Krerët dhe liderët e partive shqiptare në RMV kanë uruar 28 Nëntorin

Liderët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë përcjellë urimet e tyre me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, duke vënë në pah rëndësinë historike të kësaj date dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, njofton Portalb.mk.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale ka theksuar se 28 Nëntori simbolizon bashkimin e sakrificave historike dhe aspiratave shekullore të shqiptarëve për liri, duke mbetur një nga datat më të rëndësishme në kujtesën dhe identitetin kombëtar.

“28 Nëntori është një nga datat më domethënëse të historisë kombëtare shqiptare. Është dita kur kujtesa historike, sakrifica dhe aspirata shekullore për liri përbashkohen në një simbol, i cili ndër breza e ka mbajtur gjallë identitetin, dinjitetin dhe krenarinë e popullit shqiptar. E konsideroj përgjegjësi të vazhdueshme angazhimin për avancimin e barazisë, përfaqësimit të drejtë, si dhe për forcimin e institucioneve demokratike, ku çdo qytetar ndihet i barabartë dhe i respektuar”, ka shkruar Gashi.

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në urimin e tij e cilësoi 28 Nëntorin si ditën më të lavdishme të historisë kombëtare, duke theksuar se kjo është dita e flamurit kuqezi, krenarisë, lirisë dhe pavarësisë.

Bashkëkryetari i VLEN, Bilall Kasami, uroi shqiptarët kudo që jetojnë, duke theksuar se 28 Nëntori është një datë që jeton përgjithmonë në zemrën e kombit. Ai kujtoi sakrificën e brezave të kaluar dhe bëri thirrje për ruajtjen e gjuhës, flamurit dhe dashurisë për kombin, pavarësisht kufijve.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim , Ali Ahmeti, ka bërë të ditur se ka vizituar Odën Folklorike Shqiptare në Zvicër, ku është pritur nga përfaqësuesit e saj. Ahmeti ka vlerësuar rolin e Odës në ruajtjen dhe përcjelljen e kulturës, traditës, folklorit dhe vlerave kombëtare shqiptare te brezat e rinj, edhe larg atdheut.

Ndërkaq, edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka përcjellë urimin e tij për 28 Nëntorin, duke rikujtuar dy ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare. Ai ka përmendur ngritjen e flamurit nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu më 28 nëntor 1443 dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali më 28 nëntor 1912.

Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, në mesazhin e tij vuri në pah kontributin e rilindasve dhe sakrificën e dëshmorëve të kombit. Ai theksoi se flamuri kuqezi mbetet simbol i bashkimit, dinjitetit dhe qëndresës, duke bërë thirrje që amaneti i të parëve të nderohet jo vetëm me fjalë, por edhe me punë konkrete.

Urim për 28 Nëntorin ka përcjellë edhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili theksoi se identiteti kombëtar, liria dhe dinjiteti janë vlera për të cilat breza të tërë shqiptarësh kanë sakrifikuar. Ai nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së rrënjëve dhe historisë, si dhe forcimit të pozitës së shqiptarëve në shoqëritë ku jetojnë.

Afrim GashiAli AhmetiFestat e nëntoritZiadin Sela