Shenjtëria e dyerve të hapura

Në traditën shqiptare, dera e hapur ka qenë gjithmonë më shumë se një shenjë mikpritjeje. Ajo ka përfaqësuar një kod moral, një mënyrë të të kuptuarit të marrëdhënies me tjetrin. Mysafiri nuk duhej të ishte domosdoshmërisht i njohur, i afërt apo i ngjashëm me të zotin e shtëpisë për t’u pritur me nderim. Mjaftonte të trokiste në derë. Dhe dera hapej.

Por sa nga kjo traditë e kemi ruajtur në mënyrën se si mendojmë?

Është relativisht e lehtë ta hapësh derën e shtëpisë. Shumë më e vështirë është ta hapësh derën e mendjes. Të pranosh se dikush mund ta shohë botën ndryshe nga ti, të besojë ndryshe, të jetojë sipas vlerave të tjera, e megjithatë të mos jetë as më pak i denjë, as më pak i mirë, as më pak njerëzor.

Hannah Arendt, në veprën e saj Gjendja njerëzore, e vendos pluralitetin në themel të ekzistencës njerëzore. Për të, njerëzit janë të barabartë në qenien e tyre njerëzore, por njëkohësisht të veçantë dhe të papërsëritshëm. Pikërisht ky pluralitet e bën të mundur botën tonë të përbashkët. Dallimet nuk janë pengesë për bashkëjetesën, por pjesë e pandashme e saj.

Ne shpesh e ngatërrojmë respektin me pajtimin. Mendojmë se për ta respektuar tjetrin duhet domosdoshmërisht të pajtohemi me të, ose se pranimi i dallimeve nënkupton dobësimin e bindjeve tona. Në të vërtetë, njeriu që ndihet i sigurt në bindjet e veta nuk ka pse ta përjetojë çdo mendim ndryshe si kërcënim. Mendja e hapur nuk është mungesë parimesh. Është aftësia për t’i ruajtur parimet pa i kthyer ato në mure.

Filozofi Emmanuel Levinas, në veprën Totaliteti dhe pafundësia, e vendos përgjegjësinë ndaj Tjetrit në qendër të mendimit të tij etik. Tjetri nuk është thjesht një pasqyrim i vetvetes sonë dhe as dikush që duhet ta përshtatim me botëkuptimin tonë. Ai ka dinjitetin dhe veçantinë e tij, të cilat meritojnë respekt pavarësisht dallimeve.

Sa afër këtij mendimi qëndron, në thelbin e saj moral, tradita shqiptare e besës dhe e mikpritjes! Miku që hyn në shtëpinë tonë nuk duhet të dëshmojë se është si ne për të merituar respekt dhe mbrojtje. Dinjiteti i tij nuk është shpërblim për pajtimin me bindjet tona.

Megjithatë, kjo logjikë e thjeshtë morale shpesh humbet kur dalim nga hapësira e shtëpisë dhe hyjmë në hapësirën publike. Aty ku dikur do ta ftonim tjetrin të ulej në tryezën tonë, sot mund të mos jemi të gatshëm as ta dëgjojmë mendimin e tij. Kështu, një shoqëri mund të jetë krenare për traditën e dyerve të hapura, ndërkohë që bëhet gjithnjë e më e mbyllur ndaj ideve, besimeve dhe mënyrave të ndryshme të jetesës.

Edhe Rumi, në poezinë Shtëpia e mysafirëve, e përfytyron qenien njerëzore si një shtëpi ku vijnë mysafirë të papritur: gëzimi, trishtimi, frika dhe përjetimet e tjera të jetës. Ai na fton t’i mirëpresim edhe kur na trazojnë qetësinë. Kjo metaforë e botës sonë të brendshme na nxit të mendojmë edhe për marrëdhëniet me të tjerët: sa të gatshëm jemi të mirëpresim atë që nuk e njohim, nuk e kuptojmë apo që na sfidon bindjet?

Të jesh mendjehapur nuk do të thotë t’i konsiderosh të gjitha mendimet njësoj të drejta, as të heqësh dorë nga gjykimi kritik. Do të thotë të kesh guximin të dëgjosh pa paragjykuar, të mësosh pa u ndier i kërcënuar dhe, ndonjëherë, të ndryshosh mendim pa e përjetuar këtë si humbje.

Ndoshta këtu qëndron edhe kuptimi më i thellë i mikpritjes: jo vetëm t’i bësh vend tjetrit në shtëpinë tënde, por t’i bësh vend edhe në botën tënde. Sepse traditat nuk kanë vlerë vetëm për atë që na tregojnë për të kaluarën, por për mënyrën se si i jetojmë në të tashmen.

Në fund, shenjtëria e një dere të hapur nuk qëndron vetëm te fakti se ajo lejon dikë të hyjë, por te fakti se nuk kërkon që ai të heqë dorë nga vetvetja për të qenë i mirëpritur.

Sepse një derë që hapet vetëm për ata që na ngjajnë, në të vërtetë, nuk ka qenë kurrë plotësisht e hapur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Besa ArifiKolumnat e Portalbit