Komisioni i Venedikut, Qeveria të mos bëj fushatë partiake për referendumin

Krahas fushatës informative, Qeveria e Maqedonisë ka të drejtë të kahëzojë votën e qytetarëve në referendum, por jo ta shndërrojë atë në fushatë partiake, sepse ajo do t’i rriste sulmet e partisë opozitare, shkruan Portalb.mk. Rekomandimet e Komisionit të Venedikut parashohin që Qeveria të informojë edhe për qëndrimet e palëve që janë kundër miratimit të referendumit.

Marrëveshjen me Greqinë në gjuhën shqipe mund ta lexoni: KËTU.

Për përgatitjet e referendumit, Komisioni i Venedikut parasheh që nëse përdoren para publike nga Qeveria, fushata e referendumit duhet të jetë informative – të informojë qytetarët për përmbajtjen e referendumit, duke shpërndarë materiale deri te qytetarët më së voni dy javë para referendumit.

“Duhet të dërgohet teksti, materiali shpjegues dhe raporti i balancuar deri te qytetarët të paktën dy javë para votimit. Qartësia e pyetjes është vendimtare për lirinë e shprehjes dhe për votën. Pyetja nuk duhet të jetë manipulative, nuk duhet të përkrah një përgjigje, duke përmendur pasojat e miratimit apo rrëzimit të referendumit. Përgjigjet për pyetjen e referendumit duhet të jetë “për”, “kundër” apo një vetëm bosh. Nuk duhet të ketë pyetje të hapur duke kërkuar një përgjigje. Votuesit duhet të informohen për efektin e votës së tyre, dhe efektet e referendumit – që të tregojnë a është detyrueshëm apo konsultativ dhe se miratimi i të njëjtit a dërgon në miratim të një marrëveshje, ligji a dispozite, apo në shfuqizim të atyre”, kështu rekomandojnë nga Komisioni i Venedikut.

Kjo sipas analistit politik, Petar Arsovski nuk nënkupton se fushata e referendumit nuk duhet të shndërrohet në fushatë politike apo partiake, sepse kjo do të nxiste sulme nga partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-ja.

“Ajo çfarë thuhet në rekomandimet e Komisionit të Venedikut, do të thotë se kur Qeveria shfrytëzon mjete publike para dhe gjatë fushatës së referendumit, ajo duhet të jetë informative. Fushata nuk duhet të shndërrohet në fushatë politike apo partiake, ndaj të cilës do të sulmojë VMRO-DPMNE-ja. Duhet të sjellë vendime të duhura, që personat që do të votojnë në referendum, të marrin vendim informues”, vlerësoi për Portalb.mk, Arsovski.

Ndryshe nga zgjedhjet lokale dhe parlamentare, kur Qeveria e Maqedonisë duhet të qëndrojë e paanshme në raport me votën e qytetarit, në procesin e referendumit ajo ka të drejtë të shpreh qëndrimin e saj. Kjo do të bëhej duke treguar se cili është interesi strategjik i Maqedonisë dhe çfarë dobie do të kishin qytetarët nëse vendosin për “po” në referendum.

“Në referendume situata është ndryshe, pasi që për organet e qeverisë është e ligjshme të shprehin pikëpamjet e tyre për “po” ose “kundër”. Megjithatë, ata nuk duhet ta keqpërdorin pozitën e tyre, sepse përdorimi i fondeve publike duhet të sigurojë fushatë që u jep mundësi të barabartë dhe liri të zgjedhjes të gjithë qytetarëve, për të formuar opinionin e tyre. Përveç kësaj, autoritetet publike nacionale, rajonale dhe lokale nuk duhet të angazhojnë fushatë të tepruar, të njëanshme, por të tregojnë neutralitet. Kjo nuk do të thotë se ata nuk duhet të marrin qëndrim, por duhet të sigurojnë një numër apo informacion të nevojshëm që votuesit të formojnë qëndrim”, thuhet në rekomandimin e Komisionit të Venedikut.

“Unë mendoj se nuk mund të ikim nga ajo, se edhe Qeveria si strukturë politike qeverisëse të ketë qëndrimin e saj në referendum. Në fund të fundit Qeveria e Maqedonisë e ka nënshkruar marrëveshjen me Greqinë, sepse vlerësoi se është më i mira për Maqedoninë. Dhe këtë ka të drejtë ta bëj”, tha Petar Arsovski.

Komisioni i Venedikut: qytetarët të informohen edhe për kundërshtarët e referendumit

Sipas asaj që thuhet nga Komisioni i Venedikut, qytetarët duhet të dinë edhe pikëpamjet ndryshe nga Qeveria e Maqedonisë, që kohës së fundit plasohen në opinion në formë të inciativës së qytetarëve “Bojkotoj”, e cila sipas analistit Mersel Bilalli nuk duhe të përkrahet nga ata që cilët nuk duan të amnistohen veprat kriminale, dhe nuk duan të jenë vegël e ruse.

“Zgjidhja më e mirë është që institucionet t’u japin votuesve materiale shpjeguese, jo vetëm të atyre që e ndajnë materialin, përkrahësit e referendumit por edhe të atyre që e kundërshtojnë referendumin”, thuhet në rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

LEXO: VMRO-DPMNE po diskuton për (mos)pjesëmarrje në referendum
LEXO: LSDM kërkon nga Mickoski ta ftojë anëtarësinë që të dalë në referendum
LEXO: Bojkoti i referendumit, bëhen të gjalla OJQ-të dorë e zgjatur e partive politike

Nikolla Dimitrov

Në Maqedoni, është formuar iniciativa “Bojkotoj”, e cila publikisht bën thirrje për bojkotim të referendumit të 30 shtatorit. Pjesë e “Bojkotoj” janë shoqata qytetarësh, diaspora maqedonase dhe funksionarë të lartë të partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-së, e cila deri më sot ende nuk është prononcuar se si do ta ftojë elektorarin e saj.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, në kontest të veprimit politik të iniciativës “Bojkotoj”, ka porositur se nuk mundet që të tërhiqet paralele mes Revolucionit “Laraman” dhe lëvizjes “Bojkotoj”, pasi siç thotë ai, bojkotimi i Referendum është thirrje për ikje nga përgjegjësia.

“Revolucioni Laraman është i etur për përgjegjësi në situatë të zbulimit publik të krimit. Kur institucionet dështuan, qytetarët e morën përgjegjësinë duke kërkuar drejtësi. ‘Bojkotoj’ është thirrje për papërgjegjësi, për ikje nga përgjegjësia, për të mos pasur zë për ardhmërinë e vetë dhe të Maqedonisë”, ka shkruar Nikolla Dimitrov në profilin tij në Facebook.

Mersel Bilalli

Sipas analistit politik Mersel Bilalli, “Bojkotoj” duhet të bojkotohet sepse ajo parasheh amnisti të vjedhjes së miliardave dhe shndërrimin e qytetarëve në vegla ruse.

“Marrëveshja e Prespës meriton çmimin Nobël, për shkak se ajo ka krijuar një model të ri për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare lidhur me çështjet e identitetit, thotë analisti politik dhe ish-anëtar i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Eduard Josef. Por, disa shoqata lilipute po bëjnë thirrje në bojkot. Edhe unë bëj thirrje për një bojkot kundër të gjitha mashtrimeve e rrenave patriotike; kundër amnistisë së miliardave tona; kundër arsimit pa dije; kundër shëndetësisë së sëmurë; kundër folklorit vetëvrasës… Kurse bojkotuesit janë vegla ruse dhe ata kërkojnë që ne të heqim dorë nga e ardhmja jonë e ndershme në favor të parave të tyre të pandershme”, shkruan ndër të tjerash Bilalli në kolumnën “Edhe unë jam për bojkot”.

Nga ana tjetër, dy partitë më të mëdha, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë bërë thirrje publike, si ndaj vendasve por edhe ndaj diasporës që të përkrahet referendumi, ndërkohë që në vijim është kontrolli i listës zgjedhore.

LEXO: Mbi 1000 persona nga diaspora janë paraqitur që të marrin pjesë në referendum
LEXO: Ahmeti do t’i angazhoj të gjitha kapacitetet për referendum të suksesshëm (VIDEO)

Përndryshe, në referendumin që do të mbahet më 30 shtator të 2018-s, qytetarët do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e Marrëveshjes me Greqinë?”.

Nëse qytetarët përgjigjen me “po”, referendumi kalon dhe sipas asaj që thuhet në raportin e Komisionit të Venedikut, “kjo nënkupton se referendumi është miratuar dhe procedura përfundohet. Pas kësaj, referendumi publikohet dhe Marrëveshja me Greqinë shpallet në Gazetën Zyrtare.

Pse është e rëndësishme që partitë të prononcohen para referendumit?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button