Kompania kombëtare bullgare për infrastrukturë hekurudhore sot shpalli tender për projektimin dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore prej Gjushevës deri tek kufiri me Maqedoninë e Veriut në gjatësi prej 2,4 kilometrave, e vetmja pjesë që mungon nga Korridori 8 hekurudhor në territorin bullgar, si dhe për modernizimin e pjesës me gjatësi prej 17 kilometrave nga Perniku deri në Radomir, raporton MIA.
Sipas Ministrisë bullgare të Transportit, të dy projektet janë pjesë e rëndësishme të implementimit të Korridorit 8 në territorin bullgar, ndërsa me shpalljen e tenderëve, Bullgaria i përmbush detyrimet e saj për ndërtimin e plotë të një lidhjeje hekurudhore midis dy vendeve.
Afati për përfundimin e aktiviteteve është deri në fund të vitit 2028 për tërë seksionin.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë një hap më afër realizimit të projektit të përbashkët për ndërtimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar midis Gjueshevos dhe Deve Bair, si pjesë e përfundimit të segmentit lindor të Korridorit 8. Në një takim në Bruksel në muajin korrik, të dyja palët ranë dakord të finalizojnë tekstin e marrëveshjes ndërqeveritare deri në fund të korrikut, i cili do të përcaktojë aspektet teknike, financiare dhe operacionale të projektit.
Korridori 8, i cili lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, është pjesë e korridorit më të gjerë evropian të transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor dhe ka mbështetje të fortë nga Bashkimi Evropian.