Biznesmeni i akuzuar për keqpërdorime, Borçe Markovski u largua nga vendi pasi Gjykata e Strugës ia ktheu pasaportën

Biznesmeni nga Manastiri dhe konsulli i nderit i Bjellorusisë në vend, Borçe Markovski, dje është ndaluar në pikën kufitare “Tabanoc”, por pas kontrolleve të kryera i është lejuar të largohet nga shteti, pasi ndaj tij nuk kishte masë aktive që do ta pengonte të kalonte kufirin shtetëror, transmeton Portalb.mk.

Largimi i tij nga vendi erdhi menjëherë pasi Gjykata Themelore në Strugë ia ktheu Markovskit pasaportën e konfiskuar, e cila i ishte marrë si masë kujdesi.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se masat për ndalimin e largimit nga shteti përcaktohen nga gjykata kompetente ose organ tjetër kompetent, ndërsa policia vepron ekskluzivisht në bazë të vendimeve të miratuara dhe aktive, të evidentuara në sistemet zyrtare.

Prokuroria Themelore Publike njoftoi se kërkesa për heqjen e masave shtesë të kujdesit ndaj biznesmenit Borçe Markovski, ishte parashtruar në Gjykatën Themelore në Strugë nga mbrojtja e tij. 

“Prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike në Strugë fillimisht, më 15.06.2026, dha mendim negativ për pranimin e kësaj kërkese. Pasi mbrojtja parashtroi kërkesë të re, prokurori publik ia referoi lëndën Prokurorisë së Lartë Publike në Manastir. Për referimin u përgatit procesverbal, ndërsa Prokurori i Lartë Publik mori përfundim me të cilin e ngarkoi prokurorin publik të shkallës më të ulët që të japë mendim pozitiv për pranimin e propozimit të mbrojtjes për kthimin e dokumentit të udhëtimit të marrë përkohësisht”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike. 

Si arsyetim për këtë vendim, ata theksojnë se me garancinë e ofruar është zvogëluar rreziku i arratisjes, ndërsa janë marrë parasysh edhe argumentet e mbrojtjes se Markovski duhet të udhëtojë në Serbi për të siguruar funksionimin e papenguar të kompanisë dhe nënshkrimin e dokumentacionit afarist. 

Nga Prokuroria theksojnë se të gjitha rrethanat lidhur me këtë vendim do të shqyrtohen më tej, por nënvizojnë se aktualisht Markovski nuk konsiderohet person në arrati dhe mbetet i detyruar të paraqitet rregullisht para gjykatës kompetente. 

Për disa media, avokati i tij Marjan Nikolloski deklaroi se Markovski nuk është në arrati, por ndodhet në një udhëtim zyrtar në Serbi dhe se për dy ditë do të kthehet në vend. 

Markovski posedon kompani dhe prona të tjera në Serbi.

Procesi gjyqësor ndaj Markovskit filloi në Gjykatën Themelore në Manastir, për t’u transferuar më pas tërësisht në Gjykatën në Strugë. Fillimi i gjykimit për rastin Markovski është caktuar për 2 shtator të këtij viti.

Biznesmeni nga Manastiri, Borçe Markovski, dhe tetë persona të tjerë po gjykohen për zhvendosjen e stacioneve operative nga miniera “Osllomej” në minierat e REK “Manastir”, një tender me vlerë mbi 1.7 milionë euro. Përveç Markovskit, në bankën e të akuzuarve janë edhe pesë të punësuar në REK “Manastir” dhe dy të punësuar në kompaninë e Markovskit.

Një nga të akuzuarit është edhe ish-drejtori i REK “Manastir”, Pece Matevski, ndaj të cilit tashmë po zhvillohet proces gjyqësor edhe në Gjykatën Themelore në Manastir për rastin e tenderit me kompaninë e Manastirit “Rudkop” Bitola.

Abuzimet në REK Manastir kanë qenë në fokusin e publikut për vite me radhë.

Keqpërdorim i pozitës zyrtareMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Termocentrali REK - TEC Manastir