Ana Mihajlov është drejtoresha e re në detyrë e Agjencisë që menaxhon me fondet Erasmus+

Bordi Drejtues i Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri dje anuloi shpalljen për zgjedhjen e një drejtori. Pas anulimit të shpalljes për drejtor, siç mëson “Slloboden Peçat”, këto ditë do të emërohet një drejtoreshë e përkohshme, Ana Mihajlov, e cila do të zëvendësojë Petar Bogojeskin. Ana Mihajlov është një nga pesë kandidatët që aplikuan në shpalljen për drejtor që është anuluar. Përveç saj, aplikuan edhe Darko Dimitrov, Ivan Tasevski, Biljana Stefanovska dhe Aleksandar Bogojeski, transmeton Portalb.mk.

Pavarësisht faktit që Sloboden Peçat kërkoi përgjigje zyrtare nga Agjencia për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri në lidhje me arsyen e anulimit të shpalljes, nuk morën përgjigje. Arsyet mbeten mister. Jozyrtarisht, Komisioni Evropian kërkoi biografitë e kandidatëve, por vendimet e Bordit të Drejtorëve të marra dje u morën pa pritur ndonjë mendim nga KE-ja për to.

Disa nga burimet e Slloboden Peçat thonë se megjithëse Petar Bogojeski ka paraqitur dorëheqjen e tij, ajo nuk ka fuqi ligjore nëse nuk kryhet një procedurë e përcaktuar me ligj pas një shpallje publike për drejtor të ri. I tillë ishte rasti në të kaluarën, kur Marko Gjorgievski paraqiti dorëheqjen e tij, dhe Bogojeski u zgjodh përmes një njoftimi. Megjithatë, në rastin aktual, Agjencia do të vazhdojë të funksionojë me drejtor të përkohshëm. SP ka kërkuar një koment nga Bogojeski, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje prej tij.

Edhe pse Komisioni Evropian nuk ndërhyn në emërimet kombëtare, ai monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të kërcënojnë integritetin, paanshmërinë dhe zbatimin cilësor të programeve të financuara nga BE-ja për shkak të rrezikut që rrjetet joformale të marrin kontrollin e menaxhimit të agjencisë.

Agjencia Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmërinë është përgjegjëse për zbatimin e programit Erasmus+ në Maqedoni, i cili çdo vit shpërndan miliona në grante në sektorët e arsimit, të rinjve dhe shoqërisë civile.

Kujtojmë se, ardhja e drejtorit paraprak, Bogojeskit në krye të ANPAEM u cilësua nga opinioni si skandaloze për faktin se qëndrimet e tij nuk përkojnë me qëllimet e institucionit ku ai është emëruar. Partitë opozitare shqiptare e vlerësuan si “provokim në dëm të bashkëjetesës dhe perspektivës evropiane”, ndërkaq koalicioni shqiptar në pushtet VLEN nuk e cilësoi si shqetësim emërimin e Bogojeskit për drejtor.

Agjencia Nacionale për Programe Studimore Evropiane dhe Mobilitet (ANPSEM)Erasmus & Erasmus +