Komuna e Preshevës në Serbi dhe Komuna e Likovës në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që sa më shpejtë të hapet pika kufitare Llojan – Miratoc e cila u premtohet me dekada. Derisa qytetarët e dy vendeve presin me vite, institucionet nuk e kanë me të ngutur hapjen e këtij kufiri. Ministria e Jashtme e RMV-së përgjegjësinë e hedh te Serbia, por ministri i Brendshëm po i RMV-së demantoi të njëjtën duke thënë se problem ka edhe në RMV, shkruan Portalb.mk.
Pika kufitare Llojan – Miratoc vazhdon të mbetet i mbyllur për kalim, pavarësisht se këto vendbanime i ndajnë vetëm rreth tre kilometra rrugë, qytetarët duhet të udhëtojnë rreth 30 kilometra larg përmes kufirit në Tabanoc. Pavarësisht thirrjeve të qytetarëve me vite të tëra, institucioneve përgjegjëse nuk ju “është bërë vonë”.
Likova dhe Presheva kërkojnë hapjen e kufirit
Për Portalb.mk dy komunat që ndajnë këtë kufi, Likova dhe Presheva kërkojnë që kufiri të hapet sa më parë.
Komuna e Likovës thotë se kanë memorandum bashkëpunimi me Komunën e Preshevës dhe në takimet që kanë pasur është theksuar nevoja për hapjen e këtij kufiri.
“Për qarkullim të lirë të njerëzve në komunikacion, siguri dhe qarkullim të mallrave. Komuna e Likovës disa herë ka bërë dhe kërkesë deri te Ministria e Punëve të Brendshme për hapjen e kësaj pike kufitare”, thanë nga Komuna e Likovës.
Andej kufirit, nga Komuna e Preshevës thonë se sa më parë duhet të tejkalohen barrierat e vendosura.
“Duhet angazhim më i madh nga faktorët ndërkombëtar dhe, presion nga organizatat që promovojnë lëvizjen e lirë dhe të drejtat e pakicave është thelbësor. Një bashkëpunim më intensiv mes qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesve lokal shqiptarë për zgjidhjen e kësaj çështjeje do të ndihmonte në minimizimin e ndikimit të politikave ndarëse dhe përmirësimin e kushteve të jetesës dhe lidhjeve në të dyja anët e kufirit”, thanë nga Komuna e Preshevës.
Nga atje thanë se për shumë qytetarë, ky vendkalim nuk përfaqëson vetëm një pikë-kalim të thjeshtë, por një portë që do të lehtësonte lidhjet e tyre familjare dhe sociale, të cilat janë ndarë për dekada.
Ministri i Punëve të Brendshme demanton Ministrinë e Jashtme
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut thotë se janë përcaktuar protokollet e përbashkëta për dinamikën dhe aktivitetet nevojshme që duhet të ndërmarrin nga të dyja palët dhe se problem qëndron te Serbia.
“Sipas dispozitave të Marrëveshjes, infrastruktura për pikën kufitare është paraparë të jetë në territorin serb, por për shkak të procedurave urbanistiko – kadastrale që janë në proces, pika kufitare nuk mund të hapet”, thanë nga MPJ.
Po ashtu nga MPJ theksuan se shërbimet kufitare të të dyja vendeve janë të gatshme të fillojnë menjëherë hapjen operative të pikës kufitare të përmendur, pasi të kalohet çështja e lartpërmendur.
Portalb.mk kërkoi detaje shtesë për këtë problem nga Ministria e Jashtme edhe pse na konfirmuan se do t’i shqyrtojnë pyetjet gazetareske, deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.
Nga ana tjetër, më 25 tetor 2024 ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në Klan Debat tha se problemi është te dy shtetet dhe jo vetëm te Serbia.
“Aty ka problem më të madh ka problem edhe nga ana jonë po edhe nga ana e Serbisë posaçërisht në pjesën e zgjidhjes së të gjitha procedurave juridike për vendosjen e pikës kufitare, procesi i eksproprijimit, pjesa infrastrukturore. Dëshira është nga të dy palët por nuk do të mund të them periudhën kohore të saktë se kur i njëjti do të vendoset në funksion. Kemi bisedime edhe në këtë temë”, tha Toshkovski.
“Premtime dhe pritje me dekada”
Në vitin 2015, banorët e fshatit Llojan kishin protestuar për hapjen e kufirit Llojan – Miratoc. Ata patën deklaruar se ambasadori i Serbisë, iu kishte premtuar se kur të bëhet asfaltimi i rrugës, do të hapet pika kufitare.
Në vitin 2019, u nënshkrua marrëveshja mes Sërbisë dhe Maqedonisë së Veriut, për hapjen e vendkalimit të përbashkët kufitar Llojan – Miratoc, nga ish Ministri i Punëve të Brendshme i RMV-së Oliver Spasovski, dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.
Gjatë vitit 2023, një nga temat kryesore mes takimit midis ish ministrit të Punëve të Jashtme të RMV-së Bujar Osmanit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq ishte përshpejtimi i procesit për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan -Miratoc.
Pika kufitare Llojan – Miratoc është premtuar vazhdimisht ndër vite para zgjedhjeve, por e njëjta mbetet ende e parealizuar.