“Idealet janë më të fuqishme se çdo politikë.”
Të shtunën që shkoi në Tetovë “Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art -Akademia”organizoi konferencën e vet të shtatë të titulluar “Shqiptarët në Maqedoni: Jeta në mjediset rurale dhe urbane” ku u prezantuan 21 kumtesa që trajtojnë dimensione të ndryshme të shoqërisë shqiptare në RMV nga e kaluara deri më sot. Ndër subjektet e rrahura ishin Penestia historike dhe arkeologjike (N. Ceka), rinia dhe atdheu: nëj realitet i ri (F. Tarifa), getoizimi në epokën e qyteteve inteligjente (autori i këtij shkrimi), migrimi (I. Kadriu), kujtesa kosovare dhe mikriptja shqiptare në Maqedoninë 1999 (Sh. Krasniqi), pushteti lokal më i decentralizuar (M. Maksuti), arsimi në komunën e Çairit (Xh. Idrizi), Tetova dhe lufta çlirimtare e Kosovës (Z. Rexhepi), multietniciteti i qyteteve në RMV (A. Abduli), zyrtarizimi i shqipes (M. Halili), diaspora shqiptare (D. Hebibi), sociologjia e vendbanimeve shqiptare (H. Jashari) etj.
Pra profile të ndryshme elaboruan çështjet sociale që na tangojnë të gjithë neve, edhe si komunitet këtu, por edhe si makro-shoqëri shqiptare deri në diasporë. Demografia është fati ynë – ishte shprehur dikur Auguste Comte. Jemi kah tkurremi në aspektin numerik sipas të gjitha parametrave, ndoshta jo sa bashkësitë përreth por sërish po zvogëlohemi si statistikë. Ndryshon koncepti i familjes, por edhe migrimi është gjë inherente; njerëzit shkojnë atje ku ndjejnë se mund të vetërealizohen, ku mendojnë se fëmijët e tyre mund të jetojnë më mirë. “Trutë shkojnë atje ku është paraja” – theksoi prof. Tarifa. Në një kohë të IoT, internet of things, të, infosferës, të netizenit dhe shoqërisë globale, koncepti për atdheun nuk është si ai i mëparshmi, ka ndryshuar semantikën e vet, kuptimin e vet moral. S’duhet të kërkojmë që yjet tona të shkencës së përbotshme të kthehen në vendlindje. Laura Mersini-Houghton, kozmologe dhe fiziene teorike, kardiologu Adnan Kastrati nga “Deutsches Herzzentrum” me mbi dyqindmijë citime, Mira Murati janë ikona të shqiptarisë në ligën e kampionëve të shkencës.
Në nivelin lokal, kur po përpjekje hapa për t’u ngritur në aspektin e vetëdijes dhe dijes u konstatua se përkundër të gjitha anomalive dhe pengesave në rrugë, shqiptari i Maqedonisë ka bërë hapa markantë. Interesant ishte shembulli një nga ligjëruesit e dha në lidhje me Çashkën shumë të përfolur të këtyre ditëve, që në katër vitet e ardhshme do të qeveriset nga shqiptarët. Aty, në fillim të viteve 1990, në lokalin e fshatit gjatë takimeve për të të rrjetëzuar prosperitetin (PPD-në), kryesuesi i auditorit, i pari i katundit, ishte roja e pyllit. Gjithë prezentët bënin me gisht kah ai, “s’kemi çfarë të themi pasi ai të ketë folur”- thonin ata. Ndërsa sot nga ajo zonë periferike kemi njerëz me tituj shkencorë, numër të madh të diplomuarish dhe studentësh që me krenari shprehin përkatësinë e tyre etnike, që etërit e tyre ishin të detyruar ta jetonin në ilegalitet (fshehur), të mos e tregonin në publik. “Kështu na duan ata” – mendova më vete. Ngjashëm siç francezët i kanë trajtuar veriafrikanët; i kanë lënë të lirë vetëm ata që s’kanë ditur të numërojnë deri në dhjetë. Shqiptarët e këtushëm sot e kanë një nga fshatrat më të industrializuara (mbi 130 firma: përpunim druri, ushqimore, produkte cinku) në Maqedoni, Xhepçishtin, që është rritur aq shumë saqë njerëzit nuk njihen mes vete, pra janë anonimizuar, që tregon se plotësojnë një kusht për të kaluar në stadin e qytezës. Ky fshat numëron mbi 20 profesorë universitarë që flet për fuqinë e dijes. Pra biznesi dhe shkollaria krah për krahu. Arsimi ka transformuar revolucionarisht një njësi rurale – tha prof. Xh. Murati.
Megjithatë prof. Jashari ceku se kemi shumë për të mësuar nga ‘bota e parë’. “Para disa javësh isha në Utrecht të Holandës dhe ja fotografia e fëmijëve që shkojnë në shkollë, në këmbë, në grup. Ndërsa shikoni foton tjetër të Tetovës, nëna me makina që u grahin vetë, që i sjellin dhe i marrin fëmijët e tyre dhe që bllokojnë trafikun”. Ky është dallimi në aspekt të emancipimit. Ata kanë vetura por ecin në këmbë ose me biçikleta, ndërsa ne edhe për kafe dalim me makinë.
Tre vjet më parë akademikja maqedonase Katica Qullafkova, paternalistja në “dezhurë e maqedonizmës” pati deklaruar se shqiptarët duhet ta hapin akademinë e tyre, “të tretën”, përpos asaj të Tiranës dhe Prishtinës. Nëse në AMShA (Akademia Maqedonase e Shkencave dhe e Arteve), të cilën ne shqiptarët ngulmojmë ta quajmë AShAM, dera për intelektualët shqiptarë mbetet e hapur minimalisht, sa për sy e faqe. Është shumë e natyrshme që spektrumi akademik shqiptar të kërkojë alternativë, hap ky që e zgjeron çarjen e shoqërisë së quajtur Maqedoni e Veriut. Statusi aktual i joqeveritares “Akademia” nuk nënkupton gjendjen e vazhdueshme të këtillë. Idealet janë më të fuqishme se politika miope nacionaliste. Monopol në shkencë s’ka. Në SHBA përveç NAS (Akademisë Kombëtare e Shkencës, 1863) ekziston edhe “American Academy of Arts and Sciences” (AAAS) (1780), në Gjermani ka disa “Akademi të Shkencave” në nivele rajonale (p.sh. Akademia e Shkencave e Bavarisë, e Saksonisë), në Serbi BANU (Akademia Boshnjake e Shkencave dhe e Arteve, 2011), EAN (Akademia Europiane e Shkencës, 2013)…
Dhe në fund kuptimi i shprehjes “Y’asked f’it”: është version informal i “You asked for it”, që simbolizon TV show-n amerikan nga vitet 1950-2000. Pra “Ju e shkaktuat atë!” Etnocentrizmi akademik e detyroi shkollarinë shqiptare të ideojë dhe themelojë një institucion që tanimë po i mbush tre vjet të ekzistencës së vet, këtë fidan që synon të jetë rrap i identitetit dhe kulturës sonë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.