Banka Qendrore Evropiane (BQE) i miratoi Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut qasje në linjën e rritur repo të Eurosistemit (EUREP), me vlerë maksimale prej 50 miliardë eurosh. Pas përfundimit të procesit teknik të kyçjes, Banka Popullore do të ketë qasje të shpejtë në likuiditet në valutë të huaj, gjë që do t’i mundësojë të përballet më lehtë me goditjet e mundshme të financimit dhe kërkesën e shtuar për likuiditet në euro, transmeton Portalb.mk.
“Edhe pse rezervat valutore të Bankës Popullore janë në nivel të lartë dhe përfaqësojnë mekanizmin kryesor mbrojtës për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar, qasja në linjën e rritur repo paraqet mbështetje të konsiderueshme për forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe për përballimin e goditjeve të mundshme të jashtme dhe kërkesës së shtuar për likuiditet në euro”, thonë nga Banka Popullore.
Banka deri më tani kishte qasje në një linjë repo të BQE-së në vlerë maksimale prej 400 milionë eurosh, e cila u krijua gjatë pandemisë së COVID-19 dhe herën e fundit u zgjat deri më 31 janar 2027. Ndryshe nga kjo linjë repo, linja e rritur repo (EUREP) është instrument i përhershëm i Eurosistemit, me kapacitet dukshëm më të madh dhe shtrirje më të gjerë. Kjo forcon më tej rrjetin mbrojtës për sigurimin e likuiditetit në euro në rast të çrregullimeve të mundshme në tregje.
Linja e rritur repo (EUREP) është instrument i Eurosistemit, i krijuar me qëllim mbështetjen e zbatimit të papenguar të politikës monetare. Ajo siguron qasje të përhershme në likuiditet në euro për bankat qendrore dhe autoritetet monetare jashtë eurozonës, ndërsa menaxhohet nga pesë banka qendrore kombëtare nën koordinimin e BQE-së.