Asnjë shqiptar nuk u pranua këtë vit në Akademinë Ushtarake, Ministria e Mbrojtjes: Vetëm dy aplikuan

Asnjë kadet shqiptar nuk është pranuar këtë vit në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostollski”, për herë të parë që nga themelimi i institucionit në vitin 1995. Për këtë reagoi sot Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke akuzuar VLEN-in se nuk ka siguruar përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucione. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes thotë se në konkursin për pranimin e 29 kadetëve kanë aplikuar vetëm dy kandidatë shqiptarë, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, në konkurs janë paraqitur gjithsej 99 kandidatë, prej të cilëve 46 i kanë plotësuar kriteret për përzgjedhje. Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve, 95 kanë qenë maqedonas, dy shqiptarë, një rom dhe një vllah.

Ministria sqaron se njëri nga dy kandidatët shqiptarë është tërhequr nga procedura, ndërsa tjetri është renditur në vendin e 43-të në listën e kandidatëve. Për këtë arsye, këtë vit nuk është pranuar asnjë kadet shqiptar.

BDI-ja akuzoi VLEN-in se nuk ka arritur të sigurojë përfaqësimin e duhur të shqiptarëve në institucione, duke theksuar se përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet vetëm partnerit shqiptar në Qeveri, por edhe vetë Qeverisë.

“Ky fakt ngre pikëpyetje serioze për rolin dhe ndikimin e VLEN-it në institucionet shtetërore, ku përfaqësimi i shqiptarëve duhet të jetë jo vetëm parim deklarativ, por edhe realitet në funksionimin institucional“, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga kjo parti vlerësojnë se raste të tilla cenojnë frymën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe dobësojnë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke kërkuar nga VLEN-i të japë përgjigje se ku ka mbetur përfaqësimi që e kishte premtuar.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes i cilësoi akuzat e BDI-së si populiste dhe të pabazuara, duke paralajmëruar se një komunikim i tillë mund të nxisë jotolerancë ndëretnike, në vend që të kontribuojë në paraqitjen objektive të fakteve.

“Që të ekzistojë dhe të vlerësohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, është e nevojshme që qytetarët e përkatësisë përkatëse etnike të aplikojnë në konkurset publike dhe transparente për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake. Njëkohësisht, nuk do të heqim dorë nga parimi që në Armatë të pranohen më të mirët ndër më të mirët”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Ministria shtoi se konkursi ishte publikuar në dy gazeta ditore në gjuhën maqedonase dhe shqipe, në ueb-faqen e saj, si dhe nëpërmjet njoftimeve për media dhe rrjeteve sociale të Ministrisë dhe Akademisë Ushtarake. Sipas saj, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat mbetet një parim që do të vazhdojë të vlerësohet në sektorin e mbrojtjes dhe në Armatë.

Armata e Maqedonisë së Veriut (ARM)Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Ministria e Mbrojtjes (MM)