fbpx

Komisioni Anketues për “Kumanovën”, asnjëri nga deputetët e Maqedonisë nuk ka ngritur iniciativë

“Nëse do të kishte një shumicë të konsiderueshme që të formohej një Komision” do të mund të formohej Komisioni Anketues për rastin “Kumanova”, megjithatë që vendimi i Komisionit të ketë efekt dhe të ndikojë në rastin gjyqësor duhet të reformohet gjyqësori në Maqedoni. Kështu vlerësoi për Portalb.mk, eksperti juridik Osman Kadriu në lidhje me paralajmërimin e formimit të Komisionit Anketues të rastit “Kumanova”.

Megjithëse i paralajmëruar, iniciativë për formimin e Komisionit Anketues “nuk ka parashtruar askush”, pasi siç bënë të ditur deputetët, “vendimi për formim të tij vjen nga një koordinimin i nivelit më të lartë partiak”.

Komisioni Anketues për rastin “Kumanova” nuk do të ketë efekt pa reformim të gjyqësorit

Osman Kadriu
Ekspert juridik, Osman Kadriu

Sipas profesorit Osman Kadriu që komisioni anketues për rastin “Kumanova” të ketë efekt duhet të kemi reformim të tërësishëm të gjyqësorit, veçanërisht të Këshillit Republikan dhe Këshillit të Prokurorëve Publik.

“Që të ketë efekt Komisioni Anketues për rastin “Kumanova” duhet të kemi reforma në gjyqësor. Nëse nuk i kemi reformat në gjyqësor ne gjithmonë do të kemi gjyqësor joefikas, të korruptuar dhe shtimin e proceseve të montuara. Duhet të merren parasysh punimet e Këshillit Republikan dhe Këshillit të Prokurorëve që të mund të ketë efekt Komisioni Anketues për rastin “Kumanova”, pasi që të dyja këto organe kanë përgjegjësi për mënyrën e sjelljes së vendimeve devijuese, paraqitjen e parregullsive dhe veprimeve antiligjore e antikushtetuese”, tha Kadriu.

Meqë historikisht komisionet anketuese kanë qenë joefektive, pse duhet të formohet një i ri?

“Komisioni anketues do të ndihmonte të bënte ripërtëritjen e rastit gjyqësor, por duhet të ketë vullnet dhe guxim që të bëhet ripërtëritja e rastit gjyqësor. Edhe pse në historinë parlamentare të Maqedonisë, siç ka qenë rasti me Komisionin Anketues për rastin “Sopoti” këto lloj komisione nuk kanë pasur efekt, sërish vlerësoj se një i tillë duhet të formohet për arsye se do të ndikonte në rastin gjyqësor”u shpreh për Portalb.mk Kadriu.

Komisioni Anketues i “Kumanovës” shumë larg formimit

Profesori Osman Kadriu vlerësoi se formimi i Komisionit Anketues për rastin “Kumanova” bazuar në mënyrën e funksionimit të Kuvendit është “larg formimit”.

“Se si do të formohet, në çfarë mënyre dhe shumice do të formohet, është çështje e Komisionit që duhet të shqyrtohet dhe arrijë zgjidhje dhe se si do t’i zbërthente problemet. Por në bazë të asaj se si po zhvillohen punët në Parlament dyshoj se do të arrihet të formohet një komision sepse do të bënte që seanca plenare të shndërrohet në sallë gjykimi. Çështja është shumë delikate, nënkupton se duhet të formohet një komision për një lëndë që është në rrugë juridike dhe është nën shqyrtim nga gjykatat. Kemi situatë ku rasti duhet të kalojë në gjykatën e Apelit dhe në të njëjtën kohët rasti të shqyrtohet si rast problematik edhe nga Kuvendi”, tha Kadriu.

Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Meqë për formimin e Komisionit Anketues për rastin “Kumanova” është e nevojshme “shumicë e konsiderueshme në Kuvend”, sipas asaj që u deklarua për Portalb.mk nga deputetët nuk ka iniciativë për formim të tij.

Ata rezistuan të deklarohen në atë se nëse do të kishte ndonjë iniciativë për formim të Komisionit a do të ishin “pro” apo “kundër” formimit të tij.

“Ne nuk kemi ngritur deri në këto momente iniciativë për formimin e Komisionit, pasi që vendimi për formimin e tij duhet të vijë nga një koordinim i nivelit më të lartë partiak”, tha për Portalb.mk deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Rexhail Ismaili.

“Ne jemi shprehur se jemi “pro” formimit të Komisionit Anketues për rastin “Kumanova”, por deri më tash nuk ka iniciativë për formimin e tij. As ne nuk kemi ngritur iniciativë, tha për Portalb.mk deputeti i koalicionit Aleanca për Shqiptarët, Surija Rushidi.

Deri në këto momente nuk ka iniciativë për formimin e Komisionit Anketues, në momentin që do të ketë ne do ta shqyrtojmë dhe do të vendosim se a jemi “pro” apo “kundër” formimit të tij. Ne nuk kemi ngritur iniciativë për formim të tij, tha për Portalb.mk deputeti i koalicionit Rilindje me Besë, Fadil Zendeli.

“Unë nuk kam informata se ka ndonjë iniciativë për formimin e Komisionit Anketues për rastin “Kumanova”, deri te ne nuk ka ardhur asnjë dokument se kërkohet diçka e tillë. Në momentin që do të kemi diçka zyrtare, do ta shqyrtojmë iniciativën dhe do të vendosim se a jemi “pro” apo “kundër” formimit të tij”, tha për Portalb.mk deputeti i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë, Tomisllav Tuntev.

“Deri te ne nuk ka ardhur ndonjë iniciativë për formimin e një komisioni të tillë. Nuk mund të flas tash pa e parë iniciativën. Kur ta shohim iniciativën do të vendosim se a jemi “pro” apo “kundër” formimit të Komisionit, tha për Portalb.mk deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.

Ndërkaq, kryeparlamentari Talat Xhaferi ditë më parë tha se: “Në aspekt procedural nuk ka pengesë për formimin e këtij komisioni. Kur formohen komisionet nuk bëhen në bazë të analizave empirike, por në bazë të përgjegjësisë politikë të partive të cilat e ngritin atë iniciativë. Nëse formohet Komisioni, nuk ndikon Kuvendi në procesin gjyqësor e as nuk ka të drejtë të jep komente të ligjshmërisë së vendimit gjyqësor”.

Ndryshe, vite më parë u formuar Komision Anketues për rastin “Sopoti”, vendimi i atëhershëm ishte që të ripërtërihet procesi gjyqësor, mirëpo ky vendim nuk u mor parasysh nga gjykata.

LEXO MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button