Autoritetet në RMV paralajmëruan zgjidhje për zbutjen e rritjes së çmimeve të ushqimeve

Shumë shpejt do të ketë një propozim zgjidhjeje për të zbutur rritjen e çmimeve të ushqimeve, thotë kryeministri Hristijan Mickoski. Ai shton se situata me çmimet në markete po monitorohet rregullisht dhe se po i afrohemi një zgjidhjeje për problemin, por nuk specifikon se për çfarë zgjidhje bëhet fjalë, transmeton Portalb.mk.

“Po konsultohemi me publikun ekspert, po monitorojmë se çfarë po ndodh me sjelljen e tregtarëve, prodhuesve, shpërndarësve dhe rrjeteve të shitjes me pakicë, kështu që ky është një proces serioz në të cilin po hyjmë seriozisht dhe mendoj se shumë shpejt do të dalim me një propozim zgjidhje”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske gjatë vizitës së sotme në Manastir.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, njoftoi gjithashtu këtë fundjavë se mundësia e futjes së masave përsëri nuk përjashtohet nëse ka rritje enorme të çmimeve.

Durmishi tha se Inspektorati Shtetëror i Tregut po monitoron situatën, por se nuk është vërejtur ndonjë rritje drastike e çmimeve.

“Nuk ka rritje drastike të çmimeve në fushën ku ne jemi përgjegjës, në fushën e produkteve bazë ushqimore. Çdo muaj, Inspektorati Shtetëror i Tregut do të jetë në terren dhe do të shohë, nëse mos rastësisht kemi rritje të madhe pa justifikim ekonomik të çmimeve nga tregtarët, natyrisht do të marrim përsëri vendime dhe e kam thënë këtë edhe në deklarata të tjera se do të miratojmë masa më rigoroze se ato që kemi marrë deri më tani”, tha Durmishi.

Pas propozimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, Qeveria më 20 shkurt miratoi një masë që zgjati deri më 30 prill, e cila kufizoi marzhet për 100 grupe produktesh dhe ngriu çmimet.

Ndryshe analiza ekonomike javore e Portalb.mk, tregoi se statistika e vendit mati se kostot e jetesës për ushqim në të njëjtën periudhë të analizuar u rritën për 4,1%. Në maj, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, përveç ushqimit, u rritën edhe kostot e jetesës për mirëmbajtjen e amivisërive, kujdesin shëndetësor dhe sektorin e hotelerisë.

Nga janari deri në fund të majit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kostot e jetesës janë rritur pothuajse për gjithçka: për mirëmbajtjen e amvisërive dhe për mobilje për 3,7%, për kujdesin shëndetësor për 4,1%, për restorantet dhe hotelet për 7,8%.

Besar DurmishiÇmimeEkonomia e shtetit - Lajme ekonomiHristijan Mickoski HristianMinistria e Ekonomisë dhe Punës (MEP)Produkte ushqimore