Edhe unë jam për bojkot!

Edhe sot e kësaj ditë akoma mbetet enigmë se si  14 vjet para se të ndodhë “Titaniku”, një autor amerikan i quajtur Morgan Robertson në vitin 1898 kishte shkruar një libër me titull: “The Wreck of the Titan”(Mbytja e Titanit), më shumë i njohur si “Futility” (Kotësi”). Aty hollësisht përshkruhet tragjedia e cila do të ndodhë 14 vite më vonë (në prill të vitit 1912).

Ngjashmëria midis “Titanit” dhe “Titanikut” nuk është vetëm në emër dhe pamje, por edhe në shumë karakteristika dhe rrethana tjera. Madje edhe shkaku i fatkeqësisë  është identik, ashtu si dhe numri i njerëzve që u mbytën. Pas tragjedisë së madhe, libri u bë një bestseller i vërtetë.

Njëqind vjet më vonë, pothuajse u mbyt edhe një tjetër “Titanik”, në Ballkan, me dy milionë banorë, jo për shkak të një ajsbergu, por për shkak të një ajsbeg-ekuipazhi. Më shumë se 600 mijë udhëtarë të malltretuar arritën me kohë që ta braktisin anijen dhe lundruan pa kthim, kurse mbi një milion të tjerë do ta bënin të njëjtën sikur të kishte barka shpëtimi. Për vite të tëra anija qe rrëmbyer nga kusarë të dehur dhe piratë të droguar. Ata plaçkitën, përdhunuan, rrahën e vranë, ndërkaq thonin se ate e bënin për të mirën e udhëtarëve. Kurse udhëtarëve së pari ua shkatërruan dinjitetin njerëzor, dhe më pas çdo gjë tjetër. A thirreshin se janë “patroit”! Kurse në fakt bënë shtet ku hajdutët ndiheshin më të sigurtë se sa të ndershmit. Ata ishin të privilegjuarit. Shtet ku idiotët u promovuan si gjeni, kurse gjenitë si shërbëtorë. Të tjerët jetonin vetëm pse s’ishin të vdekur.

Regjimi është tharë, por rrënjët i kanë mbetur dhe e presin shiun. Dhe ja një studim i QMBN-së paralajmëron një reinkarnim të plagëve të egra. Vallë a jemi  talentë të padukshëm të harresës së të  keqes apo ne jemi revanshistë të nxituar që dëmtojmë veten! Opozita nuk ka busull, a akoma është peng i familjes që vepron në hije. Por, si duket  kjo ndoshta është si rezultat i një inati kolektiv, për zhvillimin e të cilit si duket kontribuuan shumë njerëz edhe të pushtetit aktual. Ne si duket kemi harruar se shumë pak kohë më parë qeshja na dukej më e keqe sesa e qara. Nganjëherë inati ballkanik me vetëdije e harron të keqen dhe e zgjedh edhe të keqen akoma më të madhe. Shpesh është e pranishme (jo)logjika – pasi nuk u bë më mirë, së paku le të bëhet edhe më  keq. Sepse shumë njerëz posedojnë aq shumë inat për sa që u mungon arsye. E harrojnë se për një vit, shumë çka në mënyrë astronomike është më ndryshe – transparenca, kritika *madje edhe nga mediat pro- qeveritare), kompanitë janë të liruara nga shantazhet, gjobat janë reduktuar, shteti frymon më ndryshe. Por, kur pritjet janë të larta, besimi zvogëlohet.

Dhe për deri sa Zaevi përpiqet të ndihmojë personalisht edhe ata njerëz që nuk i njeh, disa të tjerë nga pushteti fluturojnë mbi re, të padenjë se mund një ditë të bien nga atje. Ndodhën skandale të vogla, por me fuqi të madhe shkatërruese. Ajo e shkatërron besueshmërinë e qeverisë. Prandaj do njerëz  duhet të shkojnë në pushim sa më shpejt që është e mundur. Nëse kemi situatë kur vetëm për një vit harrojmë krimin shekullor, rrëmbimin e gjithë shtetit, krimin astronomik  dhe larjen e parave (pesë miliardë euro, sipas Global Financial Integrity), borxhin astronomik, ferrin e parajsës tatimore, burgosjet, heshtjet nga frika, vrasjes… atëherë mirë është të qëndrojmë para pasqyrës. Por, edhe qeveria të shef se a i funksionojnë të gjitha pjesët e saj si duhet ose kanë nevojë për një riparim serioz? Është fakt se ballkanasit janë mazohistë, por sërish larg mendjes është që të kërkojnë përsëri aq sadistë si ata që shkuan !? Asgjë nga kthimi i miliardave të vjedhura, kurse viktima sërish e kërkon xhelatin!  I pamë shumë mirë ata faraonë që ndërtonin piramida, por gjithçka përreth lanë shkretëtirë, kurse institucionet i varrosën në varre masive!

Autokritikë

Megjithëse numrat e QMBN-së ndryshojnë nga do analiza tona të cilat kurrë nuk i tejkalojnë gabimet statistikore prej dy për qind, sërish tendenca e pakënaqësisë është shqetësuese. Disa njerëz e kanë të vështirë të kuptojnë se atje janë për t’u shërbyer qytetarëve, e jo për t’i malltretuar apo shantazhuar ato. Këtu gjithashtu një faj të madh ka dhe bashkësia ndërkombëtare e cila fuqishëm kundërshtonte  rizgjedhjen e përgjithshme të gjyqtarëve, prokurorëve (siç kanë bërë disa shtete, tani anëtare të UE-së). Parimi i një mandati përfundimtar në shërbimet publike është normal vetëm për një shtet apo pushtet normal. Kurse ne një të tillë me vite nuk e kishim! Ne pamë se si mund të bëhesh një gjyqtar swarofski me zero njohuri. Duhej një përtrirje e plotë e sistemit me një prani të fortë të Brukselit. Nuk janë të mundshme reformat me shumë deform kuadrosh. Por, disa nga këto të tanishmit u ngatërruan me tenderë e fonde, prandaj duhet të paketohen ngadalë. Kurse disa të tjerë harrojnë se ata janë në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë, kurse të dyjave janë duke ua nxjerrë shpirtin. Ndryshimet në legjislacion janë të nevojshme si shpëtim, sepse përgjegjësia dhe ndërgjegjja para parasë janë të pafuqishme. Atje ku flet  paraja, gojët heshtin, sytë mbyllen, kurse  ligjet dhe parimet bëhen jofunksionale. Rezultati – ekzodus me përmasa biblike. Zbrazen shkollat, fshatrat e qytetet, sepse, ai që vendos vite e vite luan folklor patriotik të rrejshëm dhe vjedhë hakun e popullit. A s’di çka është ekonomia! Lum i madh i njëkahshëm i të rinjve drejtë perëndimit, të cilëve çdo kund u bëhet më mirë se në vendin e vet!

Bojkotoj

Marrëveshja e Prespës meriton çmimin Nobël, për shkak se ajo ka krijuar një model të ri për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare lidhur me çështjet e identitetit, thotë analisti politik dhe ish-anëtar i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Eduard Josef. Por, disa shoqata lilipute po bëjnë thirrje në bojkot. Edhe unë bëj thirrje për një bojkot kundër të gjitha mashtrimeve e rrenave patriotike; kundër amnistisë së miliardave tona; kundër arsimit pa dije; kundër shëndetsisë së sëmurë; kundër folklorit vetëvrasës… Kurse bojkotuesit janë vegla ruse dhe ata kërkojnë që ne të heqim dorë nga e ardhmja jonë e ndershme në favor të parave të tyre të pandershme.

Mickoski para do ditëve tha se për nja 40 ditë (më 10 shtator) do ta tregojë qëndrimin e tij mbi referendumin! Është interesante se numri  40 ka simbolikë të gjerë. Së pari, Moisiu bredhi 40 vjet nëpër shkretëtira. I njëjti Moise kishte agjëruar 40 ditë deri sa në pllakë guri iu shfaqën dhjetë urdhërimet e Zotit. Odiseu 40 ditë u fsheh nga Penelopa. I njëjti bredhi  40 vjet nëpër Egje, por pa Itakën e tij. Edhe Krishti pas ringjalljes së tij eci 40 ditë, madje edhe u pa me disa njerëz! Përmbytja biblike ndodhi saktësisht pasi 40 ditë kishte ra shi. Disa ilaçe përgatiten për 40 ditë, e disa të tjerë pien për aq ditë. Çfarë ilaçi do të kishte qenë ai i Mickovskit ?! Ose shërim ose helmim. A ndoshta dhe do t’i ndodh një përmbytje e përmasave biblike partisë së tij. Dhe pastaj do të mburret se sa shumë peshq paska në Saharë! Dihet se fuqia pa arsye është e vrazhdë, kurse arsya pa fuqi është fatale. Kurse ai për momentin nuk e ka as njërën as tjetrën. E shohim se si kalon sulltani turk? Lira u zhvlerësua për 40 për qind. Përsëri ky numër! Kurse Ivanovi nuk u takua me gjeneralin e NATO-s. Perëndia ia fali përgjithmonë atij sepse ai s’di se çka bënë. Por, me sa duket, ne të gjithë duhet të kuptojmë se xhihadi më i madh duhet të jetë vet lufta me ndërgjegjen tonë. Kurse njerëz të shumtë ndërgjegjen e tyre e kanë shitur në treg të zi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button