17 vjet nga MO, partitë shqiptare fajtorë për mosrealizim, Qeveria e re duhet t’i përmirësojë gabimet e vjetra

Për faj të partive politike shaqiptare, Marrëveshja e Ohrit ende nuk është realizuar tërësisht edhe pse sot bëhen 17 vjet nga nënshkrimi i saj, me të cilën u parandalua lufta civile në vitin 2001 dhe kërkohej barazia mes dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni, shqiptarëve dhe maqedonasve. Duhet të krijohet ambient racional dhe i arsyes, ndërtim i praktikës dhe instrumenteve për implementimin e ligjeve, në mënyrë që të zbatohet tërësisht Marrëveshja e Ohrit, shkruan Portalb.mk.

Xhelal Neziri

Xhelal Neziri

Njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri, vlerëson se MO-ja duhet të evaluohet, ndërkaq pjesët disfunksionale të marrëveshjes të zëvendësohen me zgjidhje funksionale.

“Çdo marrëveshje që siguron paqen është më e mirë se mosmarrëveshja që prodhon konflikte. E tillë është edhe Marrëveshja e Ohrit. Një kompromis midis dy etnive më të mëdha në Maqedoni – maqedonase dhe shqiptare – që të bashkëjetojnë në paqe pranë dhe me njëri-tjetrin në shtetin e tyre të përbashkët. Marrëveshja e Ohrit është poashtu kompromis midis dëshirave dhe mundësive të etnisë maqedonase dhe asaj shqiptare. E para dëshironte shtet njëetnik, e dyta – një njësi federale etnike brenda shtetit dyetnik. Kjo Marrëveshje është pjesë e Kushtetutës që nga viti 2001, kur u miratuan amendamentet kushtetuese. Nëse nuk është implementuar Marrëveshja e Ohrit atëherë nuk është implementuar Kushtetuta. Nëse nuk implementohet Kushtetuta atëherë kemi problemin e shtetit ligjor, ku institucionet nuk respektojnë Kushtetutën dhe për këtë mbajnë përgjegjësi të madhe. Tani janë bërë 17 vite që nga ndryshimi i Kushtetutës. Mendoj se duhet krijuar një ambient racional, i arsyes që kjo Marrëveshje të evaluohet. Evaluim ku politikanët do të udhëhiqen nga argumentet e jo nga emocionet etno-nacionaliste. Ky evaluim duhet të nxjerrë në pah pjesët disfunksionale me qëllim që të zëvendësojë të njëjtat me zgjidhje funksionale. Për këtë nevojitet vizion politik, e jo politikë ditore”, vlerëson për Portalb.mk, Neziri.

LEXO: 2017 16 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, ende nuk u arrit realizimi i barazisë së plotë etnike

Kush është fajtor për mosrealizim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit?

Fajtor për mosrealizimin e MO-së janë partitë politike shqiptare të cilat, sipas tij, nuk kanë bërë trysni të mjaftueshme për realizimin e pikave të marrëveshjes, ndërkaq plotësisht nuk kanë bashkëpunuar mjaftueshëm mes vete, vlerëson analisti politik, Ibrahim Mehmeti thotë .

Ibrahim Mehmeti

Ibrahim Mehmeti

“Problemi i realizimit ose i mosrealizimit të MO-së, qëndron në jo-gatishmërinë e mjaftueshme të partive politike shqiptare në periudhën kur duhej të realizohet kjo marrëveshje, pra afatet origjinale për implementimin e saj. Por, atëherë partitë shqiptare nuk ishin të vetëdijshme se çka do të thotë kjo marrëveshje dhe zvarritja e implementimit të saj, së paku në letër dhe u lëshua shansi që në atë periudhë që duhej të implementohet nuk u bë presion i mjaftueshëm që këto ligje për të cilat flasim, sidomos për ligjin e gjuhëve mbeten të paqarta dhe të padefinuara.  Në pjesën e ndryshimeve kushteteuese janë rezultat i papjekurisë së partitë shqiptare në definimin e çështjeve, siç është definimi i gjuhës shqipe si gjuha e 20 përqindëshit, e cila është nënçmuese për gjuhën shqipe, njëjtë është rasti edhe me definimin e preambulës, por edhe neneve të ndryshme të Kushtetutës të cilat pastaj u transferuan në ligje. Duhet theksuar se çështja e mosmbylljes së Marrëveshjes ka të bëjë edhe me mosbashkëpunimin e partive shqiptare për shkak të revanshizmit mes tyre. Partitë janë përpjekur që këtë ta shfrytëzojnë për përfitime partiake dhe kjo vazhdon”, thotë për Portalb.mk, Mehmeti.

LEXO: 2016, “Moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit paaftësi e partisë shqiptare në pushtet”
LEXO: 2015, Ja pasqyra e Marrëveshjes së Ohrit: Fjalë shumë e punë pak

Ai shpreson që përbërja e re qeveritare do të ndërtojë praksën e implementimit të MO-së, pasi që, sipas tij, nëse ngelet gjithçka nga ligjet që rrijnë në sirtar nuk kemi ndonjë përparim.

“Duhet të ndërtohet praksë dhe instrumente për t’i zbatuar ligjet në jetën e përditshme. Kur është fjala për ligjin e gjuhës, kërkon mjaft angazhim konkret, kërkon vullnet të mirë të cilën duhet ta ketë kjo qeveri”, thotë Mehmeti.

17 vjet nga Marrëveshja e Ohrit

Për atë se çfarë është realizuar nga MO-ja, Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Ohrit (SIMO) që nga viti 2013 ka bërë analiza të cilat i ka publikuar në vitin 2016, por asnjëherë s’u shqyrtuan në seanca qeveritare apo konferenca ndërkombëtare. Për këto analiza, Sekretariati ka harxhuar 285.000 euro.

LEXO: 2016, 15 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, çfarë thotë Analiza për të?
LEXO: 2016, Qeveria nuk e përfill Analizën e vet Sekretariatit për Implementim të Marrëveshjes së Ohrit

Në vitin 2017-të u zbulua se SIMO i ka dhënë  tender për realizimin e analizave për MO-në një shoqate për prodhimtari, transport, tregti dhe shërbime TDS – KIOSKI, eksport import. Pas skandalit, SIMO ka prishur kontratën me ndërmarrjen “Kioski” duke anuluar kështu edhe gjithë tenderin për analizën e Marrëveshjes së Ohrit. Në një komunikatë me shkrim, theksohet se vetë kompania kontraktuese ka kërkuar prishjen e kontratës për shkak se nuk mundet të realizojë në kohë aktivitetet e parashikuara në kontratë, Në opinion pati reagime të shumta duke pasur parasysh veprimtarinë e kësaj ndërmarrjeje.

LEXO: 2017, Firma tregtare analizon Marrëveshjen e Ohrit
LEXO: 2017, SIMO prish tenderin për analizën e Marrëveshjes

Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit

Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit

Qeveria e re, në krye me kryeministrin Zoran Zaev, pati paralajmëruar se në seancën e 53-të qeveritare do të shqyrtohet statusi i Marrëveshjes së Ohrit edhe pse kjo paraprakisht ishte shqyrtuar në rend dite.

Me rastin e shënimit të 17 vjetorit të MO-së, sot Qeveria e RM-së, organizon manifestim tematik me titull “Rruga për në Bruksel përmes Ohrit”, në frymën e vendimit të këtij viti për të filluar negociatat me Bashkimin Evropian dhe ftesën për anëtarësim në NATO.

Ndryshe, më 13 gusht para 17 viteve u nënshkrua Marrëveshje e Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit disamujor në Republikën e Maqedonisë në vitin 2001.

Dokumentin, pas negociatave disaditore në Ohër, në Shkup e kanë nënshkruar presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lideri i VMRO-DPMNE-së Lubço Georgievski dhe liderët e PDSH-së, Arbën Xhaferi, PPD-së Imer Imeri dhe i LSDM-së, Branko Cërvenkovski. Në cilësi të garantuesve, dokumentin, i cili është i njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, e kanë nënshkruar edhe përfaqësuesit special  të BE-së dhe SHBA-së, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju.

Marrëveshja e Ohrit e ka përkrahjen e Bashkësisë ndërkombëtare dhe nga pjesa më e madhe e partive nga blloku politik shqiptar dhe maqedonas, si kornizë e vetme për zhvillim të shtetit.

Më shumë se 130 ligje, ndryshime dhe plotësime të ligjeve janë miratuar viteve të kaluara nga implementimi Marrëveshjes së Ohrit, prej të cilave pjesa më e madhe – 59 janë ligje për mosdiskrimimin dhe përfaqësimin e drejtë, 40 janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në mars të këtij viti me 64 vota “për”, asnjë kundër dhe të përmbajtur e miratoi Ligjin për gjuhët, por i njëjti ende nuk ka hyrë në fuqi.

Me këtë ligj parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizatat, komisionet, personat juridikë, të cilët kanë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucioneve tjera, gjuhë zyrtare, krahas asaj maqedonase dhe alfabetit të saj, të jetë edhe gjuha që e flasin të paktën 20 për qind të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabetit të tij, gjuha shqipe.

17 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, Qeveria organizon manifestim tematik

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP