Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit, siç thuhet në reagim, skandaloze që prekin drejtpërdrejt Inspektoratin për Zbatimin e Gjuhëve, institucionin kyç për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, transmeton Portalb.mk.
“Prej më shumë se katër muajsh, inspektorët e këtij institucioni nuk kanë marrë pagat, nuk kanë sigurim shëndetësor, as mbulim social. Kjo nuk është thjesht një padrejtësi sociale – kjo është një strategji e qëllimshme për t’i larguar profesionistët që janë trajnuar dhe licencuar me vite për të mbrojtur ligjin. Ky është kapitulli i radhës në një ofensivë të organizuar kundër statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Fillimisht, institucionit iu mor pavarësia, duke u futur nën Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim kontrolli dhe varësie politike. Tani, me mosdhënien e pagave dhe shpërfilljen e funksionit të tyre, synohet shkatërrimi përfundimtar i këtij mekanizmi mbikëqyrës”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga aty theksojnë se jo nuk është neglizhencë. Sipas BDI-së, ky është një plan i mirëpërgatitur për të çmontuar çdo gjë që është ndërtuar rreth përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në vend.
“Në të njëjtën kohë: Gjykata Kushtetuese po shqyrton kushtetutshmërinë e vetë Ligjit për Gjuhët, institucionet nuk po e zbatojnë ligjin në praktikë, ueb-faqet e ministrive dhe ndërmarrjeve publike janë fshirë nga përmbajtjet në shqip, dokumentet zyrtare po publikohen ekskluzivisht në maqedonisht dhe tani, po goditet edhe institucioni që mbikëqyr zbatimin e ligjit”, thuhet tutje në reagimin e partisë.
Kujtojmë se Inspektorati për Zbatimin e gjuhëve humbi rëndësinë që kur Ligji për përdorimin e gjuhëve u gjend në sirtarët Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të mbajë një seancë të radhës, e ashtuquajtur përgatitore ku do të dëgjohen edhe ekspertë të tjerë juridik, e gjithë kjo për faktin e ndjeshmërisë së kësaj lënde. Politika ishte e zëshme si para ashtu edhe pas seancës së fundit të Kushtetueses.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve në fuqi hyri në janar të vitit 2019-të. Ai u miratua në 11 janar 2018, në mungesë të VMRO-DPMNE-së në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.