Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkon tërheqjen e tenderit për furnizimin e uniformave të reja për zyrtarët e policisë, të shpallur nga Ministria e Brendshme, sepse sipas partisë opozitare, me të parashikohet që mbishkrimet dhe simbolet në uniforma do të jenë vetëm në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.
Sipas integristëve, ky është një vendim skandaloz, i cili, siç deklarojnë ata, përfaqëson shkelje flagrante të parimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili garanton barazi dhe dygjuhësi në institucionet shtetërore, veçanërisht në uniformat e policisë.
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën më të thellë për vendimin skandaloz që uniformat e reja të policisë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase. Ky akt është shkelje flagrante e parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe e ligjit për përdorimin e gjuhëve, që garanton barazi dhe dygjuhësi në institucionet shtetërore, e veçanërisht në uniformat e policisë. Ky nuk është një rast i izoluar, por vazhdimësi e politikës diskriminuese të VMRO-DPMNE-së, e cila tashmë ka iniciuar në Gjykatën Kushtetuese heqjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Ajo që e bën edhe më skandaloze është heshtja servile e partive shqiptare në pushtet, të cilat kanë pranuar të bëhen vasalë të politikave anti-shqiptare, duke e shkelur dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve për interesa të ulëta politike”, thonë nga BDI.
Nga kjo parti shtojnë se kur ligji kërkon dygjuhësi dhe Qeveria imponon një gjuhësi, kjo është dëshmi e humbjes së sovranitetit politik të partive shqiptare që sot, siç thonë nga partia, janë pasqyra e interesave të VMRO-së.
“BDI e bën të qartë: shqiptarët nuk do të pranojnë poshtërime të tilla. Ligji është i qartë, në komunat ku shqiptarët janë së paku 20%, çdo institucion shtetëror është i obliguar të përdorë gjuhët zyrtare, përfshirë uniformat dhe komunikimin publik. Kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi diskriminues; zëvendësimin e uniformave të policisë me mbishkrime dygjuhëshe, sipas ligjit dhe kërkim falje publike nga partitë shqiptare në pushtet, që e aprovuan këtë turp”, thuhet në reagim.
Ministri Pançe Toshkovski u kundërpërgjigj se BDI pati mundësinë në të kaluarën të zbatojë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili është i vitit 2018.
“Ky ligj u miratua në vitin 2018. BDI pati mundësinë në të kaluarën të demonstrojë zbatimin e tij. Hapat që po ndërmerren nga ana jonë janë plotësisht në përputhje me ligjin dhe në përputhje me rregulloret në fuqi, të cilat do të them përsëri se u miratuan në kohën kur BDI dhe LSDM ishin në pushtet në Maqedoni”, tha Toshkovski.
Ndryshe, Ministria e Brendshme (MB) ka shpallur tender për prokurimin e uniformave të reja për zyrtarët e policisë. Me prokurimin e uniformave të reja, siç njoftoi sot Ministria duke informuar për tenderin, policia do të ribrendohet sepse, siç thonë ata, uniformat e vjetra, jopraktike dhe jofunksionale dhe do të zëvendësohen me uniforma të reja, moderne dhe me cilësi të lartë, duke ndjekur shembullin e forcave policore evropiane.