7 vjet nga ngjarja e armatosur në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës

Sot bëhen 7 vjet nga ngjarja e armatosur në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës, kur një grup i armatosur u përlesh me forcat shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Si pasojë, kanë humbur jetën 8 policë dhe 37 të tjerë janë plagosur, ndërkaq grupi ka humbur 10 persona. Veç kësaj, nga luftimet u shkatërruan dhjetëra shtëpi, duke e pasur parasysh se ngjarja ka ndodhur në lagje urbane. Ndonëse rasti ka epilog gjyqësor, madje të finalizuar në Maqedoninë e Veriut, me vendim të Gjykatës Supreme, e vërteta për këtë rast ende nuk është zbardhur tërësisht dhe po kontestohet nga pala mbrojtëse. Ende nuk dihet se kush ishin organizatorët e vërtetë të rastit, njofton Portalb.mk.

Më 2 nëntor të vitit 2019, dy vjet dhe pesë muaj pas ngjarjeve të 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në lagjen e Kumanovës “Lagjja e Trimave”, dhe një vit e tetë muaj pas fillimit të gjykimit, Gjykata Themelore e Shkupit miratoi vendim shkallës së parë kundër të akuzuarve për veprën penale “Terrorizëm”.

Aktgjykimi :

  • 7+1 persona: burg të përjetshëm
  • 13 persona: nga 40 vjet burg
  • 6 persona: me nga 20 vjet burg
  • 1 person: me 18 vjet burg
  • 2 persona: me nga 14 vjet burg
  • 2 persona: me nga 13 vjet burg
  • 2 persona me nga 12 vjet burg
  • 4 persona u liruan

Aktgjykimet në detaje mund t’i shihni:

Për shkak vendimeve, të cilat mbrojtja i quajti drakonime, ka pasur protesta në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri.

Të dënuarit e ankimuan vendimin, por Gjykata e Apelit, nuk e ndryshoi.

Më 3 janar 2022 Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut e konfirmoi se ka miratuar vendim për rastin e njohur në opinion si “Kumanova”. Sipas vendimit, Supremja i ka hedhur poshtë ankesat e të dënuarve si të pabaza dhe e ka konfirmuar aktgjykimin e Apelit. Sipas Ligjit për Procedurë Penale, pala mbrojtëse nuk ka të drejtë ankese ndaj vendimit të Gjykatës Supreme.

“Lagjja e Trimave” – Rasti i Kumanovës

Sipas kësaj, për të dënuarit janë “mbyllur dyert” për kërkim të drejtësisë brenda Maqedonisë së Veriut, por ata mund të ankohen në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Konfirmimi i aktgjykimit të Apelit, nënkupton që të dënuarit mbesin me dënimet që u janë shqiptuar nga Penalja dhe më pas të konfirmuara nga Apelit.

Hetimi ndërkombëtar që u premtua e s’u bë

Të dënuarit, por edhe një pjesë e opinionit dhe përfaqësuesve politik, kishin dyshime për inskenim të rastit, me qëllim që të ndalohet publikimi i materialeve të përgjuara “bombave” nga e liderit të atëhershëm opozitar, Zoran Zaev, i cili nëpërmjet bisedave të cilat ishin përgjuar paraprakisht nga Shërbimi Sekret i Maqedonisë,  zbulonin kriminalitetin e pushtetit e cila asokohe udhëhiqej nga famëkeqi Nikolla Gruevski i cili ishte në koalicion me partinë shqiptare të Ali Ahmetit, BDI.

Duke pasur mungesë të besimit në gjyqësor, e sidomos pas gjithë asaj që u dëgjua në “bombat” e publikuara se gjykatësit i ka zgjedhur shefi i atëhershëm Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov, në bashkëpunim me ministren e atëhershme të Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, e cila madje, mbante dhe defter me emra të gjykatësve të zgjedhur, hetimi kërkohej që të bëhet nga një organ i pavarur ndërkombëtar me qëllim që të konstatohen faktet dhe rrethanat për ngjarjen e armatosur.

Hetimi ndërkombëtar gjithashtu kërkohej për faktin se në opinion u shpërndanë një sërë (dez)informatash të cilat në masë të madhe ishin të paverfikuara. Kishte zëra që rastin e quanin të inskenuar nga Shërbimi Sekret i Maqedonisë në bashkëpunim me disa pjesëtarë të grupit, por kjo nuk u zbardh gjatë seancave gjyqësore.

Lideri i partisë e cila ishte në pushtet kur ndodhi rasti, por edhe pasi Gruevski ra nga pushteti, Ali Ahmeti, e ka përsëritur qëndrimin se kërkojnë grup ekspertësh ndërkombëtar që ta sqarojnë tërë rastin. Opozitari Zaev pasi u bë kryeministër, gjithashtu kërkoi që të huajt ta hetojnë se kush qëndron prapa rastit.

Hetim ndërkombëtar është kërkuar edhe nga Aleanca për Shqiptarët, është paralajmëruar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ish presidenti dhe ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Më herët ka pasur kërkesë të ngjashme edhe nga ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë, Behxhet Shala, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti slloven Borut Pahor. Thirrje të tilla ka pasur edhe nga eurodeputetët, zyra e të Drejtave të Njeriut në OKB, Kosovë, Shqipëri, figura të tjera politike dhe ekspertëve për çështjet e brendshme.

Në pikën 2 të marrëveshjes së partisë Alternativa për hyrje në Qeveri, e cila u nënshkrua më 5 dhjetor 2021, gjithashtu është përmendur hetimi ndërkombëtar.

  • Qeveria do t’i dërgojë kërkesë zyrtare Komisionit Evropian në të cilën do të kërkojë ekip ekspertësh të pavarur, të cilët do të kryejnë hetim ndërkombëtar në proceset e dyshuara për ndikim politik, siç janë: Monstra, Alfa, Lagjja e Trimave, Almiri i vogël.

Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur ndonjë zhvillim konkret për hetimin ndërkombëtar.

Për pastrimin e rastit, BDI ka kërkuar dhe më pas është formuar edhe Komisioni Anketues në Kuvend, por përveç seancës konstituive, komisioni nuk ka bërë asgjë, ndërkaq avokatët e të akuzuarve nuk janë kërkuar që eventualisht të japin dëshmi apo materiale.

Pavarësisht epilogut gjyqësor, ende nuk është konstatuar nëse rasti ishte inskenim dhe nëse shërbimet sekrete i vendit ishte i përfshirë.

LEXO: Komisioni Anketues i deputetëve asnjë punë nuk ka bërë, e ka harruar premtimin për rastin “Lagjja e Trimave”

Më poshtë mund ta shihni videon e publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme gjatë aksionit dhe video të vizitës së Portalb pas mbarimit të luftimeve:

Fotografitë në vijim tregojnë dëmin e shkaktuar në shtëpitë e banorëve:

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button