të ishte tregim me fund të hapur. Dhe përderisa komentimet e një tregimi janë pasuri, komentimet e një ligji çojnë në mosmarrëveshje.

Shumë politikanë e ekspertë janë si dinozauri që është përherë në këtë vend të vogël ku mashtrimet janë të mëdha. Ata i interpretojnë ligjet dhe kushtetutën sipas terkut të tyre dhe i instrumentalizojnë për politikë ditore.

Gjuha shqipe u pengon atyre që thirren në shtetin unitar. Ky shtet, sipas tyre, duhet të ketë një gjuhë zyrtare dhe të jetë në shërbim të njërës palë e pjesërisht i “të tjerëve”. Ndërkaq, “të tjerët” duhet të mendojnë e të veprojnë sipas një skeme të paracaktuar. Kjo logjikë e polarizon shoqërinë, kurse pasojat janë afatgjata dhe të paparashikueshme.

Ka elita që luajnë në këtë kartë sepse duan t’i trajtojnë shqiptarët si emigrantë ose ardhacakë. Në këtë “mision” gjejnë përkrahje në masë, të cilës i premtuan se “do t’ua kthenin Maqedoninë”.

ZËRI I NDËRGJEGJES. Kësaj loje të rrezikshme i kundërvihen studentët, që janë zëri i arsyes, i ndërgjegjes, i sinqeritetit, i guximit, i ndryshimit të gjendjes së ngrirë.

Politikanët i kap ankthi nga ky zë. Ata e dinë se të rinjtë e lexojnë më mirë kohën në të cilën jetojnë; se janë këmbëngulës; nuk bëjnë kompromise meskine; s’e durojnë padrejtësinë, hipokrizinë, paaftësinë dhe servilitetin e elitave politike; nuk kanë vetëdije robi dhe ia bëjnë me dije çdo pushteti se ka gjëra me të cilat s’mund dhe s’duhet të bëhet politikë ditore.

Protestat japin sinjalin se një popull në amulli shpejt kalon në gjendje tjetër dhe merr përgjegjësi sapo shfaqet një forcë që i jep shpresë. Kjo forcë mund t’i defaktorizojë elitat politike që vegjetojnë në gjendje amullie. Pra, dinozaurët që janë përherë aty.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu