Zejtaria nuk është thjesht një profesion, por një pasuri kombëtare që mbart histori, traditë dhe mundësi të mëdha ekonomike. Kështu deklaroi në një intervistë për Portalb.mk Agron Fazliji, kryetar i Odës së Zejtarëve të Maqedonisë së Veriut. Fazliji gjithashtu potencoi se zejtarët përballen me disa sfida kryesore, si konkurrenca e tregut, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe sfidat administrative e fiskale. Përveç kësaj, korrupsioni mbetet një problem serioz, duke krijuar barriera për zejtarët në procesin e aplikimit për mbështetje financiare dhe lehtësira administrative.
Portalb.mk: Agron na tregoni cilat janë sfidat që hasin zejtarët në vendin tonë?
Agron Fazliji: Zejtarët përballen me disa sfida kryesore, si konkurrenca e tregut, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe sfidat administrative e fiskale. Një ndër problemet më të mëdha mbetet konkurrenca joformale dhe ekonomia gri, e cila ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin e zejtarëve të rregullt dhe ul konkurrencën e ndershme. Përveç kësaj, korupsioni mbetet një problem serioz, duke krijuar barriera për zejtarët në procesin e aplikimit për mbështetje financiare dhe lehtësira administrative. Kjo është arsyeja pse ne si Odë po punojmë në drejtim të krijimit të një ambienti më të drejtë, të formalizuar dhe të favorshëm për të gjithë zejtarët në vend.
Portalb.mk: A mendon se duhet krijuar një mjedis më të përshtatshëm për të rinjtë dhe a duhet të motivohen dhe mbështeten në karrierat e tyre në zejtari?
Agron Fazliji: Pa dyshim që po! Të rinjtë janë e ardhmja e zejtarisë, dhe ne duhet t’i motivojmë që ta shohin këtë profesion si një mundësi të qëndrueshme dhe fitimprurëse. Një nga masat pozitive që ata tashmë po shfrytëzojnë është programi për vetëpunësim, i cili këtë vit, me kërkesën e Odës, është rritur në 10,000 euro për hapjen e një biznesi zejtar. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në drejtimin e duhur, por ne duhet të punojmë edhe më shumë për të krijuar më shumë mundësi, lehtësira dhe përfitime për të rinjtë nga institucionet shtetërore dhe ato lokale. Kjo do t’i ndihmojë të rinjtë të ndërtojnë një karrierë të suksesshme në zejtarinë moderne, duke kombinuar traditën me inovacionin.
Portalb.mk: Sa kanë mbështetje institucionale zejtarët?
Agron Fazliji: Mbështetja institucionale ekziston dhe është e rëndësishme për zhvillimin e zejtarëve. Qeveria, veçanërisht Ministria e Ekonomisë dhe Punës, çdo vit siguron subvencione për zejtarët, të cilat përfshijnë mbështetje për repromateriale, pajisje dhe rinovimin e punëtorive. Këto masa kanë dhënë rezultate konkrete dhe janë të rëndësishme për zhvillimin e sektorit, por ne kërkojmë që këto fonde të shumëfishohen, në mënyrë që mbështetja të jetë më e gjerë dhe të ndihmojë një numër edhe më të madh zejtarësh.
Portalb.mk: Sa po ruhet tradita jonë kulturore dhe historike?
Agron Fazliji: Tradita jonë kulturore dhe historike është një pasuri kombëtare që zejtarët e ruajnë dhe e përcjellin brez pas brezi. Për fat të mirë, përveç angazhimit të zejtarëve dhe Odës, edhe autoritetet lokale kanë dhënë ndihmë konkrete, sidomos për mbështetjen e zejeve të vjetra. Një hap shumë i rëndësishëm në këtë drejtim është hapja e dyqaneve të suvenireve, të cilat krijojnë mundësi për plasimin e produkteve autoktone dhe promovimin e zejtarëve vendas. Kumanova tashmë ka një dyqan të tillë, ndërsa po punojmë intensivisht që edhe Shkupi dhe Ohri të kenë të njëjtën mundësi. Ne jemi në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me autoritetet për ta realizuar këtë sa më shpejt, duke krijuar një rrjet të fuqishëm të dyqaneve zejtare që do të ndihmojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e tregut për produktet autoktone.
Portalb.mk: Zejtarët e rinj po e rinovojnë këtë sektor duke sjellë një qasje më moderne dhe duke përdorur teknologji të reja për të promovuar dhe shitur produktet e tyre, a mendon se po e dëmton kjo trashëgiminë?
Agron Fazliji: Përkundrazi, teknologjia dhe inovacioni nuk dëmtojnë zejtarinë, por e ndihmojnë atë të mbijetojë dhe të përshtatet me kohën. Sot, teknologjitë moderne si printimi 3D, marketingu digjital dhe platformat e-commerce po i ndihmojnë zejtarët të arrijnë një audiencë më të gjerë dhe të rrisin shitjet e tyre. E rëndësishme është që tradita të ruhet, ndërsa inovacioni të shërbejë për ta përmirësuar dhe përshtatur me kërkesat e tregut modern.
Portalb.mk: Sa keni bashkëpunimit mes Odës dhe zejtarëve?
Agron Fazliji: Bashkëpunimi mes Odës dhe zejtarëve është një prioritet kyç për ne. Ne organizojmë aktivitete, trajnime dhe mbështetje për zejtarët, duke krijuar një platformë ku ata mund të shprehin nevojat dhe sfidat e tyre. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet për të siguruar që zejtarët të kenë mbështetjen e duhur dhe që politikat ekonomike të jenë sa më të favorshme për ta. Synimi ynë është të fuqizojmë zejet dhe të krijojmë një mjedis më të mirë për të gjithë zejtarët në vend.
Portalb.mk: Sa zeje janë të regjistruara në Odën e Zejtarëve të Maqedonisë së Veriut?
Agron Fazliji: Zejtaria është një gamë e gjerë profesionesh, që përfshin nga ndërtimtaria deri te turizmi, artizanati, gastronomia, përpunimi i metaleve dhe drurit, shërbimet estetike dhe shumë të tjera. Aktualisht, në Odën e Zejtarëve janë të regjistruara mbi 20,000 veprimtari zejtareske, një numër që tregon rëndësinë e madhe të këtij sektori në ekonominë e vendit. Ne synojmë ta rrisim edhe më tej këtë numër përmes promovimit të zejtarëve të rinj dhe krijimit të më shumë mundësive mbështetëse për ta.
Portalb.mk: Cili do të ishte mesazhi i juaj deri te audienca e gjerë dhe deri te rinia?
Agron Fazliji: Zejtaria nuk është thjesht një profesion, por një pasuri kombëtare që mbart histori, traditë dhe mundësi të mëdha ekonomike. Ky sektor përfshin gjithçka, nga ndërtimtaria deri te turizmi, duke krijuar hapësira të shumta për zhvillim personal dhe profesional. Të rinjtë duhet ta shohin zejtarinë si një mundësi të shkëlqyer për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme dhe të pavarur. Me mbështetjen e duhur dhe me qasjen e re inovative, ata mund ta zhvillojnë këtë sektor duke e përshtatur me kohën dhe kërkesat e tregut. Për audiencën e gjerë, mesazhi im është i qartë: mbështesni zejtarët vendas, blini produkte të punuara me dorë dhe ndihmoni në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.