ASH: E kundërshtojmë kategorikisht vendimin që himni i Maqedonisë së Veriut të këndohet çdo të hënë në shkollat e Gazi Babës

Aleanca për Shqiptarët (ASH) e ka kundërshtuar vendimin e kryetarit të Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovskit që në shkollat fillore çdo të hënë të intonohet himni i Maqedonisë së Veriut, raporton Portalb.mk.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se patriotizmi nuk matet me sa herë këndohet një himn, por me atë se sa investojmë në fëmijët tanë dhe sa të ardhme u ndërtojmë atyre.

“Çfarë po bëhet për nxënësit përtej himnit? Po mbyllen shkolla, po humbin paralele, ndërsa shkolla në Hasanbeg dhe shkolla të tjera përballen me numër të madh nxënësish dhe me mungesë të kushteve elementare. Komuna nuk investon sa duhet në infrastrukturën shkollore, në hapësira të përshtatshme, në pajisje dhe në mjedise dinjitoze për fëmijët”, thonë nga ASH.

Vendimi për intonimin e himnit u njoftua javën e kaluar nga kreu i Gazi Babës, Boban Stefkovski.

“Çdo të hënë, mësimi në shkollat fillore në territorin e Komunës së Gazi Babës do të fillojë me këndimin e himnit të Republikës së Maqedonisë. Himni nuk është vetëm një këngë. Është simbol i lirisë sonë, shtetësisë, historisë dhe sakrificës së brezave që luftuan për një Maqedoni të pavarur dhe sovrane”, njoftoi Stefkovski.

Kujtojmë që nismë për intonimin e himnit shtetëror nëpër shkolla pati vjeshtën e vitit 2023, ku disa komuna të Shkupit të cilat drejtohen nga kryetarët e VMRO-DPMNE-së e cila ishte në opozitë aso kohe. Ky veprim u cilësua si veprim provokativ dhe me tendencë për nxitjen e raporteve mes bashkësive etnike. 

Aleanca për Shqiptarët (ASH)GazibabëHimniKomuna e Gazibabës