ANALIZË: Regjistrimi i bujqësisë, i dyti në shtetin e pavarur, po e humbim burimin e ushqimit

Vitin e ardhshëm do të bëhet regjistrimi i bujqësisë, për herë të parë pas 20 vitesh nga regjistrimi i fundit, i zhvilluar në vitin 2007. Do të regjistrohen familjet bujqësore, kompanitë nga sektori i bujqësisë, kooperativat bujqësore, si dhe sipërmarrësit e regjistruar me veprimtari mbizotëruese në fushën e prodhimit bujqësor. Një pjesë e ekspertëve thonë se ky proces duhet të zhvillohet në mënyrë transparente, në mënyrë që të sigurojë të dhëna të besueshme, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Disa degë të bujqësisë në rënie, regjistrimi i rëndësishëm për të pasqyruar gjendjen reale

Në nivel vjetor, vlera e disa prej degëve më të përfaqësuara të bujqësisë është në rënie. Të dhënat e përpunuara nga Portalb.mk nga baza e Entit të Statistikës tregojnë se në këtë grup bëjnë pjesë “prodhimi i drithërave”, i cili në vitin 2024 kishte vlerë prej 106.000.000 eurosh, si dhe “blegtoria”, vlera e së cilës arrinte në 119.300.000 euro. Vlera e prodhimit të kulturave industriale, foragjere dhe hortikulturore është rritur. Sipas bujqve, kjo rritje është rezultat, ndër të tjera, i trendit rritës të çmimeve në vitin 2024 dhe i sipërfaqeve të rritura të mbjella me këto kultura.

Çfarë do të nënkuptojë Regjistrimi i Bujqësisë, i cili kontribuon me pothuajse 6% në PBB-në e përgjithshme të vendit?

Sipas njerëzve nga ky sektor, regjistrimi është i rëndësishëm sepse duhet të japë një pasqyrë të plotë të gjendjes dhe të rezultojë në një bazë për krijimin e masave reale dhe të qëndrueshme për bujqësinë, thotë për Portalb agronomi dhe bujku, Risto Vellkov.

“Në nivel shtetëror nuk është bërë ‘analizë pedologjike’, që nënkupton ekzaminimin profesional të tokës për të përcaktuar se cila kulturë mund të mbillet në cilin lloj toke. Regjistrimi është një operacion shumë i rëndësishëm, i cili, ndër të tjera, do të përfshijë edhe regjistrimin e numrit të kafshëve dhe të sipërfaqeve të punueshme. Regjistrimi duhet të japë përgjigje për fondin blegtoral, prodhimin bujqësor, si dhe të dhëna për vreshtarinë dhe hortikulturën. Një pjesë e këtyre të dhënave duhet të jenë të njohura edhe përmes shifrave për subvencionet e ndara. “Do të jetë e rëndësishme që procesi të jetë transparent”, thotë Vellkovi.

Në propozim-ligj saktësohet se me regjistrimin nuk do të përfshihen vetëm familjet me kopshte shtëpiake.

“Do të mblidhen të dhëna për ekonominë bujqësore, prodhimin organik, fuqinë punëtore, blegtorinë dhe prodhimin blegtoral, ujitjen dhe plehërimin e tokës, mekanizimin dhe pajisjet, si dhe masat e përdorura për zhvillimin rural”, thuhet në tekst.

Subvencionet dhe blerja e produkteve nga bujqit

Aktualisht, sipas bujqve, disa degë janë në rënie të vazhdueshme, ndërsa një nga problemet kryesore me të cilat përballen është pagesa jo e rregullt e subvencioneve.

“Në nivel shtetëror ka rreth 530.000 hektarë sipërfaqe të punueshme, por sa prej tyre në të vërtetë kultivohen… Përballemi me rënie në kultura të caktuara. Më e rëndësishmja është që çmimet e blerjes të dihen paraprakisht dhe të ketë qendra grumbulluese dhe distributive, të cilat ishin premtuar. E rëndësishme është edhe pagesa në kohë e subvencioneve, e cila është e rregulluar me ligj, deri në fund të vitit aktual, përveç për një pjesë të prodhuesve të kulturave kopshtare dhe blegtorëve”, shpjegon Vellkovi.

Sipas të dhënave të fundit të disponueshme nga Enti i Statistikës, në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, blerja nga fermerët individualë është ulur për 15,1%, ndërsa shitja nga prodhimi vetjak është rritur për 15,7%. Sipas strukturës, rritje ka në sektorët “peshk” dhe “pije alkoolike”, ndërsa rënie është regjistruar në blegtori, pemëtari dhe vreshtari.

Çfarë po ndodh saktësisht në bujqësi?

Këtë duhet ta tregojë Regjistrimi i bujqësisë, për të cilin duhet të sigurohen edhe mjete financiare. Në tekstin e propozuar ligjor nuk përcaktohet se sa do të kushtojë ky proces.

“Zbatimi i Regjistrimit të bujqësisë në vitin 2027 do të shkaktojë implikime financiare për Buxhetin në vitin aktual kur edhe duhet të realizohet, por edhe për vitin pas Regjistrimit, për përpunimin e të dhënave”, thuhet në tekstin e propozuar, ku theksohet se regjistrimet e bujqësisë janë zhvilluar në vitet 1960, 1969 dhe 2007.

Sipas afatit kohor, Regjistrimi do të zhvillohet nga 1 tetori deri më 30 nëntor 2027, në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Analiza Ekonomike e PortalbitBujqësi - Bujk - FermerëMinistria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU)