Blendi Hodai: Mickoski dhe Janevska i shohin studentët si kërcënim, qasje skandaloze që i targetojnë individët

Rreth 23 mijë denarë në muaj i duhen një studenti që jeton në konvikt në Shkup, ndërsa për një student që ndan një banesë me qira me dy të tjerë, shpenzimet mujore arrijnë në rreth 32 mijë denarë, sipas përllogaritjeve të Forumit për Ndryshime në Arsim. Në anketën e Portalb.mk, 145 nga 173 studentët që morën pjesë thanë se nuk i përballojnë shpenzimet mujore. Blendi Hodai, drejtues i Forumit, kërkon që shteti të mbulojë një pjesë të kostos së udhëtimit për studentët që ndjekin ligjëratat në qytet tjetër dhe të rishikojë mënyrën si i ndan bursat studentore. Ai thotë se shteti nuk duhet ta sheh përkrahjen e studentëve si harxhim, por si investim.

Për një student nga Tetova që ndjek ligjëratat në Shkup, shpenzimet fillojnë para se të mbërrijë në fakultet. Sipas Hodait, vetëm bileta vajtje-ardhje kushton 500 denarë. Për studentët që e bëjnë rregullisht këtë rrugë, Forumi propozon që shteti të subvencionojë transportin ndërqytetar.

“Si Forum për Ndryshime në Arsim, kemi propozuar që të krijohet një lloj bashkëpunimi publiko-privat mes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve dhe kompanive që merren me transportin ndërqytetar”, tha Hodai për Portalb.mk.

Për ata që vendosen në Shkup, banimi ndikon ndjeshëm në buxhetin që u duhet për të kaluar muajin. Sipas Hodait, shumë studentë e kanë të vështirë ta mbulojnë këtë kosto me të ardhura nga puna gjatë studimeve. Ai e lidh mbështetjen që marrin studentët edhe me cilësinë e arsimit në një vend ku, sipas tij, mbi 50 mijë studentë ndjekin ciklin e parë të studimeve.

“Nga ajo që kemi analizuar vazhdimisht në hulumtimet tona me studentët, kemi vërejtur që ka një hendek të madh mes nevojave që kanë studentët dhe shërbimeve që institucionet duhet t’u ofrojnë”, tha Hodai.

“Trend negativ i shtetit ndaj studentëve”

Sipas Hodait, Qeveria i trajton paratë që ndan për studentët si shpenzim shtesë për buxhetin.

“Ndërkaq, ne si Forum për Ndryshime në Arsim, paratë që shkojnë te studentët, tek arsimi, i shohim si investim. Ajo që investon sot në arsim dhe te studentët do të sjellë rezultate pozitive në të ardhmen dhe do të krijojë gjenerata që do të jenë më të afta për të udhëhequr sektorë të ndryshëm, por edhe institucionet në vend”, tha Hodai.

Këtë qasje ai e sheh te shujta e subvencionuar, vlera e së cilës, sipas tij, duhet të rishikohet, por edhe ndarja e bursave.

“Për shembull, mund ta shihni qasjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në lidhje me bursat studentore. E kanë zvogëluar numrin e studentëve me sukses të lartë që mund të marrin bursë për shkak të suksesit që kanë dhe e kanë rritur numrin e bursave për fushat strategjike për vendin”, tha Hodai.

Hodai e mbështet nxitjen e studentëve për të zgjedhur drejtime ku mungojnë kuadro. Ajo që vë në pikëpyetje është numri i bursave të parashikuara për këto drejtime, duke pasur parasysh sa prej tyre u ndanë një vit më parë.

“Për shembull, kanë pasur 125 bursa studentore për grupet strategjike dhe vetëm 90 janë plotësuar, sepse aq kanë qenë. Ndërkaq, të njëjtën kuotë tash po e rrisin nga 125 në 1.050”, tha Hodai.

Ai shprehu dyshimin se një pjesë e mjeteve të parashikuara për këto bursa mund të mbetet e pashfrytëzuar dhe të ridrejtohet për qëllime të tjera gjatë ribalancimit të buxhetit në vitin 2027.

Padia për shujtën studentore dhe përplasjet me kryeministrin dhe ministren e Arsimit

Për të drejtën e studentëve për shujtë të subvencionuar, Forumi ka ngritur padi kundër MASh-it. Duke folur për reagimet e kryeministrit dhe të ministres së Arsimit pas padisë, Hodai tha se përplasjet publike e zhvendosën vëmendjen nga çështja që ngritën studentët te personat dhe organizatat që e ngritën atë.

“Është një qasje skandaloze e Qeverisë dhe e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që po i targetojnë individët, organizatat e caktuara dhe studentët që mundohen t’ua bëjnë të qartë institucioneve se ku po e shkelin ligjin dhe çfarë duhet të zbatojnë nga obligimet ligjore që kanë”, tha Hodai.

Ai shtoi se kryeministri dhe ministrja e arsimit i shohin studentët si kërcënim, ndërsa se Forumi do ta ndjekë çështjen e ushqimit të subvencionuar në rrugë gjyqësore.

Në përgjigjen e 25 nëntorit për Portalb.mk, Gjykata Administrative bëri të ditur se procedura për padinë e Forumit kundër MASh-it nisi më 6 nëntor 2026 dhe se lënda u regjistrua me numrin U-1.nr.552/2026. Më 10 nëntor, gjyqtari raportues ia dërgoi padinë Ministrisë për përgjigje dhe i kërkoi shkresat e lëndës. Ministria ia dorëzoi gjykatës shkresat më 20 nëntor, në mënyrë elektronike, përmes platformës EPUS.

“Deri në momentin e përgatitjes së kësaj përgjigjeje, për lëndën në fjalë ende nuk është caktuar seancë publike”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Administrative.

Çfarë kërkuan studentët në anketën e Portalb.mk?

Në anketën me 173 studentë, 93 thanë se shpenzojnë mbi 15 mijë denarë në muaj për jetesë dhe studime, ndërsa 120 e identifikuan familjen si burimin kryesor të financimit.

Kur iu kërkua të zgjidhnin një masë që do t’ua lehtësonte shpenzimet, 57 pjesëmarrës zgjodhën rritjen e shumës së shujtës studentore, 47 kërkuan bursa më të larta dhe 22 transport më të lirë.

Në storjen e fundit të serisë së teksteve për standardin studentor në vend biseduam me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Lexo storjet paraprake:

Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.
Arsimtar(e) Mesues(e) MësimBlendi HodaiGjykata Administrative RMVHristijan Mickoski HristianMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Rinia shqiptareStudentë