Bërvenica voton të dielën: Gjashtë kandidatë në garë për kreun e komunës

Qytetarët e Komunës së Bërvenicës më 18 tetor, të dielën do tu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të komunës, shkruan Portalb.mk.

Kush janë kandidatët?

Në garë për të parin e komunës janë gjashtë kandidatë, edhe atë: Arkin Jahiji nga AKI, Jakup Huseini nga VLEN, Jovica Radeski nga LSDM, Stojanço Radicevski nga VMRO-DPMNE. Ka edhe dy kandidatë të pavarur, Arife Idrizi dhe Dushan Bogdanovski.

Kur përfundon fushata?

Fushata zgjedhore ka filluar më 21 shtator dhe do të zgjasë deri nesër (16 tetor) të mesnatë, prej ku do të fillojë heshtja zgjedhore e cila do të zgjasë deri të dielën në mbylljen e votimit.

Kush do të shkojë në rrethin e dytë?

Dy nga kandidatët më të votuar pas rezultatit të së dielës do të shkojnë në rrethin e dytë i cili pritet të mbahet pas dy javëve, nga ku më pas pritet të zgjidhet edhe fituesi.

Pse mbahen zgjedhjet?

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës mbahen pasi në qershor ndërroi jetë kryetari i komunës, Jovica Ilievski, i cili ishte nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Bërvenica si pikë e nxehtë e zgjedhjeve të kaluara

Në zgjedhjet e rregullta lokale të vitit të kaluar, Komuna e Bërvenicës ishte një nga komunat më të diskutuara, ndërsa gara mori më tepër karakter etnik, ku përplasje përveç opozitës dhe pozitës, pati edhe midis partnerëve në qeveri VMRO-VLEN.

Sa banorë ka Komuna e Bërvenicës?

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në 10 fshatrat e Komunës së Bërvenicës ka 13,645 banorë, nga të cilët 7,377 janë shqiptarë, 5,715 maqedonas dhe 1 rom.

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) Fronti EvropianBervenicaKomuna e BervenicësLidhja Social Demokrate (LSDM)VLEN koalicioniVMRO-DPMNE