Libri i muzikës për klasën e shtatë me gabime, tekstet e këngëve me alfabet cilirik dhe përkthime të pjesshme

Libri i muzikës për klasën e shtatë, i përkthyer nga maqedonishtja në shqip, përmban gabime në përkthim. Mësimdhënësit të cilët folën për Portalb.mk ankohen se përveç përkthimit, edhe libra të tjerë të muzikës kanë përmbajtje të papërshtatshme për lëndën. Ministria e Arsimit e cila është botuese e librit arsyetohet.

Mësimdhënësit të cilët e përdorin librin e muzikës për klasën e shtatë në gjuhën shqipe kanë evidentuar gabime në përkthim dhe probleme me përmbajtjen, përfshirë mungesën e këngëve shqipe dhe përdorimin e teksteve të shkruara me alfabet cirilik dhe në gjuhën maqedonase.

Sipas mësimdhënësve, në tekst përfshihen këngë në gjuhë të ndryshme, përfshirë maqedonishten, serbishten, turqishten dhe gjuhën rome.

Një mësimdhënëse nga Shkupi, në një deklaratë për Portalb.mk, vlerësoi se në tekstet e muzikës për klasën e shtatë mungon përfaqësimi i këngëve shqipe, ndërsa përkthimet e këngëve të përfshira janë të pjesshme dhe jo gjithmonë të sakta.

“Problemi kryesor qëndron në faktin se këngët e përfshira në këto tekste janë në gjuhën maqedonase, të shkruara me alfabet cirilik, pa një përfaqësim të mirëfilltë të këngëve në gjuhën shqipe. Përkthimet e vendosura anash janë të pjesshme, jo gjithmonë të sakta dhe nuk janë të përshtatura në mënyrë të tillë që nxënësit të mund ta kuptojnë dhe interpretojnë përmbajtjen muzikore e artistike të këngëve”, thotë ajo.

Sipas arsimtares me të cilën biseduam, kjo nuk është vetëm çështje e përkthimit, por edhe e përfaqësimit gjuhësor dhe kulturor në materialet mësimore. Ajo thotë se mungesa e këngëve shqipe ndikon në kuptimin e përmbajtjes, shqiptimin, interpretimin, motivimin e nxënësve dhe lidhjen e tyre me trashëgiminë muzikore e kulturore.

Ajo konsideron se përfshirja e këngëve shqipe duhet të jetë pjesë e rëndësishme e përmbajtjes mësimore, ndërsa kërkoi rishikim të teksteve shkollore të arsimit muzikor për klasat 7 dhe 8, me përkthime e përshtatje profesionale dhe përmbajtje që marrin parasysh gjuhën dhe kulturën e nxënësve shqiptarë.

“Kjo situatë ngre edhe një çështje më të gjerë, atë të barazisë në përfaqësimin gjuhësor dhe kulturor në arsim. Në një shtet multietnik dhe multikulturor si Republika e Maqedonisë së Veriut, ku jetojnë komunitete të ndryshme, është e rëndësishme që edhe materialet mësimore të pasqyrojnë këtë diversitet. Në këtë kontekst, mungesa e këngëve shqipe në tekstet përkatëse përbën mangësi të dukshme, veçanërisht kur merret parasysh rëndësia e gjuhës amtare në edukimin muzikor dhe kulturor të nxënësve”, u shpreh ajo.

Vërejtje për librat e muzikës shprehu edhe një mësimdhënës tjetër nga Kumanova i cili foli për Portalb.mk. Ai vlerëson se për paralelet në gjuhën shqipe është dashur të përzgjidhen këngë shqipe ose këngë të kompozitorëve botërorë që janë të përshtatshme për nivelin e nxënësve, në vend që të përfshihen këngë në gjuhë të tjera pa përkthim.

“Shembull grupi ‘Slatkaristika” (repera maqedonas) është përkthyer grupi “Pastiçeri”, google translate ashtu ja ka nxjerrë, ka shumë gabime…”, thotë mes tjerash ai.

Vërejtje kanë edhe për përmbajtjen e kapitujve që trajtojnë traditat fetare dhe kulturore, ku, siç thonë mësimdhënësit, ka mospërputhje mes përmbajtjes dhe fotografive të përdorura.

Probleme të ngjashme, sipas arsimtarit nga Kumanova, ka edhe në librin e muzikës për klasën e nëntë. Në pjesën që trajton traditën shqiptare, ai ka evidentuar përmbajtje që, sipas vlerësimit të tij, nuk përputhen me traditën shqiptare.

Për këto gabime kërkuam sqarime nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA), nga atje na u kërkuan sqarime shtesë dhe dëshimi për këto lëshime, për të cilën Portalb.mk, dërgoi fotografitë nga libri.

Për këto vërejtje kërkuam përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nga atje në vend se të përgjigjen për lëshimet dhe gabimet e evidentuara, na u tha se sipas kurrikulës së hartuar nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, nuk është botuar asnjë libër shkollor për lëndën e Edukimit Muzikor në dy vitet e mëparshme.

“Tekstin shkollor, të miratuar sipas programit të vjetër mësimor (me vendimin nr. 26-326/3 të Komisionit Kombëtar për Tekste Shkollore, të datës 25.05.2021), e ka përkthyer nga maqedonishtja në shqip operatori ekonomik në kohën e miratimit të tij (Arbëria Design)”, thanë nga MASH.

Portalb.mk dërgoi pyetje edhe te Arbëria Design, por deri në botimin e kësaj storje nuk morëm përgjigje.

Libri i muzikës në gjuhën shqipe nuk është i vetmi me gabime gjuhësore dhe përmbajtsore. Portalb së fundmi raportoi për gabimet në librin e fizikës për klasën e tetë, si dhe për gjeografinë për klasën e shtatë. Portalb.mk në vazhdimësi ka trajtuar çështjen e teksteve shkollore me përmbajtje jo adekuate dhe me gabime.

Byroja për Zhvillimin e Arsimit RMV (BZHA)LibërMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave fillore - filloristëShkolla fillore