16 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, ende nuk u arrit realizimi i barazisë së plotë etnike

16 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ende ngelet e pa realizuar në tërësi e njëjta. Njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se ky dokument nuk arriti të jep përgjigjet e duhura të rrafshit etnik, juridik, politik, ekonomik, financiar, kulturor dhe social të shqiptarëve, ku mbi të gjitha, nuk arriti të ndryshojë konceptin kushtetues etnocentrik të imponuar me majorizim qysh me pavarësimin e RM-së në v. 1991, pra nuk arriti të ndryshojë statusin kushtetues të shqiptarëve në këtë shtet.

Juristi Jeton Shasivari sqaron për Portalb.mk se kur flitet për realizimin e tij, duhet nënvizuar faktin se Dokumenti i Ohrit në tri lëmit kyçe të tij që ndërlidhen me përdorimin e gjuhëve, përfaqësimin proporcional dhe demokracinë lokale, nuk arriti të realizojë barazinë e plotë etnike gjatë gjithë kësaj periudhe kohore 16-të vjeçare.

“Qëllimi kryesor i këtij dokumenti ishte ndërprerja e konfliktit të armatosur disa mujor të v. 2001, pra sigurimi i paqes, e jo krijimi i ndonjë modeli efikas dhe perspektiv juridik, politik, kulturor, social dhe ekonomik për zgjidhjen e antagonizmit etnik në Maqedoni midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Kur flitet për realizimin e tij, duhet nënvizuar faktin se Dokumenti i Ohrit në tri lëmit kyçe të tij që ndërlidhen me përdorimin e gjuhëve, përfaqësimin proporcional dhe demokracinë lokale, nuk arriti të realizojë barazinë e plotë etnike gjatë gjithë kësaj periudhe kohore 16-të vjeçare. Kjo për arsye se, gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, të drejtat kombëtare të shqiptarëve vazhdimisht kontrollohen dhe distribuohen nga subjektet politike maqedonase. Ky dokument nuk arriti të jep përgjigjet e duhura të rrafshit etnik, juridik, politik, ekonomik, financiar, kulturor dhe social të shqiptarëve, ku mbi të gjitha, nuk arriti të ndryshojë konceptin kushtetues etnocentrik të imponuar me majorizim qysh me pavarësimin e RM-së në v. 1991, pra nuk arriti të ndryshojë statusin kushtetues të shqiptarëve në këtë shtet”, tha për Portalb, Shasivari.

Sipas tij, hqiptarët në Maqedoni nuk janë fenomen matematikor i përqindjes, por janë popull autokton që jeton në një hapësirë kontinuele gjeografike që posedon të drejtën e pashteruar të vetëvendosjes, vlerën Shazivari.

Nga ana tjetër juristi Osman Kadriu vlerëson për Portalb.mk se në bazë të MO-së kemi një avancim të statusit të shqiptarëve në Maqedoni, por akoma nuk janë të arritura ato të drejta që në një mënyrë i garanton marrëveshja.

“Është evidente se në bazë të MO-së kemi një avancim të statusit të shqiptarëve në Maqedoni por në tri nivele mund të flasim se akoma nuk janë të arritura ato të drejta që në një mënyrë i garanton marrëveshja. Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe ende ngelet si problem, si çështje e pa rregulluar në aspektin e saj se çfarë premtonte dhe rregullonte MO, se gjuha shqipe do të jetë gjuhë e dytë zyrtare. Ka shumë paqartësi në këtë drejtim, dhe ato na shfaqen edhe në miratimin e ligjit aktual për këtë çështje. Niveli i dytë flet se dispozitat ligjore nuk janë në frymën e marrëveshjes dhe nuk e garantojnë statusin e shqiptarëve në nivelin që e parashikonte MO. Problemi i theksuar erdhi edhe te preambula e kushtetutës meqenëse MO kishte një preambulë kushtetuese ku parashikoheshte që Maqedonia të definohej si shtet qytetarë, dhe kur u miratua e njëjta kinse konform marrëveshjes, u bë ndryshim dhe në Parlament ajo ngeli që Maqedonia definohet si shtet nacional, por jo edhe me shqiptarët të barabartë me kombin maqedonas. Gjithashtu përfaqësimi adekuat nuk është arritur, punësimi dhe ushtrimi i çdo pozite që është parashikuar nuk realizohet në praktikë. E drejta e shqiptarit që mund të drejtojë çdo post në shtet, normal duke plotësuar kushtet që parashikon kushtetuta edhe ligji”, tha për Portalb, Kadriu.

Sipas tij, është për ta respektuar Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, por ajo ka zbrastira politike ato neve do të na paraqiten edhe në kushtetutën aktuale dhe prej saj të njëjtat kundërthënie dhe paqartësi i hasim edhe në ligje konkrete.

Ndryshe nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni dhe vendosi kornizë  për bashkëjetesë ndëretnike.

Negociatat, filluan në Shkup, ndërsa më pas vazhduan në Ohër, ku përfunduan me parafimin e dokumentit më 10 gusht. Tre ditë më vonë më 13 gusht të vitit 2011 në rezidencën presidenciale në Vodno në Shkup  marrëveshjen Kornizë e nënshkruan presidenti i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri Lubço Georgievski, lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, ai i PPD-së, Imer Imeri dhe ai i PDSH-së, Arbën Xhaferi.

Nënshkrues të marrëveshjes në rolin e garantuesve ishin edhe përfaqësuesit special të BE-së dhe SHBA-ve, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju, të cilët morën pjesë në bisedime. Përveç nënshkruesve në bisedime mori pjesë edhe Havier Solana, përfaqësues i lartë i BE-së për siguri dhe politika të jashtme, dhe Piter Fejt, përfaqësues i SHBA-ve.

Me rastin e 16 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, nën përkujdesjen e zëvendës kryetarit të Qeverisë së Maqedonisë, Hazbi Lika dhe Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot në Shkup, organizohet një manifestim i rastit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button