Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar në lidhje me problemin rreth funksionimit të Medresesë “Isa Beu”, pasi ministrja aktuale për arsim, Vesna Janevska, ka theksuar që maturantët e kësaj shkolle nuk mund të regjistrohen në asnjë fakultet tjetër, transmeton Portalb.mk.
“Medreseja Isa Beu është një institucion i akredituar zyrtarisht dhe ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore të nevojshme për t’u themeluar dhe për të fituar të drejtën e funksionimit”, deklaroi BDI-ja në lidhje me akreditimin e Medresesës Isa Beu si një shkollë e mesme private.
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu, në një deklaratë për Alsat ka njoftuar që të hënën do të mblidhet kryesia e BFI-së për të diskutuar.
Në lidhje me këtë problematikë ka reaguar edhe një nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, duke e quajtur akreditimin e “Isa Beut” si një gënjeshtër.
“Sapo kuptova nga mediat se i paskan gënjyer besimtarët dhe nxënësit gjatë fushatës zgjedhore për gjoja akreditimin e Shkollës së Mesme Islame “Isa Beu” në Shkup. Që kanë gënjyer 22 vite popullin politikisht e dimë, por edhe në baza fetare që do e bënin këtë, është e papranueshme”, deklaroi Kasami, duke premtuar që do të angazhohen në zgjidhjen e këtij problemi në përputhje me ligjet në fuqi.
Ndryshe, më 26 mars, ministri për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut në atë kohë, Jeton Shaqiri, ka njoftuar që problemi me mosnjohjen e diplomave për nxënësit e “Medresesë Isa Beu” ishte zgjidhur nga Qeveria.
Medresantët paraprakisht kishin reaguar disa herë duke kërkuar që shteti t’ua njeh diplomat që të mund të regjistrohen në universitetet në vend.
- LEXO: RMV, u zgjidh problemi me nxënësit e diplomuar në “Medresenë Isa Beu”
- LEXO: Nxënëset e medresesë protestuan t’iu njihen diplomat për t’u regjistruar në universitete, propozim-ligji fle në Parlament (Video)
- LEXO: RMV, shkolla e mesme teologjike ortodokse dhe medreseja nën ombrellën e shtetit
- LEXO: Protestë, nxënësit e Medresesë të Tetovës kërkojnë që t’u njihen diplomat nga shteti