Nga ruajtja e librave te ruajtja e kujtesës së një populli, kështu e sheh misionin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës drejtoresha e saj, Blerina Rogova Gaxha. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo foli për sfidat e rinovimit të ndërtesës dhe modernizimit të shërbimeve, për rritjen e numrit të faqeve të digjitalizuara nga një në katër milionë, si dhe për projektet që dokumentojnë dëmtimin e bibliotekave dhe masakrat gjatë luftës në Kosovë. Rogova Gaxha ndalet edhe te bashkëpunimi me bibliotekat në Maqedoninë e Veriut, qarkullimi i botimeve shqipe në rajon dhe anëtarësimi i Kosovës në rrjetin letrar TRADUKI. Për të, e ardhmja e bibliotekës lidhet edhe me një pyetje të thjeshtë: si t’u japim të rinjve arsye për ta dashur librin?
Portalb.mk: Si ka ndikuar përvoja juaj si poete, studiuese dhe gazetare në mënyrën se si e drejtoni Bibliotekën Kombëtare të Kosovës?
Blerina Rogova Gaxha: Përvoja e poetes, studiueses dhe përvoja ime në gazetari, mendoj se ka pasur dhe ka ndikim thelbësor në mënyrën se si e shoh dhe si e udhëheq Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Të tria këto, janë fusha humane, dhe të mësojnë që librin dhe fjalën e shkruar, letrat e bukura, t’i konceptosh si thesare ku fle memoria, ku fle mendimi kritik, ku fle krijimtaria dhe identiteti kulturor i një populli.
Si studiuese e letërsisë, Bibliotekën mbi të gjitha e konceptoj si institucion të dijes e të kujtesës. Si poete, e kam të njohur thellë rëndësinë që libri ka në formimin e ndjeshmërisë dhe imagjinatës njerëzore. Gazetaria ndërkaq, më ka mësuar të komunikoj drejt me publikun dhe t’i shoh institucionet edhe nga këndvështrimi i qytetarit, edhe atij të kritikut.
Në fund, përpiqem që përvojën time si studiuese letërsie, përvojën e poetes e të gazetares, t’i kthej në një mënyrë drejtimi që bashkon përkujdesjen ndaj të shkuarës me vizionin e të sotmes, traditë dhe inovacion, dhe hapësirë të dijes për e me publikun. Besoj fort se një Bibliotekë Kombëtare, sic është kjo jona, ka ditur t’i bëjë ballë kohës, t’i ruajë thesaret, dhe e jona është që këto thesare dhe ky vend qendror i librit e i dijes, t’i flasë kohës dhe të flasë me brezat që vijnë.
Portalb.mk: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet sot Biblioteka Kombëtare dhe cilat janë prioritetet kryesore gjatë mandatit tuaj?
Blerina Rogova Gaxha: Biblioteka Kombëtare është institucion me një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur, dhe është pikërisht madhësia e kësaj trashëgimie që sjell edhe përgjegjësi të mëdha. Sfidat janë të shumta: modernizimi i infrastrukturës, digjitalizimi, renovimi i ndërtesës, ruajtja e fondit, zhvillimi i teknologjisë, standardizimi i shërbimeve bibliotekare, por edhe fuqizimi profesional i stafit. Shtoja kësaj faktin se Biblioteka Kombëtare pos rolit institucional të ruajtes e mbrojtejes së trasjëgimisë së shkruar, ka dhe përgjegjësinë e organizimit të aktivitevete të ndryshme kulturore e letrare, dhe ne jemi përpjekur e po përpiqemi që këto aktivitete të rriten në numër dhe të afrojnë sa më pranë komunitetin akademik, kulturor e artistik.
Disa prej prioriteteve kryesore, në të cilat jam fokusuar në shërbimin tim, janë fillimisht projektet e konceptuara më parë, por të pa nisura e ta perealizuara të institucionit, sic ka qenë fillimisht funksionalizimi i Rrjetit Bibliotekar të Kosovës, nisuar vitin e shkuar dhe finalizuar sivjet; më pas nevoja për përshpejtimin dhe rritjen me hapa të mëdhenj të procesit të digjitalizimit, zhvillimin e arsimit dhe trajnimit bibliotekar, këto dhe projekte të reja si është dokumentimi i trashëgimisë kulturore, respektivisht dëmtimi i bibliotekave dhe i fondit bibliotekar gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998-99, pastaj projekti i dokumentimit të dhjetë masakrave në Kosovë, të cilin Biblioteka Kombëtare po e realizo në bashkëpunim me institucione të tjera qendrore të Kosovës. Ndër priotetet e mëdha dhe për cka kemi punuar shumë është dhe vënia e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në hartën kulturore evropiane, nxitja e rritja e diplomacisë kulturore. Përmend në këtë rast anëtarësimin e kosovës në rrjetin letrar TRADUKI gjatë vitit 2026, anëtarësim ky që i hap rrugë depërtimit të letërsisë shqipe të Kosovës jashtë kufijve të saj drejt vendeve gjermanofolëse.
Një prioritet po aq i rëndësishëm është që Biblioteka të mos perceptohet vetëm si një institucion që ruan libra, por si një institucion modern, i hapur dhe aktiv në jetën kulturore e akademike të vendit.
Portalb.mk: Sa ka përparuar procesi i digjitalizimit të fondit bibliotekar dhe çfarë rëndësie ka ai për ruajtjen dhe qasjen më të lehtë në trashëgiminë kulturore?
Blerina Rogova Gaxha: Digjitalizimi është një nga proceset më të rëndësishme strategjike të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Meqë institucioni ynë dhe vendi ynë në përgjithësi, e kanë nisur vonë këtë process, për ne është thelbësore shtyrja para e projekte madhore në digjitalizim. Krijimi i arkivit digjital, dhe krijimi i një infrastrukture të qëndrueshme për ruajtjen, përpunimin, katalogimin dhe qasjen në trashëgiminë tonë dokumentare, mbetet prioritar.
Në vitin e fundit kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara. Kemi kaluar nga një proces relativisht i kufizuar i digjitalizimit, me vetëm një million faqe të digjitalizuara gjatë disa viteve, te 4 milionë faqe vetëm Brenda një viti, pra nga tetori i 2025-tës deri më tash e e kemi ngritur këtë shifër në katër milionë, me synimin që cdo vit ky numër të rritet, duke e mbrojtur kështu trashëgminë tonë intelektuale nga dëmtimit dhe humbja. Ne jemi fokusuar që rritjen e përqidnjes së digjitalizimit ta realziojmë sipas standardeve ndërkombëtare. Rëndësia është e dyfishtë: së pari, mbrojmë materialet origjinale nga dëmtimi dhe humbja; së dyti, krijojmë mundësi që një studiues, student apo qytetar të ketë qasje në këtë trashëgimi pa qenë domosdoshmërisht fizikisht në Bibliotekë. Në këtë kuptim, digjitalizimi është edhe një proces demokratizimi të dijes.
Portalb.mk: A ka Biblioteka Kombëtare e Kosovës bashkëpunim me bibliotekat në Maqedoninë e Veriut dhe në cilat fusha zhvillohet ky bashkëpunim?
Blerina Rogova Gaxha: Po. Bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, sepse trashëgimia jonë kulturore nuk mund të shihet e shkëputur nga hapësira më e gjerë shqiptare dhe ballkanike. Me drejtuesit e Bibliotekës Kombëatre të Maqedonisë, drejtorin Jovica Nikcevski, kemi pasur tashmë disa takime dhe shtoj këtu se vitin e kaluar i kishim mysfarië dhe pjesëmarrës gjatë aktivitetit tonë Java e Bibliotekës.
Në këtë shtator ndërkaq, BKK-ja do të jetë për herë të parë nikoqire e Konferencës së drejtorëve të Bibliotekave të Evropës Juglindore SEENL. Me këtë rast, dhe drejtuesit e Bibliotekës Kombëtare të Maqedonisë do të jenë të pranishëm në këtë konferencë. Gjithashtu, bashkëpunimi është duke u zhvilluar edhe në shkëmbimin e botimeve, katalogëve dhe informacionit bibliografik, si dhe synojmë ta zgjerojmë këtë bashkëpunim edhe në aspektin e trajnimeve profesionale dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet bibliotekarëve. Është veçanërisht i rëndësishëm bashkëpunimi me institucionet bibliotekare të Maqedonisë së Veriut, meqë ato posedojnë koleksione dhe dëshmi tejet të rëndësishme të historisë dhe kulturës sonë.
Portalb.mk: A planifikoni marrëveshje apo projekte të përbashkëta me Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Shkup, si dhe me bibliotekat në qytetet ku jetojnë shqiptarët?
Blerina Rogova Gaxha: Po, dhe këtë e konsideroj një drejtim shumë të rëndësishëm të bashkëpunimit tonë ndërinstitucional. Synimi është që bashkëpunimi të mos mbetet vetëm në nivelin e marrëveshjeve formale, por të konkretizohet në projekte. Mund të kemi ekspozita të përbashkëta, projekte digjitalizimi, shkëmbim botimesh dhe të dhënash bibliografike, konferenca dhe aktivitete për promovimin e autorëve dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Portalb.mk: Sa është i rëndësishëm shkëmbimi i librave, botimeve dhe materialeve arkivore ndërmjet Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit?
Blerina Rogova Gaxha: Është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Bibliotekat nuk mund të jenë institucione të izoluara. Shkëmbimi i botimeve është një nga mënyrat më të mira për ta bërë trashëgiminë tonë të qasshme dhe për ta plotësuar atë që mungon në koleksionet tona. Në rastin e hapësirës shqiptare, ky shkëmbim ka edhe një dimension të veçantë kulturor: do të na ndihmonte ta dokumentojmë dhe ta ruajmë një trashëgimi që historikisht është krijuar dhe shpërndarë në territore të ndryshme, dhe e cila historikisht është rrezikuar. Një qarkullim më i madh i botimeve ndërmjet bibliotekave kombëtare dhe universitare të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe më gjerë në rajon, i cili për momentin nuk është në nivelin e duhur, do t’i jepte dhe më shumë kuptim përkujdesit për institucionet tonë të trashëgimisë.
Portalb.mk: Si e vlerësoni interesimin e të rinjve për librin në kohën e rrjeteve sociale dhe çfarë mund të bëjnë bibliotekat e rajonit së bashku për ta nxitur leximin dhe për ta promovuar letërsinë shqipe?
Blerina Rogova Gaxha: Nuk kisha dashur ta shoh marrëdhënien mes të rinjve dhe librit në një kontrasti të thjeshtë: sikur rrjetet sociale i kanë larguar të rinjtë nga libri. Mendoj se sfida është më shumë e natyrës se si ta cojmë librin aty ku janë të rinjtë.
Biblioteka e sotme duhet të jetë edhe fizike, edhe digjitale. Duhet të përdorë gjuhën e komunikimit të brezit të ri, pa e humbur seriozitetin dhe misionin e saj. Kjo do të thotë më shumë platforma digjitale, përmbajtje tërheqëse, diskutime me autorë, klube leximi, podkaste, ekspozita dhe aktivitete ku të rinjtë janë pjesëmarrës, më shumë se sa spektatorë.
Nuk besoj se e kemi luksin t’i themi dikujt “lexo”, mendoj se misoni ynë sot është t’u krijojmë, të rinjve dhe të tjerëve, arsye për ta dashur librin, arsye për ta dashur fjalën e shkruar.