Bashkimi Evropian po zhvillon plane veprimi, sipas të cilave katër vendet që janë më pranë anëtarësimit në bllok do të marrin një rrugë të qartë dhe të detajuar drejt anëtarësimit, ndërsa vendet e tjera do të lihen jashtë. Në grupin e dytë është edhe Maqedonia e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Janë duke u shqyrtuar udhërrëfyes të posaçëm për Malin e Zi, Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë, deklaruan për “Politico” dy zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian që po punojnë për draft-propozimet.
Këto katër vende konsiderohen si favorite për anëtarësim në BE, por ende përballen me progres të ngadaltë dhe afate të paqarta se kur mund të pranohen zyrtarisht. Edhe pse Brukseli prej kohësh i mbështet kandidaturat e tyre për anëtarësim, këta udhërrëfyes nënkuptojnë se ato do të marrin garanci se do të pranohen nëse vazhdojnë me reformat themelore, si dhe afate të përkohshme për përfundimin e negociatave.
“Udhërrëfyesit do të sqarojnë saktësisht se çfarë pritet nga secili vend kandidat dhe do të krijojnë detyrime për vendet anëtare aktuale, të cilat duhet të japin pëlqimin që procesi të vazhdojë. Planet gjithashtu përcaktojnë data të përafërta se kur kapitujt negociues do të përfundojnë zyrtarisht”, tha njëri nga zyrtarët.
Në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit në shtator, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, premtoi mbështetje të synuar për vendet kandidate që kanë shënuar përparimin më të madh.
Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinës nuk do t’u ofrohen udhërrëfyes në këtë fazë, konfirmuan zyrtarët. E njëjta vlen edhe për Gjeorgjinë, Turqinë dhe Serbinë, aplikimet e të cilave kanë ngecur për shkak të shqetësimeve për regresin demokratik dhe gjyqësor.
“Udhërrëfyesit e rinj do të sigurojnë një rrugë drejt përfundimit të negociatave të anëtarësimit dhe do të përcaktojnë një listë të qartë të prioriteteve: afate dhe rezultate konkrete që do t’i ndihmojnë kandidatët më të avancuar të zbatojnë reformat e nevojshme”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Mickoski: Nuk do të hyjmë në aventurë pa e ditur se fundi është i arritshëm, BE-ja të përfshihet në mosmarrëveshjen me Bullgarinë
- LEXO: Mickoski: Kurrë më në një proces të ri me Bullgarinë pa parashikueshmëri, BE të jetë e pranishme në bisedimet me Sofjen
- LEXO: Mickoski nga Uashingtoni: Nuk ka tërheqje nga bisedimet me Bullgarinë, patriotët e vërtetë luftojnë dhe fitojnë