Arsimi dual në Maqedoninë e Veriut do të zyrtarizohet në një paketë me pesë ligje të tjera

Ligji me të cilin do të zyrtarizohet arsimi dual në sistemin e arsimit të mesëm do të bartet në paketë me pesë ligje të tjera, tha sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Ligji për arsimin e mesëm profesional është pjesë e kësaj pakete ligjesh sepse bëhet fjalë për zgjidhje që janë të ndërlidhura, sqaroi ministrja, duke shtuar se pret që ky proces të përfundojë në tetor, transmeton Portalb.mk.

“Aktualisht jemi duke përgatitur një paketë prej gjashtë ligjesh që janë të ndërlidhura. Është një ligj për arsimin fillor, një ligj për arsimin e mesëm, një ligj për arsimin e mesëm profesional, një ligj për arsimin e të rriturve dhe një kornizë kombëtare e kualifikimeve, dhe po e shtojmë ligjin për tekstet shkollore që të zgjidhim edhe problemin e ka/s’ka tekste, shtypim, blejmë dhe ta fillojmë vitin e ardhshëm në paqe”, tha Janevska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës së sotme në shkollën fillore “Gjorgija Pulevski” në Komunën e Aerodromit.

Gjithashtu, ministrja informoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) është duke punuar për gjashtë ligje të reja të cilat, siç tha ajo, duhet të miratohen shpejt. Sipas Janevskës, ndër to janë ligji për arsimtarët, për shërbimin pedagogjik, për Qendrën Shtetërore të Provimeve, ndërsa tashmë ka filluar puna për ligjin për arsimin e lartë, përgatitja e të cilit, shtoi ministrja, do të marrë kohë.

“Sido që të jetë, neve në Ministrinë e Arsimit na pret një dimër i gjatë, por ne vazhdojmë me të njëjtin ritëm”, tha ministrja.

Sa i përket arsimit dual, deri më tani është punuar mbi vullnetin e mirë të shkollave dhe me ligjin e ri do të bëhet pjesë e sistemit të arsimit të mesëm në vend. Duke folur për këtë temë javën e kaluar, edhe në përgjigje të pyetjeve zë gazetarëve, Janevska tha se me këtë koncept gjeneratat e ardhshme të nxënësve do të përgatiten për të hyrë në tregun e punës përmes arsimit cilësor.

Ajo tregoi se me këtë koncept, që parashikon punë praktike në kompani, kanë arritur të tërheqin shumë studentë dhe të ndryshojnë mendimin se arsimi i mesëm profesional nuk ka të ardhme ose se mund të jetë më pak i vlefshëm se gjimnazi.

Ndryshe, ministrja njoftoi se procesi me asistentët arsimor, në ditët në vijim do të përfundojë.

Sipas saj, po punohet për një zgjidhje sistematike për angazhimin e asistentëve, gjegjësisht është paralajmëruar se ligjet e reja për arsimin fillor, të mesëm dhe të mesëm profesional do të përcaktojnë një afat në të cilin duhet të përfundojë e gjithë procedura, gjegjësisht në muajin qershor do të dihen asistentët arsimorë për vitin e ardhshëm shkollor.

CTRL Z – CTRLZMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave të mesmeVesna Janevska