Në kujtim të poetit që hyri në letërsi pa tam-tame e bujë

Është gjë e bukur kur me një orë poetike apo me një akademi solemne përkujtohen krijuesit që nuk janë më fizikisht në mesin tonë. Është një ogur i mirë, një shenjë qytetarie, sepse boll kemi qenë viktima të inferioritetit kronik dhe të sindromit të “seftes”. As jeta, as letërsia nuk nis me ne, ndaj është mirë që po përkujtojmë pararendësit tanë, doajenët që trasuan udhën e krijimtarisë në kohëra shumë më të vështira se tani.

Kjo gjithsesi do të nxjerrë në pah emra krijuesish të njohur pak apo të panjohur fare, pa veprat e të cilëve nuk mund të jetë e plotë letërsia shqipe. Njëri prej tyre është poeti tetovar Murtezan Arifi (1950-2001) – autori i përmbledhjeve të arrira poetike “Lulet e acarit”, “Syri i zemrës” dhe “Barka yjore”, në kujtim të të cilit dua të them dy fjalë.

Murtezan Arifi qe i urtë si njeri, i vyeshëm si mësues, shembullor si shok, i shkëlqyeshëm si poet dhe publicist. Përgjatë jetës së ndërprerë para kohe, ai rrezatoi vlera dhe virtyte të larta që i shkojnë një krijuesi dhe intelektuali të mirëfilltë. Ata që kanë pasur fatin ta njohin e dinë se Murtezani është ndër të rrallët që erdhi në letërsi pa bujë, pa tam-tame të zhurmshme, pa rekomandime rojesh estetike, pa lavde boshe, pa mburojat që mëtojnë të ruajnë autoritetin inekzistent të krijuesve të patalentuar.

Në fakt, ai erdhi në skenën letrare ashtu siç vijnë shtergët e Kadaresë: si poet serioz, plot dhunti të Perëndisë, si artist që pati absorbuar dijen e duhur që kërkon krijimtaria, si altruist i vërtetë – i gatshëm të ndihmojë gjithanshëm krijuesit e brezit të ri. Gjithçka që arriti sa ishte gjallë e arriti me veprën poetike, pa ia bashkëngjitur asaj asnjë efekt jashtëletrar, me lirikat e tij të kulluara, të shpërblyera disa here gjatë viteve të 80-ta, nëpër konkurset letrare të revistave tona më në zë, si: “Jeta e Re”, “Fjala”, “Zëri i rinisë”…Vepra poetike e Murtezan Arifit është modeste nga ana sasiore, po e papërsëritshme dhe e arrirë për nga vlerat estetike. Fjalët më frekuentuese, notat më të bukura me të cilat i këndoi dashurisë, atdheut, fenomeneve shoqërore të një kohë-hapësire, historisë së dhimbshme, gjërave të brishta si: vesa, zana, vasha, ëndrra, ylberi, zogjtë, lulet, cicërimat, yjet…, të ngritura në simbole dhe të gjendura prore përballë acarit, korbave, gjarpërinjve, reve të zeza, ankthit, hijeve…, që në mënyrën më të drejtpërdrejtë sugjerojnë pjesën gri të jetës sonë…

Vepra e Murtezanit, që mund të konceptohet edhe si jetëshkrim lirik, është arenë betejash të vazhdueshme ndërmjet të bukurës dhe të shëmtuarës, dritës dhe errësirës, dashurisë dhe shtazërisë, luleve dhe acarit. Në vargjet e tij të gdhendura me sens filigranisti ndërthuren kohërat, ngjarjet, ndjesitë, gërshetohen bukuritë përrallore, ekstazat kozmike me stuhitë dhe egërsitë e absurditetit. Por, përkundër të gjithave, jeta e gjen shtegun e lëvizjes dhe ngadhënjen mbi kobet kanosëse. Poezia e tij, edhe kur është e zymtë, nuk është kurrë e pashpresë, edhe kur është e dhembshme, nuk bie në grackat e patetizmit.

Thënë me gjuhën e poetëve të famshëm Adonis dhe Martin Camajt tonë: Brigjet e poezisë së Murtezanit, që janë në përputhje të përsosur midis tensionit ritmik të fjalës dhe cilësisë shprehëse…, përbëjnë horizontin e hapur për të pambarueshmen, identitetin që krijohet ashtu si krijohet dashuria, në një harmoni të ngjashme me atë të valës së detit, që nuk mund të shihet dhe të njihet jashtë kontekstit të harmonisë me valët e tjera.

Poezitë e Murtezanit janë plot me figura të folklorit shqiptar – me heronj mitologjikë bëmash të mëdha, me copëza baladash e legjendash, nëpërmjet të cilave ndërlidh ngjarjet e së shkuarës me kohët aktuale. Në to mund të pikasim prurjet interesante prej poetësh të dëgjuar të letërsisë sonë dhe asaj botërore, veprat e të cilëve i shkriu me mjeshtëri brenda një krijimtarie origjinale me vija të qarta identitare.
Murtezani mori me vete shumë këngë të pakëndueme, gjë që ndihet në çdo varg të tij. E donte jetën dhe ishte i etur për të. Këtë e dëshmojnë më së miri poezitë e tij emblematike, njërën prej të cilave zgjodha ta sjell për lexuesit e mi nderuar, i vetëdijshëm se lejenjoftimi më i mirë për një krijues është vepra e tij.

NDËRTUESIT T KULMIT

Ëndërrojmë për një kulm
që t’u shkojë të gjitha stinëve.

Shikoni, mjeshtër,
mos të pikojë
në buzëqeshjen e foshnjës…

Mos shpejtoni me rrapëllima fjalësh
se s’ka kulm
që s’pikon brenga.
Po, po, s’ka kulm…

Ëndërrojmë për një kulm
ku mund të pikojë
vetëm dashuria.

Për një kulm të tillë,
mjeshtër,
s’është dëm dhe të ëndërrohet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit