A mund t’i besohet sërish medias? Aidan White zbulon rrugën drejt rikthimit të besimit

Media sot vuan nga mungesa e besimit të publikut për shkak të përhapjes tepër të madhe të dezinformatave, paragjykimeve dhe propagandës, veçanërisht përmes rrjeteve sociale, duke krijuar konfuzion dhe skepticizëm madje edhe për informacionin e hulumtuar hollësisht. Ky mosbesim shtohet nga dështimi i medias për t’u lidhur me realitetet dhe shqetësimet e njerëzve të zakonshëm, dhe ato shpesh duken si elitare dhe të shkëputura nga njerëzit. Për të rindërtuar besimin, organizatat mediatike duhet t’u përmbahen parimeve të gazetarisë etike, të ruajnë transparencën në lidhje me pronësinë dhe praktikat e tyre, dhe të angazhohen në mënyrë domethënëse me publikun, thotë Aidan White në një intervistë për Portalb.mk. Ai thotë se mekanizmat si Iniciativa e Besimit në Gazetari, e cila përfshin verifikimin e pavarur të praktikave mediatike, mund të ndihmojnë në krijimin e besueshmërisë dhe t’i dëshmojnë publikut se ato janë parimore dhe të besueshme.

Nga: Elida Zylbeari

Aidan White është themeluesi i Rrjetit të Gazetarisë Etike (Ethical Journalism Network – EJN) dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ) për 25 vjet, ka punuar gjerësisht si gazetar dhe avokat për të drejtat e njeriut, etikën dhe lirinë e shtypit. Ai luajti një rol kyç në krijimin e iniciativave globale si IFEX dhe INSI, shërbeu në panelin e emërimeve të IMPRESS në vitin 2014 dhe redaktoi raporte me ndikim të EJN-së mbi tema të tilla si liria e medias, korrupsioni dhe gazetaria në epokën e post-vërtetës përpara se të largohej nga pozita e drejtorit të EJN-së në vitin 2018 dhe të bëhej Kryetar Nderi në vitin 2021.

Pse media po vuan nga mungesa e besimit në ditët e sotme?

Aidan White: Ne jetojmë në një kohë ku ka një problem të madh me besimin, jo sepse publiku apo bota në përgjithësi është kundër gazetarisë, por për shkak të mënyrës se si njerëzit e marrin informacionin sot. Ka një sasi të jashtëzakonshme paragjykimesh, propagande dhe komunikimesh abuzive, veçanërisht përmes rrjeteve sociale. Njerëzit janë të hutuar dhe të pasigurt për atë se çfarë është e vërtetë e çfarë jo. Si rezultat i kësaj, ata nuk i besojnë më informacionit, majde edhe kur ai është i hulumtuar hollësisht ose i prodhuar nga shkencëtarë dhe studiues të besueshëm, gjë që është jetike për ta kuptuar botën.
Kjo mungesë besimi rrjedh nga disa faktorë. Njëra është natyra e ndryshueshme e vetë komunikimit. Gjithandej ka një sasi të madhe të dezinformatave, përmbajtjeve abuzive, informacioneve joetike dhe me fakte të pasakta, gënjeshtrave keqdashëse dhe propagandës. Kjo krijon një mjedis informacioni kaotik.
Politikisht, shohim se qeveritë dhe aktorët e ndryshëm i përdorin rrjetet e informacionit për të përhapur informacione mashtruese dhe për komunikime abuzive. Kjo ndërhyrje ndikon në proceset demokratike, siç janë zgjedhjet. Si rezultat i këtij kaosi të informacionit, njerëzit kanë ndryshuar – ata tani kanë më pak besim në burimet e jashtme të informacionit dhe në vend të kësaj mbështeten në rrjetet e tyre të ngushta personale për t’u informuar. Kjo përfshin miqtë, fqinjët dhe grupet e komunitetit, si p.sh. ato në WhatsApp. Ky kalim drejt komuniteteve të ngushta dhe të lokalizuara për të marrë lajme dhe informacione ka krijuar një problem më të gjerë besimi, i cili është shumë i rrezikshëm. Rreziku qëndron në potencialin që informacioni keqdashës të ketë një ndikim të panevojshëm në shoqëri. Për shembull, është bërë shumë e lehtë të përhapet gjuhë e urrejtjes, të nxitet dhunë dhe të përshkallëzohen tensionet, veçanërisht gjatë kohërave të konfliktit ose vështirësive ekonomike. Mediat luajnë një rol vendimtar në luftimin e kësaj. Gazetaria profesionale ka një përgjegjësi shoqërore për të ofruar informacion të besueshëm për publikun.

Zylbeari dhe White, foto nga Elia Chevrier, UNESCO

Por, a e kanë dëshmuar mediat veten se janë mjaftueshëm të besueshme? E kam fjalën konkretisht për mediat profesionale.

Aidan White: Shumë punonjës të mediave mund të besojnë se e kanë bërë këtë, por unë nuk mendoj se e kanë bërë. Ata nuk e kanë vërtetuar këtë bindshëm. Merrni si shembull Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mediat profesionale në SHBA menduan se po thoshin të vërtetën – dhe në një masë të madhe e bënin këtë. Ata raportuan të vërtetën për Donald Trumpin: mizogjininë e tij, racizmin e tij, shkeljen e supozuar të ligjit nga ana e tij, mosbesueshmërinë e tij dhe të gjitha gjyqet me të cilat u përball. Megjithatë, përkundër faktit se ata e thanë të vërtetën, shumë njerëz votuan për të.

Pse?

Aidan White: Sepse përderisa mediat u fokusuan në ekspozimin e të metave të Trumpit, ato nuk arritën të lidhen me realitetet e jetës së votuesve. Shumë votuesv nuk ishin të interesuar për akuzat kundër Trumpit. Për ta, e vërteta për Trumpin ishte dytësore. Ajo që kishte më shumë rëndësi ishte besimi i tyre se ai mund ta përmirësonte jetën e tyre ekonomikisht ose t’i mbështeste familjet e tyre. Shumë nga këta votues ishin nga shtresat më të ulëta socio-ekonomike dhe mediat nuk i kushtuan vëmendje prioriteteve të tyre. Ky ishte gabimi i mediave. Nuk mjafton vetëm të thuhet e vërteta. Mediat amerikane nxorën një mësim të rëndësishëm: është thelbësore jo vetëm të raportosh të vërtetën, por të lidhesh me njerëzit, të kuptosh perspektivat dhe motivimet e tyre. Pa këtë lidhje, edhe raportimi më i saktë nuk do të jetë i arsyeshëm.

Në një nga fjalimet tuaja publike ju keni thënë se mediat janë bërë elitare, ose se ekziston rreziku që ajo të bëhet elitare. A mund ta shpjegoni këtë?

Aidan White: Gjithsesi. Një nga problemet e gazetarisë sot është ndarja mes medias dhe publikut të gjerë. Personalitetet nga mediat elitare shpesh besojnë se ata e kuptojnë botën më mirë se publiku dhe se kanë autoritetin t’u tregojnë njerëzve se si dhe çfarë të mendojnë. Ky qëndrim është i rrezikshëm.

Mediat për lajme dhe gazetarët nuk duhet të jenë elitarë; ata duhet të jenë pjesë e shoqërisë. Ata duhet t’i kuptojnë të gjitha nivelet e piramidës sociale – si jetojnë, punojnë dhe mendojnë njerëzit. Kur mediat nuk arrijnë të lidhet me njerëzit në fund të piramidës, këta njerëz do t’i injorojnë ato. Kjo shkëputje është ajo që ndodhi në SHBA dhe në shumë zgjedhje në mbarë botën.

Këtë vit, kemi parë një valë zgjedhjesh globalisht dhe pothuajse në çdo rast, votuesit u kanë dërguar mesazhe të forta qeverive ekzistuese. Kjo ndodhi në Francë, Britani, në të gjithë Evropën dhe SHBA. Këto rezultate e nxjerrin në pah faktin se sa dobët mediat ishin të lidhura me publikun, gjë që çoi në një erozion të rrezikshëm të besimit.

Mediat ka nevojë për besimin e publikut për të funksionuar në mënyrë efektive. Për ta rifituar atë, mediat duhet të jenë transparente, të përgjegjshme dhe të lidhura me njerëzit të cilëve u shërbejnë.

Pra, si mundet mediat të rikthejnë besimin e publikut?

Aidan White: Për ta rikthyer besimin e publikut, mediat duhet të fokusohet në tre fusha kryesore. Së pari, ata duhet t’i përkushtohen vlerave të gazetarisë profesionale, duke iu përmbajtur parimeve etike si saktësia përmes raportimit të bazuar në fakte, pavarësia nga ndikimet politike ose nga kompanitë, humanizmi duke iu shmangur shfrytëzimit të grupeve të cenueshme ose nxitjes së dhunës, dhe llogaridhënia duke i korrigjuar gabimet dhe duke marrë përgjegjësinë për gabimet. Së dyti, transparenca është thelbësore; organizatat mediatike duhet të tregojnë qartë se kush është pronari i tyre, si financohen, cilat janë politikat e tyre dhe a kanë ndonjë anësi politike apo financiare. Së fundmi, mediat duhet të lidhen me publikun duke u përfshirë drejtpërdrejt me të, duke i dëgjuar shqetësimet e njerëzve dhe duke i kuptuar perspektivat e tyre.

Si mund t’i demonstrojnë mediat këto përkushtime në praktikë?

Aidan White: Mediat mund të adoptojnë mekanizma për të vërtetuar besueshmërinë e tyre, si vetë-vlerësimi dhe certifikimi i pavarur. Një shembull i mirë është Iniciativa e Besimit në Gazetari (JTI), e cila i inkurajon organizatat mediatike të prodhojnë raporte që prezantojnë në detaje se si ato i respektojnë të drejtat e njeriut, i përmbahen etikës së gazetarisë dhe i përshkruajnë strukturat e tyre të pronësisë dhe politikat redaktuese. Këto raporte më pas verifikohen nga organe të pavarura të revizionit dhe pasi të certifikohen, organizatat mediatike mund t’ia paraqesin këtë publikut si dëshmi të transparencës, sjelljes etike dhe profesionalizmit të tyre. Ky certifikim i verifikueshëm ndihmon në ndërtimin e besimit sepse u mundëson njerëzve të konfirmojnë në mënyrë të pavarur pretendimet e medias.

Pse është e rëndësishme kjo?

Aidan White: Në një botë të mbushur me mashtrime, gënjeshtra dhe pandershmëri, mekanizmat si Iniciativa e Besimit në Gazetari janë jetike. Ato ofrojnë një mënyrë të besueshme për mediat që të demonstrojnë besueshmërinë e tyre dhe të rifitojnë besimin e publikut.

Elida ZylbeariGazetarë - Gazetari - MediaIntervistë