BFI-ja reagoi pas vendimit të Kushtetueses në lidhje me Medresenë “Isa Beu” në Shkup

Në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për themelimin e shkollës Medresesë “Isa Beu”, ka reaguar Bashkësia Fetare Islame (BFI), transmeton Portalb.mk.

“Bashkësia Fetare Islame e RMV-së do të presë pranimin zyrtar të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të RMV-së. Më pas do të analizoj “arsyeshmërinë e Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Vendimit të Qeverisë së RMV” dhe do të ndërmarrë hapa konkretë juridikë”, deklarojnë nga BFI-ja.

Ata vlerësojnë se janë ndjekur të gjithë procedurat ligjore për themelimi e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu”.

“Bashkësia Fetare Islame e RMV-së dhe Drejtoria e Medresesë i siguron nxënësit e Medresesë të qëndrojnë të qetë se BFI e RMV-së, në koordinim dhe bashkëpunim me Qeverinë e RMV-së, institucionet tjera relevante, faktorin politik dhe atë ndërkombëtar, ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar akreditimin e Medresesë”, paralajmërojnë nga BFI-ja.

BFI-ja njoftoi se nuk do të dorëzohen nga projekti për zyrtarizimin e Medresesë, një shkollë e cila është themeluar në vitin 1984.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese sot (30 prill) hodhi poshtë Vendimin për dhënien e miratimit për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fshati Kondovë, Shkup, i cili u miratua nga Qeveria më 26 mars 2024. Gjykata vendosi se vendimi i Qeverisë ishte i paligjshëm dhe jokushtetues, sepse Qeveria kishte dhënë pëlqimin e saj, përkatësisht i kishte lejuar Bashkësisë Fetare Islame BFI të jetë themeluese e një shkolle të mesme-gjimnaz.

Ministrja për arsim dhe shkencë, Vesna Janevska, vitin e kaluar kishte deklaruar se maturantët e kësaj medrese nuk do të mund të regjistrohen në fakultetet tjera. Më 26 mars të vitit 2024, ministri për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, kishte njoftuar që problemi me mosnjohjen e diplomave për nxënësit e “Medresesë Isa Beu” ishte zgjidhur nga Qeveria. Medresantët paraprakisht kishin reaguar disa herë duke kërkuar që shteti t’ua njeh diplomat që të mund të regjistrohen në universitetet në vend.

Bashkësia Fetare Islame RMV (BFI)Gjykata Kushtetuese RMVMedreseMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Qeveria e Maqedonisë së VeriutShkolla të mesmeVesna Janevska