BDI akuzoi policinë për brutalitet dhe rrahje të dy të rinjve dhe kërkoi dorëheqjen e zëvendësministrit të Brendshëm

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon hetim të plotë për rastin e dy të rinjve të moshës 21 dhe 23 vjeç, të cilët, sipas deklaratave të tyre, u keqtrajtuan brutalisht nga policia. Sipas informacionit, raporti i brendshëm i policisë pohon se të rinjtë ia morën armën një zyrtaru policie, ndërsa, sipas deklaratave të tyre, arma përfundoi në automjetin e tyre pasi policia ua theu xhamin. Ata gjithashtu deklarojnë se policia qëlloi me armë, preu gomat e automjetit të tyre dhe më pas i keqtrajtoi, pasi ua lidhi duart dhe i detyroi të shtriheshin përtokë, transmeton Portalb.mk.

Nga BDI kërkojnë hetim të menjëhershëm për të hedhur dritë të plotë mbi ngjarjen, si dhe përgjegjësi për çdo shkelje nga zartarët e policisë, dhe kërkojnë dorëheqjen e zëvendësministrit të Brendshëm, Astrit Iseni.

“Kërkojmë hetim të menjëhershëm, të paanshëm dhe transparent për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe përgjegjësi për çdo shkelje nga ana e zyrtarëve policorë. Heshtja dhe mungesa e përgjegjësisë nuk janë opsion! BDI kërkon dorëheqjen e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, si dhe përgjegjësi të plotë institucionale për këtë rast. Të drejtat e qytetarëve dhe dinjiteti i tyre nuk mund të shkelen nga ata që kanë për detyrë t’i mbrojnë”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, institucionet kompetente ende nuk kanë bërë prononcim mbi rastin.

Astrit IseniBashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)Policia e Maqedonisë së VeriutRrahje